Nëse keni vendosur që një nga fundjavat tuaja të dimrit t’ia dedikoni Dardhës, keni marrë një vendim të shkëlqyer. Dardha është një destinacion i vjetër turistik dhe mjaft i dashur për shqiptarët. Sa herë që flitet për të, kemi çfarë të tregojmë diçka të re, pasi Dardha di të jetë përherë ftuese dhe e dashur për turistët. Kështu ka qenë përherë. Mjafton të kujtojmë faktin se guida e parë turistike për Dardhën u botua nga vetë dardharët, në vitin 1938, nën kujdesin e Mitrush Kutelit dhe drejtoreshës së atëhershme të turizmit, Princeshës Maxhide Zogu, për të nënvizuar rëndësinë e këtij destinacioni turistik.

Bore ne dardhe - foto (explore abania life)

Bore ne dardhe - foto (explore abania life)

Si të shkoni

Rruga për në Dardhë zgjat jo më shume se tre orë e gjysëm. Kjo në varësi të mjetit të përdorur. Përveç segmenteve fare të shkurtra që dëmtohen nga bora dhe transporti intensiv për atje, pjesa më e madhe e rrugës është shumë e mirë. Transporti publik është tepër cilësor dhe me kosto të ulët (vetëm 500L nga Tirana në Korçë). Për të vajtur në Dardhë mund të shfrytëzohen mikrobus-at që lëvizin periodikisht ose mjetet private. Nuk mungon mundësia e mjeteve private që ofrohen nga mikpritësit (kjo nëse komunikoni paraprakisht me ta). Sigurisht mund të shkohet edhe me mjet privat por, duke bërë kujdes më shumë, pasi kur bie borë, edhe lëvizja e mjeteve vështirësohet disi. Për të shkuar në Dardhën turistike kalohet qyteti i Korçës dhe, pas pak, një rrugë të kthen në të majtë, e cila, pasi lëshon fushën e Korçës, ngjitet kodrave të malit të Moravës për të zbritur në Dardhë.

Gjatë rrugës do të përshkoni fshatra të njohur, me restorante mjaft të mira. E tillë është ndalesa në Boboshticë, apo ndalesa në kishën e famshme Shën Maria. Më pas, do të ngjiteni për në Dardhë, fshatin që ndodhet 1300 metra mbi nivelin e detit.

pista e skive - (Foto pista e skive bigell fb)

pista e skive - (Foto pista e skive bigell fb)

Çfarë të bëni në Dardhë

Fshati turistik i Dardhës ofron një natyrë mbresëlënëse, sidomos në ditët me borë. Në ditë të tilla, Dardha duket si e pikturuar.

Atje gjen një shkollë mbi 300 vjecare, shtëpi të ngritura shekuj më parë që ende mbahen hijerënda e dinjitoze, çesma me ujë të kristaltë në çdo rrugë, rrugë tështruara me kalldrëm, kisha të lashta, pemë shekullore e shtigje, histori dhe përrëlla që tregohen rrotull zjarrit.

Dardha njihet për trashëgiminë e pasur kulturore, për kostumet karakteristike dardhare, për këngët e vallet, sidomos për vallen dardhare. Krejt kjo pasuri përmblidhet, në muzeun e pasur e të ruajtur mirë të fshatit, të cilin mund ta vizitoni gjatë fundjavës suaj. Në muze janë të ekspozuara fotografi dhe eksponate të ndryshme, që tregojnë historinë e pasur të fshatit në kohëra të ndryshme, foto që janë bërë nga vetë dardharët. Të theksojmë se Dardha, në historinë e saj, kishte 12 fotografë, që nga i pari, Jani Zengo, deri te i fundit, Leon Çika. Përveç fotografëve, fshati kishte edhe 24 piktorë ikonografë, që vepruan në shek. XIX deri në fillim të shek. XX.

Pista e Skive - foto (pista e skive bigell fb)

Pista e Skive - foto (pista e skive bigell fb)

Në fushën e skive

Dimri sjell borën dhe bashkë me të sezonin e skive e sporteve të tjera dimërore. Një motiv shumë i mirë për të ardhur në Dardhë, është pista e skive Bigëll në Dardhë, e vetmja e këtyre përmasave në të gjithë Shqipërinë.

Të gjithë ata që duan të shkojnë për ski në Dardhë, mund të nisen drejt pistës Bigëll, të sigurtë se do të gjejnë një pistë të mirëmbajtur, instruktorë profesionistë dhe një vend mjaft atraktiv. Pista e skive është në funksion të plotë dhe është sot një nga pikat më tërheqëse dimërore të fshatit. Pista është shumë komode dhe e ndërtuar mirë, për të lehtesuar si fillestaret, ashtu edhe më të sprovuarit. Aty ka edhe një pikë fushimi ku mund të hani ushqime mjaft të mira, për të përballuar të ftohtët, pa harruar rakinë e mirë. Fëmijët gjejnë argëtim, pasi një fushë funksionon enkas për ta.

Bigell - foto (pista e skive bigel fb)

Bigell - foto (pista e skive bigel fb)

Por duhet të dini diçka, nëse makina nuk do lejohet nga autoritet vendore të ngjitet sipër tek pista e skive për shkak të borës, do ngjiteni në këmbë, ose me shoferë të autorizuar. Kujdes, duhet patjetër të keni me vete veshjet e borës, kambale ose çizme, doreza, shall dhe kapuç, rroba për të ndërruar, ku preferohen rrobat termike.

lakror - foto intoalbaia

lakror - foto intoalbaia

Ushqim dhe festë

Dhe pas një dite argëtuese dhe sfiduese me ski, ju pret festa në bujtinë. Në çdo bujtinë ka një festë. Kitarra gjendet e varur në çdo ambient. Mjafton që një mik të zgjasë dorën e ta marrë, që të nisë ashtu si rastësisht një festë e bukur në çfarëdo ore, të ditës e të natës.

Gjithashtu, pas një dite të tillë, ju pret një tryezë me ushqime tradicionale nga të zonës. Dardharët njihen për specialitetet autoktone, për lakrorin me dy petë të pjekur në saç dhe për rakinë e kumbullave të egra, dy herë e pjekur. Janë të njohur edhe për konservimet e ushqimeve, për turshitë e pastermanë. Gjithashtu, specialitet është mishi i pjekur dhe petullat.

Akomodimi

Akomodimi në Dardhë ka disa alternative. Nis me 1000L personi për një shtrat në shtëpitë e fshatarëve. Në çdo shtëpi të fshatit ka dhoma të posaçme të rregulluara për miqtë ku kushtet janë shumë tëmira dhe sigurisht trajtimi “si në shtëpi”.

pista e skive foto (pista skive bigell fb)

pista e skive foto (pista skive bigell fb)

Gjithashtu mund të akomodoheni edhe në bujtina dhe shtëpi pritje (guest houze). Këto janë të organizuara me ambiente për individë dhe grupe që duan të kenë privatësinë e tyre por edhe shërbime tëtjera rrotull (restorant, guida për udhëtimet, transporti). Ambientet janë me një ose dy dhoma në një apartament të vetëm ku sigurohet çdo gjë, (nga shtrati tek mjetet e gatimit e ngrohjes, TV paisur me mjete kabllore, frigorifer, etj). Çmimi ketu mund të jetë edhe më i ulët se në shtëpitë e fshatit sepse p.sh, nëse merrni një apartament me kapacitet 5– 6 shtretër, çmimi shkon maksimalisht 5 mijë lekë (të reja) nata për të gjithë.

Një mundësi tjetër për tu akomoduar janë hotelet. Këto të fundit nisin me hotelerinë e thjeshtë vendosur në ndërtesa të trashëguara nga e kaluara (ish kampi i puntorëve, apo ndërtesa të tjera) ku çmimet sigurisht janë të ulta e deri tek Hotel Dardha, që është është një prej hoteleve alpine më të bukura në Shqipëri. Aty mund të gjesh çdo gjë në nivele superiore, të krahasueshme me hotelet alpine të vendeve më të zhvilluara të botës. Dhomat luksoze, restoranti me kuzhinë të veçantë e shërbim të sofistikuar, ambjentet e relaksit (sallonet e pritjes e zona SPA) të arreduara me shije e luks të niveleve të larta.

Neritana Kraja