Budizmi tibetian ose lamaizmi, është një degë e budizmit që është përhapur kryesisht në Tibet. Krahas Tibetit, budizmi tibetian gjendet gjithashtu në provincat kineze Qinghai, Sichuan, Gansu etj. ku banojnë banorë të kombësisë tibetiane, si edhe në Mongoli, Nepal, Butan, Indi, Rusi etj.

Historia e budizmit në Tibet filloi në mes të shekullit VII, kur mbreti tibetian Songzan Gambo u martua me princeshën nepaleze Bhrikuti Devi dhe princeshën e dinastisë Tang, Wen Cheng. Dy princeshat ishin besimtare të budizmit dhe ato sollën në Tibet statuja të Budës dhe shumë shkrime budiste. Nën ndikimin e tyre, Songzan Gambo u kthye në budist.

Në mes të shekullit të 8-të, budizmi u përhap nga India në Tibet. Në fund të shekullit të 10-të, u formua zyrtarisht budizmi tibetian, që në mes të shekullit të 13-të filloi të hyjë në rajonin mongol. Në kohën moderne, budizmi tibetian është përhapur më tej në krahinat e ndryshme të botës.

Gjatë procesit të zhvillimit, budizmi tibetian u nda në pesë sekte kryesore: “Gelug”, “Nyingma”, “Sakya”, “Bka'-brgyud” dhe “Bka'-gdems”, ndër të cilat “Gelug” ka ndikim më të madh.

Në dinastinë Qing (1636-1912), u formua sistemi i rimishërimit të katër budave të gjalla: Dalai Lama e Panchen Lama në Tibet dhe Zhang Jia e Jebtsundamba Khutuktu në Mongoli, duke shënuar lulëzimin e sektit “Gelug”.

Ndërtesa më e famshme e budizmit tibetian është Pallati “Potala” në Lhasë. Ky pallat u ndërtua nga Songzan Gambo për të pritur princeshën Wen Cheng. Pas rindërtimit në shekullin e 17-të, Pallati “Potala” u bë pallati dimëror i Dalai Lamës dhe qendra qeverisëse e Tibetit. Në vitin 1994, Pallati “Potala” u pranua në listën e trashëgimive kulturore botërore të UNESCO-s. (Foto nga VCG)