Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, prezantoi sot në sheshin “Skënderbej”, ekspozitën e titulluar “Tirana kryeqytet”. Në këtë datë me domethënie historike për mbarë vendin, ekspozita ilustron përmes dokumenteve dhe fotove, rrugëtimin e kryeqytetit të caktuar në punimet e Kongresit të Lushnjës (1920), si dhe zyrtarizimin e këtij vendimi me mbërritjen në Tiranë të anëtarëve të Këshillit të Lartë, siç ishin: Aqif Pasha, Mihal Turtulli dhe Abdi Toptani.

Mes materialeve të paraqitura, publiku kryeqytetas ka mundësinë të njihet edhe me disa fragmente të historisë së kryeqytetit (1604-1937) nën autorësinë e Osman Myderrizit, me telegramin dërguar qyteteve të vendit për ngritjen e flamurit në Tiranë (28 Nëntor 1912), me foto të godinës ku u vendos qeveria pas Kongresit të Lushnjës, me një imazh të Bashkisë së vjetër etj. Në vijim të ndërveprimit të vazhdueshëm, përfaqësues të DPA-së morën pjesë në një tjetër ekspozitë me tematikën e këtij përvjetori.

Nën organizimin e Kalasë së Tiranës koleksionistë dhe historianë të pasionuar, treguan kryesisht përmes fotografive historinë dhe fizionominë e Tiranës ndër vite.

Hiqet bileta hyrëse për të vizituar Kalanë e Beratit

Turistë shqiptarë e të huaj mund të shijojnë vizitat e tyre në Kalanë e Beratit, në një nga zonat më të bukura jo vetëm të qytetit, por gjithë Shqipërinë, pa biletë hyrëse. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se Kalaja e Beratit do të vizitohet pa biletë. Ministrja tha se vendimi për heqjen e biletës hyrëse erdhi pas shqetësimit të ngritur nga banorët e Beratit. “Duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve të Beratit, vendosëm të heqim biletën hyrëse në Kala. Tanimë turistë shqiptarë e të huaj mund të shijojnë vizitat e tyre në një nga zonat më të bukura jo vetëm të qytetit, por gjithë Shqipërinë”, deklaroi Margariti.

Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Shtëpia e Musine Kokalarit në Gjirokastër do të kthehet në muze

Në 105-vjetorin e lindjes së intelektuales Musine Kokalari, bashkia e Gjirokastrës organizoi aktivitetin e titulluar “Testamenti i Musinesë”. Përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, të afërm të Musine Kokalarit, intelektualë, studiues, etj., vlerësuan kontributin e rëndësishëm të saj për një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar. “Musine Kokalari ishte një grua e rrallë që shenjoi një epokë dhe udhëhoqi përpjekjet për emancipim të gruas shqiptare, një mendje e bukur dhe shpirt i lirë që s’u dorëzua deri në frymën e fundit. Në bashkëpunim me familjen Kokalari synojmë kthimin e shtëpisë së saj në Gjirokastër, në muze që do të jetë edhe një atraksion tërheqës për turistët”, u shpreh kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.

Përgjatë këtij aktiviteti u ekspozuan relike dhe dokumente nga jeta e Musine Kokalari si dhe u shfaq filmi dokumentar “Nusja me shifon të zi” kushtuar jetës së saj. Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.

Prezantohet programi i Bonusit të Rijetësimit në Shkodër

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantoi në Shkodër Bonusin e Rijetësimit, program që mbështet trashëgiminë kulturore të vendit. Ky program nis këtë vit për herë të parë, si nismë e Ministrisë së Kulturës mbështet pronarët të mirëmbajnë dhe rijetësojnë objektet e tyre, banesa e biznese, në qendra historike, ansamble urbane, zona arkeologjike”. “Shkodra është stacioni i radhës në një tur komunikimi me banorët dhe gjithë të interesuarit, për t’i informuar, por edhe për të marrë mendime, që kjo skemë të përmirësohet dhe t’u vijë në ndihmë të gjithëve”, tha Margariti. Ajo vuri në dukje se interesimi për t’u bërë pjesë e kësaj nisme, që bën bashkë shtetin dhe privatin, tregon për besimin që qytetarët kanë krijuar në punët e mira dhe konkrete, që prekin në mënyrë direkte mirëqënien e tyre ekonomike.

Ministria e Kulturës ka nisur një fushatë informimi dhe konsultimi në qytete të ndryshme të Shqipërisë për Bonusin e Rijetësimit. Kjo nismë përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë. Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti.

Nis restaurimi i Torrës Veneciane, simboli i Durrësit

Në qytetin e Durrësit ka nisur restaurimi i Torrës Veneciane,si pjesë e programit EU For Culture, e cila pritet të kthehet në pikë informacioni turistik. Kulla Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit. Kulla ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës”.

TKOB, përkujton koreografin Panajot Kanaçi dhe kompozitorin Tish Dajija

Teatri i Operas dhe Baletit ka nisur rrugëtimin artistik të këtij sezoni. Sezoni i ri i Teatrit të Operas dhe Baletit nisi me natën gala për dy nga mjeshtrat e këtij institucioni: Panajot Kanaçi dhe Tish Daija. Dy mbrëmjet dedikuar veprave madhore të dy artistëve ngjitën në skenë jo vetëm interpretues të rinj, por edhe këngëtarë si Aleksandër Gjoka e Kamela Islamaj. Koreografitë e Panajot Kanaçit e muzika e mjeshtrit Tish Daija ishin të parat vepra artistike që u ngjitën për këtë vit në Teatrin e Operas dhe Baletit, si një përkujtesë të thesareve që lanë pas dy mjeshtrat. Në skenë u ngjiten artistët e këtij institucioni, por edhe ikona si Lili Cingu, e cila këtë herë ka punuar me trupën e ansamblit për të rrëfyer sekretet e suksesit të saj ndër vite.

Neritana Kraja