Ukrainasja Nika, vullnetarja në Qendrën Mediatike kryesore të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 /foto nga VCG

“Për çdo vullnetar, shërbimi për Lojërat Olimpike është ëndrra më e madhe. Shpresoj se puna ime e tanishme mund të shërbejë si një urë e shkëmbimeve ndërkombëtare.” Gjatë një inverviste ditët e fundit për Grupin Mediatik të Kinës, vajza ukrainase Nika foli për “ëndrrën e vogël” të saj.

22-vjeçarja Nika është e vetmja vullnetare e huaj në Qendrën Mediatike kryesore të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Ajo ka jetuar në Kinë për nëntë vjet dhe thotë se është mësuar me zhvillimin e vrullshëm dhe lehtësirat e jetesës në këtë vend.

Në terrenet e fshatrat e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, shihen kudo vullnetarë me pasion ashtu si Nika. Puna e rekruimit të vullnetarëve në mbarë globin për Olimpiadën Dimërore të Pekinit nisi në vitin 2019. Mbi 460 mijë veta u regjistruan gjatë vetëm katër ditëve. Kjo është një pasqyrë e konceptit të hapjes të Kinës në organizimin e Olimpiadës dhe gjithashtu dëshmon forcën tërheqëse të “Kinës së hapur”.

Qysh nga viti 2015, kur fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, Kina filloi të mësojë nga përvoja e organizimit të veprimtarive olimpike dimërore e vendeve të tjera dhe ka zbatuar konceptin e hapjes në tërë procesin e punëve përgatitore. Vitet e fundit, Komiteti Organizator i Olimpiadës Dimërore të Pekinit (BOCOG) ftoi 37 ekspertë të huajë dhe 207 teknikë të huaj profesionistë në punët përgatitore.

Bernhard Russi, i pari ekspert i huaj i ftuar për “Pekin 2022”

Bernhard Russi, kryetari i Komitetit të Skive Alpine pranë Federatës Ndërkombëtare të Skive, ishte i pari ekspert i huaj i ftuar për “Pekin 2022”. Gjatë 7 vjetëve ai, së bashku me grupin përgatitor, kërkuan pistat e përshtatshme në male, përcaktuan projektet e dizenjimit të objekteve, diskutuan për ndërtimin e teleferikëve dhe planifikuan transportin në zonat e konkurrimit. Russi ka dëshmuar tërë procesin e ndërtimit të Qendrës Kombëtare të Skive Alpine në malin Xiaohaituo të distriktit Yanqing në veri të Pekinit, që është nga objektet sportive me vështirësinë më të madhe të ndërtimit.

Jung Du Hwan është tjetër ekspert i ftuar nga Koreja e Jugut. Në vitin 2018, pasi përfundoi Olimpiada Dimërore e Pyeongchang-ut, BOCOG shkoi në Korenë e Jugut për rekruimin e ekspertëve të huaj. Jung, që ka përvojë të pasur në menaxhimin e pistave të skive, paraqiti kërkesën menjëherë dhe kaloi me sukses provimuin. “Ushqej pasion për Olimpiadën, prandaj kam shumë dëshirë të merrem me punët përkatëse të Olimpiadës. Koncepti i hapjes i Olimpiadës Dimërore të Pekinit më dha një rast shumë të çmuar,” vë në dukje ai.

Në një artikull të publikuar ditët e fundit, studiuesi pakistanez Shakeel Ahmad Ramay komentoi: “Për të siguruar hapjen e gjithanshme, Kina ka krijuar një kornizë krejt të re, që e gjithë bashkësia ndërkombëtare të ketë mundësi të marrë pjesë bashkërisht.”

Qendra Kombëtare e Skive Alpine në malin Xiaohaituo të distriktit Yanqing në veri të Pekinit/ foto nga "Beijing Daily"

Qendra Kombëtare e Skive Alpine në malin Xiaohaituo të distriktit Yanqing në veri të Pekinit/ foto nga "Beijing Daily"

Olimpiada Dimërore është bërë edhe nxitëse e hapjes së mëtejshme të Kinës. Sipas Planit të Sporteve Dimërore (2016-2025), deri në vitin 2025, industria e sporteve dimërore e Kinës do të arrijë një vëllim prej 1 trilion juanësh. Duke shfrytëzuar Olimpiadën Dimërore të Pekinit, shumë kompani të huaja po “hipin në trenin e shpejtë” të zhvillimit të sporteve dimërore në Kinë.

Në qytetin Zhangjiakou, një nga zonat e konkurrimit të Olimpiadës Dimërore 2022, deri në fund të vitit 2021 u nënshkruan 54 projekte për kërkim-zhvillimin e pajisjeve të sporteve dimërore. Kompania franceze e teleferikëve MND, simotra e saj zvicerane BMF, prodhuesi italian i borës artificiale “TechnoAlpin”, etj., kanë investuar në Zhangjiakou dhe kanë nisur prodhimin.

Qendra Kombëare e Patinazhit të Shpejtësisë/ foto nga Xinhua

Qendra Kombëare e Patinazhit të Shpejtësisë/ foto nga Xinhua

Olimpiada Dimërore e Pekinit ka sjellë raste të shumta zhvillimi edhe për industrinë botërore të sporteve dimërore. Lidhur me këtë, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach vlerësoi se Olimpiada Dimërore e Pekinit do t’i japë botës trashëgimi të pasura. P.sh., falë kësaj veprimtarie olimpike, mbi 300 milionë kinezë po marrin pjesë në sportet dimërore dhe kjo shënon një epokë të re në sportet dimërore globale.

Olimpiada Dimërore e Pekinit është jo vetëm një veprimtari e madhe sportive, por edhe një platformë e shkëmbimeve ndërmjet kulturave e qytetërimeve. Ajo pasqyron jo vetëm vendosmërinë dhe përpjekjet e Kinës për të “përqafuar” botën, por edhe për të ecur, ashtu siç thuhet në moton e “Pekin 2022”: “Së bashku për të ardhmen!” me botën. (Wang Lei/ Artan)