Shqipëria po e rrit gjithnjë e më shumë numrin e adhuruesve të bukurive të saj natyrore, por dhe të kulturës dhe historisë së saj. Media të ndryshme ndërkombëtare here pas here publikojnë reportazhe në fokus të të cilave është turizmi shqiptar, duke e cilësuar shpesh “vendin e shqiponjave” si një “margaritar të fshehur” në Europë.

Fragment nga spektakli holandez në Shqipëri (ATSH)

Fragment nga spektakli holandez në Shqipëri (ATSH)

Së fundmi Shqipëria u përzgjodh si destinacion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022 të emisionit televiziv më të shikuar në Holandë, “Wie is de Mol”(Cili është i infiltruari?).

Lidhur me këtë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u shpreh këto ditë se, seritë e këtij spektakli televiziv, të cilësuar si ndër më të ndjekur nga publiku holandez vijojnë të shfaqen në këtë vend, duke prezantuar gjuhën, kulturën, traditën dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë.

Në njoftim thuhet se “Seritë e TV show më të ndjekur në Holandë “Wie is de Mol”, zhvilluar në destinacionet më të bukura në Shqipëri, vazhdon të mbajë të mbërthyer përpara ekranit, çdo të shtunë publikun holandez dhe vençanërisht fëmijët, të cilët me shumë kuriozitet po njihen me gjuhën, kulturën, traditën dhe relievin e pasur natyror të Shqipërisë”.

Personazhet VIP holandezë në Sarandë (ATSH)

Personazhet VIP holandezë në Sarandë (ATSH)

“Faleminderit Wie is de Mol? për këtë promovim. Ju mirëpresim përsëri në vendin e shqiponjave”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Ky spektakël televiziv në natyrë ka një audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, që ndjekin me kureshti 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë, mes sfidash, lojërash dhe aventurash në vendet më të bukura dhe mbresëlënëse të Shqipërisë.

A nuk duket kjo si një mënyrë mjaft e mire për promovimin e Shqipërisë në botë? Gjithësesi për turistët holandezë Shqipëria është e njohur, pasi numri i tyre ka ardhur duke u rritur jo vetëm në sezonin veror, por dhe në turizmin dimëror, kulturor dhe të aventurës.

Një tjetër lajm me temë turizmin u botua së fundmi në mediet shqiptare, ku mësohet se turistë francezë kanë treguar interes të veçantë për resurset natyrore e kulturore të Leshnicës së Sipërme e të Poshtme në Bashkinë e Finiqit, në jugperëndim të vendit me 58 fshatra.

Pjestare e spektaklit holandez në Shqipëri (ATSH)

Pjestare e spektaklit holandez në Shqipëri (ATSH)

Bashkia Sarandë njofton se vetëm gjatë vitit 2021, grupe turistësh kryesisht nga Franca kanë shkelur fshatrat e Finiqit për të shijuar bukuritë e një natyre pothuaj të virgjër, po edhe monumente kulturore e historike të zonës si kisha e Shën Gjergjit, dhe Kisha e Thanasit së bashku me Manastirin me të njëjtin emër.

Leshnica e Sipërme është shndërruar në një destinacion turistik vitet e fundit, falë promovimit dhe futjes së kësaj zone në paketat turistike. Në këtë promovim rol pozitiv kanë luajtur dhe investimet e kryera nga banorët e zonës të kthyer nga emigracioni, të cilët kanë ndërtuar bujtina mikpritëse të turistëve, ku shërbehen ushqime bio të zonës malore.

Një nga gazetat më të njohura botëtore, francezja “Le Monde” ka shkruar për fshatin Leshnicë, ku vizitori rrethohet nga malet dhe mikpritja prekëse e vendasve siç janë banorët e minoritetit grek në këtë zonë.

Turistët në territorin e Bashkisë Finiq mund të vizitojnë objekte të ruajtur nga kohërat antike si tempuj, statuja, varre, afreske, fortesa, ujësjellësa dhe banja publike. Me interes nga turistët e pasionuar pas kulturës bizantine vizitohen dhe kishat, manastiret, afresket dhe mozaikët.

Eda Merepeza