“Në Kërkim të Artit” është ekspozita që artisti Helidon Gjergji, ka hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD). Helidon Gjergji, është një piktor bashkëkohor, i cili zhvillon aktivitetin e tij në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara. Helidon Gjergji u largua nga Shqipëria në vitin 1991 drejt Italisë, por arti e risjell sërish e sërish në atdhe, sikundër edhe me këtë ekspozitë të fundit.

Janë disa veprat që përbëjnë ekspozitën, titulluar “Në kërkim të artit” dhe secila prej tyre, në dukje e thjeshtë, është njëkohësisht komplekse dhe na fton që ne të bëhemi kërkues të artit të vetë artistit. Drejtoresha e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Eridana Çano u shpreh në fjalën e saj se, Helidon Gjergji, është një artist multidimensional. Edhe pse veprat e Helidonit kanë individualitetin e tyre unikal dhe mund të identifikohen lehtë nga artdashësit, kjo ekspozitë ka qenë një befasi e përditshme, jo vetëm për subjektin e përzgjedhur, por edhe për vetë zhvillimin e saj. Në fjalën e saj, drejtoresha e COD nënvizoi faktin se Gjergji me artin e tij, ka arritur të provokojë në një mënyrë shumë origjinale.

“Në kërkim të artit në përditshmërinë tonë përmes mediumeve që secili prej nesh zotëron, puna e Helidonit ka hetuar vazhdimisht brishtësinë e kufijve midis medias dhe vetvetes. Ndoshta për këtë arsye dhe provokon, ashtu siç arti në fakt duhet të veprojë, duke na prekur të gjithëve pa përjashtim”, tha Çano.

Rasti i piktorit Helidon Gjergji është i veçantë, sikundër edhe punët e tij. Në përditshëmrinë e tij, ai është një artist që refuzon që të jetë i pranishëm në median sociale. Por nga ana tjetër ai e koncepton artin e tij mbi vrullin e like-ve dhe popullaritetit virtual, por duke qëndruar në realitet larg tyre. E gjithë kjo përvojë për publikun është një kërkim këmbëngulës që na fton të fantazojmë apo të interpretojmë. Në promovimin e ekspozitës fjalën e mori edhe piktori Helidon Gjergji, i cili, bashkë me falenderimet dha disa indikacione për punët e prezantuara prej tij.

“Vendosa të ftoj 5 artistë të rinj që janë këtu me ne. Dhe ata janë artistët e vërtetë të ekspozitës, sepse i dhanë atë që ekspozitës i mungonte. Sepse ekspozita është mbi internetin, mbi ftohtësinë e internetit, mbi kaosin që gjendet mbi internet. Këta fëmijë erdhën dhe brenda 3 orësh, nuk kishin akses në internet, as në media sociale në asgjë dhe i bëra një pyetje të thjeshtë. Si mund të bëjmë një mace? Këta fëmijë i dhanë përgjigjen e vërtetë që i dha edhe kuptimin e vërtetë ekspozitës. Prandaj kryesisht faleminderit këtyre 5 bashkëpunëtorëve”, u shpreh piktori Helidon Gjergji.

Ekspozita lidhet me temën e internetit, sesi interneti ndikon në jetën tonë të përditshme. Interneti është si një çadër që na mbulon kudo ku shkojmë. Intriga e ekspozitës ishte se çfarë do të ndodhë nëse shkëputet interneti, qoftë për një moment. Prandaj i ftuam fëmijët, të cilët nuk kishin as celular e asgjë tjetër, për të bërë një vizatim, përshëmbull një mace, një gjë shumë e thjeshtë. Dhe këta fëmijë krijuan punë të mrekullueshme. E vizatuan macen pa ndikimin e internetit.

Gjergji thotë se interneti ka një anë të errët, e cila e dëmton shumë njeriun. Nëse ne kërkojmë diçka në internet dhe nuk jemi profesionistë të fushës, do të bombardohemi nga informacione që në fakt na dizinformojnë. Në fushën e pikturës, ku e shtrin aktivitetin Gjergji, ti mund të mësosh se si pikturohet pesh një mace, duke ndjekur të gjitha etapat, por njëkohësisht ke hequr dorë nga imagjinata, prandaj ajo çfarë ti po pikturon është thjesht mekanikë. Ata fëmijë krijuan gjëra të mrekullueshme, me papërsosmërinë e tyre, arritën të krijonin përsosmërinë.

Për artistin Helidon Gjergji kjo eksperiencë ishte shumë intersante. Në fakt ideja për të hapur një ekspozitë të tillë, ka ekzistuar prej më shumë se një viti, por për shkak të pandemisë, u shty hapja e saj në kohë. COD -i duke qenë edhe zyra e kryeministrit dhe një vend shumë politik, persupozohet të jetë një vend ku mund të hasësh pengesa politike, por sipas Gjergjit, kishte një pavarësi shumë të madhe, se si funksiononin gjërat dhe kjo gjë krijoi një lehtësi të madhe për krijuesin.

Kjo ekspozitë kishte vështirësitë e saj. Gjergji thotë se eksozita ishte shumë e komplikuar, pasi u prodhua e tëra në COD brenda një kohe të shkurtër dhe kishte të papriturat e veta: kishte murale, kolazh, fotografi, etj dhe përveç parafytyrimit të artistit, duke qenë një punë e ngritur aty për aty, në disa orë, edhe për atë vetë ka qenë e papritur finalja e saj.

Prej kohësh COD ka qenë strehë e shumë artistëve që kanë hapur ekspozitat në ambientet e kryeministrisë. I pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Helidon Gjergji është larguar nga Shqipëria kur ishte student i vitit të tretë tek artet, në fillim të viteve ‘90. Një mundësi për të shkuar në Itali, i krijoi atij mundësinë ta fillonte shkollën e arteve edhe një herë nga fillimi, ku do të njihej për herë të parë me diçka krejt të re. Prej 25 vitesh jeton e punon në Amerikë, pa i ndarë asnjëherë marrëdhëniet nga Shqipëria. Shqipërinë ai e konsideron si vendin e një frymëmarrje të pastër për të cilën ka nevojë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në më 5 mars dhe po vizitohet nga shumë vizitorë.

Neritana Kraja