Të blesh suvenire si dhurata për familjen dhe miqtë dhe si kujtim nga vizita në një vend të caktuar është padyshim një nga aspektet më të bukura të udhëtimeve. Shqipëria ofron një larmi dhuratash turistike, të cilat mund tia dhuroni një miku të huaj, apo mund tia dhuroni një miku shqiptar që jeton në vend të huaj, si për ti kujtuar një copëz nga atdheu. Punimet artizanale me motive tradicionale shqiptare janë një ndër suvenirët më të pëlqyer nga turistët vendas dhe të huaj. Në Pazarin e Krujës, Gjirokastrës, por edhe në zonat turistike të Tiranës e Shkodrës gjen mjaft të tilla. Në Krujë, Shkodër apo Kukës ka ende sot zonja të cilat ruajnë me fanatizëm traditën e të punuarit të qilimave, qelesheve, veshjeve popullore etj., në mënyrë artizanale, duke ruajtur traditën dhe trashëguar këtë proces tek brezat e rinj. Sot punimet artizanale janë ndër më të preferuarat si dhurata. Por jo vetëm.

Në rubrikën tonë do ju tregojmë se cilat janë tre nga suveniret tradicionale më të pëlqyera si dhuratë për një mik.

Qilimiat

Qilimi është një nga suvenirët më të bukur. Shumëngjyrshmëria e tyre bashkë me format simetrike i bëjnë ata shumë të veçantë. Dikur kanë qenë shumë të përhapur dhe të përdorshëm në çdo shtëpi. Sot janë kthyer në një produkt luksi, kushtojnë shumë dhe përveç faktit se kanë filluar të përdoren në ambiente shtëpiake si kthim në Vintage, ato shërbejnë si dhuratë fantastike për një mik. Me kolorit shumë të pasur ngjyrash, me detaje dhe elemente tradicionale ku mbizotëron shqiponja e stilizuar, rombet dhe lulet, qilimat janë një dhuratë e lakmuar tradicionale për një mik. Nga ana tjetër, po kaq unike është edhe mënyra se si ata punohen. Po ku mund të blini qilima të tillë? Në vende si Krujë, Shkodër, Kukës, por edhe në Tiranë e Gjirokastër, mund të gjeni qilima të tillë, pasi gratë artizane të këtyre zonave e vijojnë traditën e trashëguar nga të parët. Përveç trojeve shqiptare, qilimat janë të pranishëm edhe në disa vende të Ballkanit, por gjithsesi qilimat shqiptarë shquhen për detajet kombëtare.

Vegla me të cilën enden qilimat quhet tezgjah. Procesi i punës për thurjen e tyre është i gjatë dhe i vështirë. Puna për bërjen e një qilimi nis me vizatimin teknik, që përcakton edhe modelin apo ngjyrat që do përdoren. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror nevojiten gati shtatë ditë dhe një punë intensive nga mëngjesi në mbrëmje. Për shkak të karakterit tradicional, estetikës së tyre, materialit të leshit që përdoret dhe vështirësisë gjatë procesit të prodhimit, qilimat janë ndër dhuratat më të preferuar, si për të huajt, ashtu edhe për shqiptarët. Një qilim I tillë nis nga 30 000 lekë. Por çmimi i tij varet edhe nga përmasat. Nëse ju duket shtrenjtë, mund ta reduktoni blerjen tuaj, në një copëz të vogël simbolike të cilën mund ta bleni me më pak lekë.

Konjak Skenderbeu

Konjaku “Skënderbeu” është një nga pijet më të famshme në vend. Ky lloj konjaku njihet anembanë botës dhe ofrohet për shitje në shishe të përmasave të ndryshme, kështu që ju mund të zgjidhni sipas dëshirës, por mos u largoni pa blerë një të tillë

Konjaku "Skënderbeu" është një pije alkoolike origjinale shqiptare me cilësi të mira organo-shqisore, prodhuar dhe degustuar për herë të parë më 1 shtator të vitit 1967. Konjaku është pije me cilësi të lartë, me karakter unik, i ëmbël dhe i pasur në shije. Konjakun e bën të vecantë procesi i prodhimit të tij. Konjaku "Skënderbeu" përgatitet, prodhohet dhe vjetrohet vetëm në kade, voza dhe fuçi të punuara me dru lisi, që i japin aromë, buketë dhe ngjyrë të veçantë. Në përbërje të tij ka raki rrushi të vjetëruar në dru lisi, ekstrakte bimësh mali (rënjë pelini), fruta të përpunuara, aroma limoni e kumbulle të zezë (tropojane), alkool etilik, mjaltë lulesh, ujë të zbutur etj.

Shishja e konjakut të famshëm ka ndërruar disa herë formë, nga më e thjeshta, deri tek e stilizuara në formën e nje shqiponjë. Konjaku është perfekt për një dhuratë apo kujtim. Konjaku i shkëlqyeshëm Skenderbeu konsiderohet si pija kombëtare e Shqipërisë. Kjo pije mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergi Kastrioti Skenderbeu, prandaj falë edhe emrit të tij, është një dhuratë mjaft përfaqësuese e traditës sonë shqiptare. Eshtë vlerësuar me mjaft çmime. Një shishe 500 ml kushton 750 lekë.

Çiftelia

Çiftelia është një instrument muzikor tradicional shqiptar me dy tela. Instrumenti e ka origjinën nga Shqipëria Veriore dhe Kosova. Turistët mund të gjejnë çifteli të përmasave të ndryshme, që shiten në pazaret vendase. Disa prej tyre janë të vogla dhe shërbejnë si objekte zbukurimi në shtëpi.

Çiftelia është një vegël muzikore me dy tela që luhet me pendë, prandaj quhet cifteli, domethënë cift (dy tela). Luhet nga malësorët e veiut të Shqipërisë si dhe nga shqiptarët e Kosovës dhe Malit të Zi. Historiskisht përdorej nga rapsodë, sot përdoret nëpër dasma dhe koncerte si kthim në traditë. Zakonisht punohet prej drurit të arrës dhe prej drurit të qershisë dhe përgatitet nga gdhendësit e drurit. Sipas traditës, çdo shtëpi malësori, kishte një të tillë e cila varej në mur dhe me të këndohej në raste gëzimesh dhe kur vinte miku në shtëpi.

Sot është shumë e preferuar si dhuratë tradicionale ose si suvenir për ta marrë nga Shqipëria. Çmimi i saj fillon nga 16 euro. Por në varësi të madhësisë, kohës kur është prodhuar dhe cilësisë së tingullit, ajo mund të shkojë edhe në 300 euro.

Mund t’i blini të gatshme në dyqanet e suvenireve, por edhe mund t’I porosisni të personalizuara, ku të keni shkruar emrin e personit të cilit do ia dhuroni. Pothujse gjithmonë, ato kanë të gdhenduar një shqiponjë.

Neritana Kraja