“Fan Noli poliedrik”, konferencë shkencore në Akademinë e Shkencave

“Fan Noli poliedrik” titullohej konferenca shkencore e organizuar sot nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 140-vjetorit të lindjes së Nolit dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në konferencë ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe studiues, akademikë e profesorë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “Fan Noli është një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë historia shqiptare. Personalitete me formim enciklopedik dhe me gjurmë të pashlyera në dhjetëra fusha krijimtarie, veprimtarie dhe shërbimi, si ai i Fan Nolit, janë të papërsëritshëm dhe shfaqen në horizontet e kulturës dhe të mendimit kombëtar shumë rrallë”.

Pas këtij vlerësimi, akad. Gjinushi vuri në dijeni se gjatë këtij viti Akademia e Shkencave do të organizojë një varg veprimtarish në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, që do të shpallet së afërmi.

Hamami në Durrës, së shpejti i aksesueshëm për turistët

Hamami në Durrës, monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë I, është një tjetër objekt i rëndësishëm kulturor, i cili pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i vitit 2019. Programi EU4Culture bën të ditur se së shpejti Hamami do të jetë i arritshëm për komunitetin dhe turistët falë ndërhyrjeve të EU4Culture.

Ndërhyrjet do të përfshijnë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital. Në qendër të kompozimit planimetrik të Hamamit ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike. Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tri dritare të tjera të rrumbullakëta, çka plotëson ndriçimin e dhomës.

Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje. Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes.

Njoftimet e para për banjat mesjetare në vendin tonë, si në Elbasan, Berat apo Gjirokastër, jepen nga kronisti turk Evlija Çelebiu në shekullin e 17-të. Banja mesjetare e Durrësit duhet të jetë ndërtuar më vonë.

EU4Culture ka ndarë edhe disa imazhe se si do të duket ky objekt pas punimeve të planifikuara.

Përfundon faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit

Ka përfunduar faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit, në hapësirat e ish-Kinostudios, me fonde të Bashkimit Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se po punohet për fazën e dytë me fonde të buxhetit të shtetit.

“Ka përfunduar faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit, në hapësirat e ish-Kinostudios, me fonde të Bashkimit Evropian. Po punojmë për fazën e dytë, me fonde të buxhetit të shtetit, për t’ia kthyer këtë zonë komunitetit të artistëve dhe atij lokal”, shprehet Margariti. Projekti mbulon mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme. Ky park do të shërbejë jo vetëm si zonë për artin, por edhe për punësimin e artistëve.

Parku i Artit, do ta kthejë hapësirën publike rreth Kinostudios në shërbim të artit dhe komunitetit, duke i dhënë zonës një zhvillim të madh.

Ndahen çmimet “Konkursi 2022”

Etleva Hamitaj me foton me titull “Lëpushë” u shpall fituese e kategorisë “Fotografia e vitit” në “Konkursi 2022”, një nismë e Kryeministrit Edi Rama e nisur në dhjetor të vitit të kaluar.

Fitues i vendit të dytë u shpall Ervin Shehaj me foton me titull “Gjuetarët e mbeturinave”, ndërsa çmimi i tretë iu dha Lorena Sulajt me foton “Të njohësh përtej maskës”. Ndërsa çmimi i publikut, për foton që është votuar më shumë online, u shpall Kejsi Markola, e cila ka fiksuar një fotografi në malin e Dejës.

Çmimet u ndanë në një ceremoni të zhvilluar në Qendrën për Hapje dhe Dialog, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “sot mund të shpërblejmë simbolikisht me çmime fituesit e këtij konkursi. Është një kënaqësi e veçantë që një ftesë spontane times, kaq shumë njerëz iu përgjigjën pozitivisht. Ju falënderoj ju që jeni këtu dhe morët pjesë në konkurs, me shpresën që ky konkurs të bëhet traditë dhe sa më shumë njerëz të marrin pjesë në të”.

Përgatiti: Neritana Kraja