“Tinka Kurti - Ditari i një bashkëshorti” është një botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i sjellë me shumë finesë për lexuesin nga autorja Anila Mema. Është një ditar i rrallë, me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë deri 40 vjet më parë nga jeta skenike e aktores së famshme shqiptare, e shoqëruar edhe me fotografi origjinale. Por, ky botim i rrallë bëhet edhe më i veçantë për faktin se është ditar i mbajtur nga i shoqi i aktores “Nderi i Kombit”, Tinka Kurti.

Aktorja gjatë promovimit të librit - foto Ministria e Kulturës

Aktorja gjatë promovimit të librit - foto Ministria e Kulturës

Pas çdo shfaqjeje Tinka Kurti nuk merrte vetëm duartrokitjet, por edhe kritikat, opinionin dhe padiskutim mbresat e bashkëshortit. Në mbrëmje, në fund të çdo premiere, ai ulej e bisedonte me të për emocionet e shfaqjes dhe për karakteristikat e rolit. Ajo fillonte të fliste, ai shkruante.

Bashkëshorti i saj, një njeri fisnik e aristokrat në shpirt u ul e mbajti ditarin e jetës së artistes, me vullnet të pashoq dhe me largpamësi, duke ditur se vite me vonë shkrimet e tij do të merrnin tjetër peshë.

Është një ditar i rrallë në llojin e vetë, i cili na njeh me ç’ka ndodhte pas kuintave, në dhoma artistësh, në qoshka të errëta a hapësira mes perdesh, nga ku aktori përgjon sesi reagon publiku me interpretimin në skenë. Ky ditar është një gërshetim prej shpirti e fryme, një përzierje e plotë ndjesie, madhështie, sinqeriteti, emocioni, dëshire, përjetësie, pikëllimi, suksesi dhe dështimi.

Faksimilet janë të shkurtra e të ngjeshura, të cilat mund të lexohen veçmas në çdo rast pa u ndikuar nga njëra – tjetra.

Në çdo fjalë të shkruar nuk njihemi vetëm me Tinkën aktore, por sheh një panoramë të çdo projeksioni artistik ku ajo ka marrë pjesë. Rrëfimet që pasojnë njëra – tjetrën, të ftojnë nga një hapësirë në një tjetër të re në një botë që duket se ka ekzistuar vetëm në imagjinata dramaturgësh a skenaristësh.

Libri u promovua në një ceremoni ku merrte pjesë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj si dhe miq të shumtë të artistes.

Ministrja Elva Margariti me aktoren Tinka Kurti - foto Ministria e kulturës

Ministrja Elva Margariti me aktoren Tinka Kurti - foto Ministria e kulturës

Me këtë botim kemi në duar një libër që ka brenda vetes kaq shumë histori, dashuri, pasion, ndjesi personale. Libri është një guidë për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit, për të gjithë adhuruesit e aktores, por edhe ndjekësit e kinematografisë, që janë rritur me rolet e aktores Tinka Kurti dhe një plejade të tërë aktorësh të tjerë të pamoshë.

Autorja e botimit, gazetarja Anila Mema, tregoi se është një ditar i rrallë në llojin e vet, një gërshetim prej shpirti e fryme, një përzierje e plotë ndjesie, madhështie, sinqeriteti, emocioni, dëshire, përjetësie, pikëllimi, intimiteti, suksesi a dështimi. “Përmes këtij libri do ta njohim Tinkën tonë, në një tjetër dimension, në dimensionin njerëzor, atë të njeriut - artist, me të pathënat e saj, me përjetime e ndjesi të thella, me dëshmi e rrëfime të sinqerta, e të pazbukuruara, për të treguar jetën… atë jetën e paskuintave që spektatori nuk e sheh dhe e as nuk e di çfarë fsheh. Janë dëshmi të vyera që vijnë në formën e ditarit, dhe kanë nisur të shkruhen që 70 vjet më parë dhe meritë për këtë thesar, ka vetëm një njeri- i shoqi i artistes sonë, Palokë Kurti”, tha Mema.

Aktorja Tinka Kurti

Aktorja Tinka Kurti

Palokë Kurti e ka mbajtur ditarin e jetës së artistes sonë, me vullnet të pashoq dhe me largpamësi, duke e ditur se vite më vonë, shkrimet e tij do të merrnin tjetër peshë. Ka shkruar për pjesën më të madhe të roleve të hershme, ato role të realizuara gjatë viteve të para të karrierës së saj, që nga vitit 1950 kur u bë pjesë e shfaqjes “Përmbysja” në Teatrin Migjeni të Shkodrës, e deri në vitin 1990 në shfaqjen “Franku V”.

“Ditari i një bashkëshorti” është një ditar që flet qartazi në mënyrë kronologjike për çdo rol, skene a filmi ku ka luajtur “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, një titull ky që preferon më shumë nga gjithë të tjerët. Publikimi i kësaj vepre është mbështetur nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës dhe Union Bank, Qendra Steps.

I publikuar këtë fillimviti edhe si një urim për datëlindjen e aktores që mbetet një gur themeli në Teatrin e kinemanë shqiptare, ministrja Margariti e ka vlerësuar aktoren për kontributin e dhënë. Mirënjohja nuk mungoi as nga kryebashkiaku Veliaj.

Aktorja gjatë ceremonisë - foto Ministria e Kulturës

Aktorja gjatë ceremonisë - foto Ministria e Kulturës

Aktorja Tinka Kurti vlerësoi secilin prej atyre që kontribuuan për realizimin e botimit. “Ju falenderoj për këtë mrekulli që keni bërë! Nuk e kisha menduar kurrë se do të bënit një mrekulli kaq të madhe”, u shpreh ylli i skenës dhe kinematografisë shqiptare.

Aktorja Tinka Kurti u lind më 17 dhjetor në 1932 në Sarajevë dhe që atëherë ajo ruan një karrierë të gjatë artistike, ku në 60 vite numëron mbi 50 filma artistike dhe mbi 150 shfaqje në skenën teatrore .

Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit. Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin XI të mbajtur prej 23 deri në 27 prill 2000 në Tiranë iu dha Çmimi i Madh i Karrierës. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961. Për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.

Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Neritana Kraja