Janë thesare të maleve të Shqipërisë. Kanë shije dhe vlera unike që rigjenerojnë trupin dhe vitalizojnë organizmin. Janë tre çajra unikë që Shqipëria ka fatin t’i ketë. Sot do ju njohim me tre çajra të shijshëm dhe mirëbërës:çaji i malit, i blirit dhe sherebelës. Do të flasim për vlerat fantastike të këtyre bimëve për shëndetin dhe mënyrën si të përgatisni çajin magjik.

Çaji i malit

Çdo i huaj që vjen në shqipëri konstaton se çaji i malit është një pije që pihet në sasi të mëdha si në mënyrë rekreative ashtu edhe terapeutike. Ky çaj përbëhet nga lule të thata të zgjedhura me duar, gjethe dhe kërcell të bimës Sideritis, të cilat rriten në të gjithë rajonet malore të Ballkanit. Bima specifike gjendet në shpatet shkëmbore në lartësi shumë të larta mbi 1000 metra. Sipas studiuesve, gjinia Sideritis përfshin mbi 150 specie të disponueshme. Për të mos u ngatërruar me çajin e rregullt të pasur me polifenol dhe kafeinë, ky çaj ka një aromë të ëmbël, lulesh dhe tokësore dhe është pa kafeinë.

Shumë vite më parë, çaji përdorej zakonisht për të trajtuar plagët – veçanërisht ato nga shpatat e thepisura. Në ditët e sotme, bima konsumohet më së shumti në çaj, por edhe vajrat e prodhuara prej saj përdoren në një shumëllojshmëri të ilaçeve bimore dhe produkteve kozmetike në të gjithë rajonin. Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të bimës ka qenë padyshim diapazoni i gjerë i përfitimeve shëndetësore. Që nga antikiteti, çaji i malit konsiderohej si një ilaç për ftohjet, dhimbjet, alergjitë, tretjen e ushqimit, problemet e frymëmarrjes dhe forcimin e imunitetit. Të gjitha këto pretendime u verifikuan edhe shkencërisht: disa studime kanë konfirmuar se çaji i malit është i mbushur me flavonoide dhe antioksidantë për uljen e presionit të lartë të gjakut.

Çaji i Malit është një nga produktet më të kërkuara nga shqiptarët kudo që ata jetojnë. Zakoni i shqiptarëve është grumbullimi dhe blerja e sasive të mëdha të çajit të malit gjatë verës dhe fillim vjeshtës, për ta përdorur deri në pranverë. Përgatitja e çajit shqiptar të malit kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës. Ju mund t’i hidhni ato në ujë të nxehtë dhe të ulni temperaturën, duke mundësuar zierjen e lëngut për 5 deri në 10 minuta. Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë, qumësht ose limon sipas dëshirës.

Lulebliri

Lulet e blirit që prej lashtësisë njiheshin si lulet ku fshihen rrezet e diellit. Gjethet e kësaj peme lulëzojnë prej fillimit të pranverës e deri në vjeshtë. Rritet në pyje, shkurre dhe sidomos në zonat e dushkut dhe të ahut. Në Shqipëri, aromën dehëse të blirit do ta ndjeni edhe në rrugët e qyteteve kryesisht në Peshkopi, Shkodër, Elbasan apo Tiranë. Kjo pemë kërkon toka të pasura dhe të thella. Rritet dhe e kultivuar pothuajse kudo.

Në Shqipëri gjendet bliri fletëgjerë dhe bliri gjethevogël ose bli mali.Qershori është muaji më i mirë për të mbledhur lulet e blirit. Në treg ose në farmaci mund të gjeni paketime 70 gramëshe me lule bliri që kushtojnë edhe më shumë se 200 lekë. Familjet shqiptare tradicionalisht e kanë përdorur çajin e blirit pasi i kanë njohur mirë vetitë shëqruese të tij. Aroma e këtij çaji është depërtuese dhe na sjell në kujtesë dimrin, pasi bashkë me çajin e malit, është caji më përfaqësues i traditës së çajrave.Ngjyra e tij e kuqe dhe aroma e mirë e bëjnë një çaj shumë të dashur.

Bliri është një pemë së cilës i përdoren vetëm lulet. Lulet e blirit duhet të mblidhen në mëngjes kur është tharë vesa, në kohë të thatë dhe me diell. Në shumicën e rasteve lulet e blirit mblidhen të plota dhe mblidhen duke i këputur me gërshërë. Pas vjeljes, ato duhet të hidhen në një kuti prej letre ose në një beze në mënyrë që të kenë ajrosje të vazhdueshme dhe lihen të thahen në hije.

Gjatë vjeljes duhet patur kujdes në mënyrë që të mos dëmtohen degët e bimës, apo gjethet e vogla që janë në zhvillim. Tharja e luleve të blirit si bimë mjekësore dhe aromatike është një proces i cili vjen pas grumbullimit të tyre. Tharja duhet të bëhet në mënyrë të menjëhershme, në mënyrë që të mos humbasin vlerat e tyre si dhe ngjyra natyrale e bimëve. Tharja e luleve të blirit është e këshillueshme të bëhet në kohë me diell dhe në hije. Tharja natyrale realizohet në temperatura normale, në kohë me diell nëpër garazhe apo tarracat e shtëpive.

Çaji me lulebliri ka shumë efekte pozitive në shëndetin e njeriut, por lulja e blirit jep sidomos një kontribut të veçantë në luftimin e simptomave të të ftohtit, gripit, inflamacionit në gojë dhe traktin respirator. Çaji i lules së blirit të ndihmon edhe me kollën dhe fytin e trazuar, duke u kthyer kështu një kërcënim të vërtetë për këto simptoma dhe duke i dhënë fuqi sistemit imunitar.

Mënyra e përdorimit: Merret një lugë e vogël nga gjethet e thara dhe shtohet në një gotë ujë të vluar, mbulohet dhe lihet për 5-10 minuta, pastaj filtrohet dhe pihet 2-3 herë në ditë. Mund të ëmbëlsohet me pak mjalt blete.

Sherebela

Sherebela është një shkurre e vogël e viseve të ngrohta bregdetare, përherë e gjelbër, me gjethe vezake ose heshtake, të mbuluara me push ngjyrë hiri e me një erë të veçantë, e cila përdoret në mjekësinë popullore, në industrinë farmaceutike etj.Ajo është një bimë aromatike që njihet me emrin shkencor “salvia officinalis” dhe e ka prejardhjen nga “salus salvus”(sono a salvo) që në latinisht do të thotë “shëndet të mirë”.

Në Shqipëri sherebela është një kulturë me shumë rëndësi. Natyra na ka bekuar me këtë bimë medicinale endemike, duke e pasur me bollëk kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës.Çaji i sherebelës është për këtë arsye një burim i fuqishëm me antioksidantë, që ndihmon për t’i mbajtur larg efektet shkatërruese të radikaleve të lira. Përbërësit fenolikë të sherebelës sigurojnë vlera antioksidante, të cilat mbrojnë ADN-në nga dëmtimet.Efektet antioksiduese të çajit të sherebelës përmirësojnë funksionet jetësore të mëlçisë. Çaji i sherebelës ndihmon në reduktimin e ankthit dhe në përmirësimin e humorit.

Çaji i sherebelës është shumë i mirë për uljen e temperaturës dhe të ftohtët, për zbutjen e acarimit të fytit, dhimbjen e kokës si dhe për problemet e tretjes. Përgatitja e këtij çaji kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës. Ju duhen 5-6 gjethe sherebele Hidhini në ujë të nxehtë ato duke mundësuar zierjen e lëngut për pesë deri në 10 minuta. Shija e këtij çaji është tokësore, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre. Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë, qumësht ose limon sipas dëshirës.