Gjirokastra është vendi ideal për t’u vizituar jo vetëm për natyrën, e trashëgiminë kulturore, por edhe për kuzhinën tradicionale. Në bujtinat e ndryshme do të gjeni ende gjurmë të traditave të vjetra të recetave të gatimit, por edhe mundësi për ture degustimi, të cilat do ju ofrojnë një eksperiencë të paharrueshme. Prandaj, nëse keni dëshirë të provoni diçka të re, në një qytet të cilin e keni vizituar disa herë, ne po propozojmë, të provoni një tur degustimi të pijeve dhe të ushqimit. Konkretisht ju propozojmë Turin e degustimit të rakisë dhe njohjen me kulinarinë gjirokastrite. Gjatë këtij turi do të keni mundësi të degustoni 5 lloje rakish artizanale dhe djathrash të zones, rregjur në vaj ulliri dhe erza, shoqëruar nga glikotë e ndryshme, likeret me fruta dhe çajrat e malit. Të gjitha shoqëruar me histori dhe rite lokale.

Në zemër të pazarit karakteristik do të keni mundësi të njiheni me traditën e kulinarisë Gjirokastrite, produktet bazë, zahiretë e dimrit, çajrat dhe erzat e malit. Padiskutim rakia është mbretëresha e haresë dhe gazit në Shqiperi e sidomos ne jug të saj. Siç e ka përshkruar edhe Fan Noli në një letër të 1919-ës: “Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qenka ilaç me të vërtetë”.

Dimë se përmbajtja e zakonshme e alkoolit tek rakia është 35%. Por rakia e bërë në shtëpi dhe e shërbyer në turin që po promovojmë, është shpërthyese: 45%! Ndoshta sepse të djeg më shumë se një spec djegës i kuq i tharë, disa njerëz e mbyllin marrëdhënien me rakinë sapo e kanë provuar për herë të parë. Ju do të degustoni 5 lloje rakish, të prodhuar nga fruta të ndryshme, që nga ajo me e zakonshmja, që bëhet nga rrushi i shtëpisë deri tek ajo më e veçanta, me dëllinjë të zezë të malit, e cila do tju lëjë shijen e pyllit dhe tokës njëkohësisht. Këto shoqëruar nga djathrat e zones, që spërkaten me vaj ulliri dhe erza, likeret e ëmbla, glikotë me fruta dhe pa lënë pas çajrat e egër të malit çajup, çdo gjë e bërë në mënyrë artizanale nga fermëret e zonës, amvisat apo nikoqiret gjirokastrite.

Të gjitha këto janë të shoqëruara me histori e rite lokale, dhe ju do të mund të ngrini dolli e të bëheni dollibash dhe pse jo do tja merni edhe këngës: “Moj rakia bukuroshe, që më çon qoshe më qoshe”. Ky tur degustimi, që ju fton në skutat e traditës gjirokastrite, duhet prenotuar të paktën 3 orë përpara. Turi zgjat 1 orë dhe kushton 5 mijë lekë. Grupet kanë një numër nga 3 persona deri në 15 persona.

Por, kultura e kuzhinës gjiroakstrite, është shumë më e gjërë se kaq. Tradita e sofrës është një traditë e përcjellë me breza, jo vetëm në tryezat e qytetit të gurtë, por edhe në zona përreth. Kuzhina gjirokastrite është shumë e pasur në elementët e saj të gatimit dhe shijeve të ndryshme., si qifqitë, sarmat, shapkatin e shumë të tjera. Ne ju propozojmë që ti provoni të gjitha:

Qifqitë

Qifqitë janë një gatim tradicional i zonës së Gjirokastrës. Të veçanta për emrin e tyre, janë edhe po aq interesante për mënyrën e përgatitjes. Si një gatim karakteristik i kësaj zone, ato janë pjesë e pandarë e tavolinës gjirokastrite. Sipas traditës qifqitë gatuhen në tigan me gropa dhe përbërësit e saj janë oriz, vezë, djathë të bardhë, miell, vaj, mente, piper i zi dhe kripë. Zakoni e do që kjo recetë të gatuhet në ditë të veçanta si festat e fundvitit, kur lind nusja, apo edhe kur vijnë miqtë, për t’i respektuar më shumë. Qifqi, pjatë tradicionale Shqiptare, foto nga IntoAlbania

Pasha qofte

Nëse kaloni një herë në Gjirokastër, mos u largoni pa provuar pasha qoften e njohur të kësaj zone. Quhet kështu sepse gatuhej për Ali Pashë Tepelenën dhe përbërja është qofte orizi me mish, të gatuara në salcë të bardhë ose të kuqe. Është e thjeshtë në përgatitje, por plot shije në konsumim, jo më kot ka qenë edhe e preferuara e Ali Pashës. Receta e cila brez pas brezi lartëson me shijen e saj çdo sofër e tryezë shqiptare.

Shapkat

Shapkat është një tjetër recetë e njohur e kësaj zone, e cila njihet ndryshe si lakror me miell misri ose pispili. Është një recetë tipike e amvisave gjirokastrite e cila ruhet brez pas brezi dhe sillet plot shije edhe në ditët e sotme. Shapkati përgatitet me lakra të egra, spinaq apo presh e qepë të njoma.

Sarma

Me ndryshimin e stinës edhe gatimet e amvisave gjirokastrite janë më të larmishme. Sidomos me ardhjen e pranverës menuja është më e pasur. Pjesë e gatimeve të kësaj stine dhe që gjirokastritët krenohen janë edhe sarmat. Përbërja e tyre është nga fletët e harrdhive të rrushit, orizit si edhe me mishin e çokanisur, të prerë hollë. Në ditët e sotme bëhët me mish të grirë, por sipas traditës së vjetër gjyshet e përgatisnin me tulin e mishit, të cilin e prisnin në copa të vogla. Sekreti i kësaj recetë është pikërisht tek vendosja e përbërësve në fletët e rrushit në mënyrë të tillë që ato të mos prishen. Pavarësisht se një gatim sezonal, zonjat kujdeseshin që t’i konservonin fletet e hardhisë dhe këtë gatim karakteristik e të shijshëm ta servirnin edhe në stinën e dimrit.

Karkanaqe

Karkanaqe është një recetë e cila gjen vend në sofrat gjirokastrite, jo vetëm për festën e Pashkës, por edhe në të dielat familjare. Ajo është një recetë e vjetër e qytetit të gurtë, që ngjasojnë me gurabijet apo ballokumet, por me një shije tjetër dhe të veçantë.

Qofte të rreme ose ndryshe Bobollaqe

Quhen qofte të rreme se kanë formën e qofteve, por nuk janë të tilla. Sipas zakoneve të vjetra bobollaqet konsumoheshin për gëzimet familjare dhe kryesisht në mbarim të dasmës, për të shuar etjen e pijes së dasmorëve. Ato përgatiten njësoj si brumi i byrekut duke shtuar vezë, djathë dhe nenexhik. Të shijshme dhe ekonomike ato mund të përdoren në çdo stinë.Aromat mbresëlënëse të këtyre gatimeve e kanë shndërruar kuzhinën tradicionale ndër më të preferuarat të turistëve.

Neritana Kraja