Shpesh herë jemi në dilemën, se çfarë t’i dhurojmë një miku të huaj. Mundësitë për të bërë dhurata të veçanta e domethënëse, janë të shumta dhe përzgjedhja përcaktohet nga shijet e atij që e bën dhe interesi i atij që e merr.

Mes një spektri të gjërë, suveniresh artizanale si: qëndisma, qeleshe, punime në filigramë, dru, punimeve me dorë, piktura, etj; produktesh made in Albania si: ëmblësira, pije tradicionale, bimë medicinale, kozmetike, etj; ekziston edhe një mundësi përzgjedhjeje shumë e mirë, nga bota e botimeve, e cila është vërtet shumë e pasur dhe ofron shumë.

Dhurate per nje mik - Foto (living.al)

Dhurate per nje mik - Foto (living.al)

Në Shqipëri botohen shumë libra, katalogë, enciklopedi, libra arti, receta gatimi etj. Secili prej tyre, mund të përbëjë një ide shumë të mirë si dhuratë, për një mik të huaj, pasi e ndihmon të njohë vendin tonë, më së miri përmes leximit dhe shfletimit.

Në rubrikën tonë ne do të sugjerojmë tre tituj nga fusha e botimeve, që përkojnë me tre ide të shkëlqyera për një dhuratë. Janë të ndryshëm por tepër përfaqësues. Njëri është nga fusha e botimeve letrare, si mundësi për të njohur Shqipërinë përmes artit të fjalës, i dyti nga botimet e imazhit dhe mund të ndihmojë mikun tuaj të njohë Shqipërinë përmes fotografisë dokumentare dhe artistike, ndërsa i treti është nga botimet e arteve figurative, ku do vijë në ndihmë një album i tërë me krijimet më të mira të piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë. Janë tre aspekte për të njohur Shqipërinë. Të tre gjenden të publikuara edhe në gjuhë të huaja.

Kronike ne gur -foto (Amazon.com)

Kronike ne gur -foto (Amazon.com)

“Kronikë në gur”/ “Chronicle in stone” nga Ismail Kadare

Ismail Kadare-ja kryeson gjithnjë listat e librave shqiptarë! Por cila vepër, nga shumë prej atyre të autorit, do të ishte më e përshtatshmja si dhuratë? Sipas nesh, “Kronikë në gur.”

Ismail Kadareja, i lindur më 1936, gëzon një reputacion të konsiderueshëm në Evropë dhe libri i tij i parë nuk është një kureshti e radhës, por një roman krejtësisht magjepsës dhe i sofistikuar.

I rrëfyer nga pikëvështrimi i një djaloshi, libri rrëfen me vemendje e ndjeshmëri ngjarjet e të tashmes e së shkuarës së Gjirokastrës, vendlindjes së Kadaresë. Ky titull është për ata që e njohin apo duan t’a njohin Gjirokastrën dhe traditat, që duan të njohin letërsinë më të mirë e më përfaqësuese shqiptare në të gjitha kuptimet e fjalës! Libri është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe kjo gjë përbën një mundësi të mirë për lexuesin e huaj, për ta lexuar në italisht, anglisht, apo frëngjisht.

Libri paraqet shumë interes për të huajt, pasi duke u nisur nga fragmente kronikash, këngësh, gurësh dhe kujtimesh, autori ka bërë historinë madhështore të një qyteti që ai e do shumë. Dhe këtë histori artistike e ka bërë shumë mirë duke vendosur rrëfimin në gojën e një djali të vogël.

Ç’kërkon të thotë autori me këtë kronikë? Duke i bërë një koment artistik copërave të kronikës që i ka vënë enkas mes kapitujve si ca fragmente qeramikash antike, ai dëshiron të tregojë për madhështinë e këtij populli. Personazhet e romanit bëhen shumë të dashura dhe libri i bën të huajt të njohin shumë natyrshëm, përmes artit të fjalës, një pjesë Shqipërie të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ngjarjet edhe pse zhvillohen gjatë kohës së luftës, në libër nuk përshkruhet as edhe një faqe nga lufta. Personazhet hyjnë e dalin në roman, duke bërë një skaner të shoqërisë, njerëzve, pikëpamjeve, mënyrës së jetesës dhe të ndjenjave njerëzore. Historia, e shkuara e qytetit jepet përmes shënimeve të një kronikani, ndërsa ngjarjet e ditës, përmes rrëfimeve të djalit të vogël, i cili rrëfen në vetën e parë.

Një libër i shkruar bukur, që një lexues shqiptar duhet ta lexojë patjetër, të paktën një herë në jetën e tij, Ndërsa për një mik të huaj, Kronikë në gur, është libri që mund tia dhuroni pa asnjë hezitim, pasi po i jepni një thesar në duar, si dhuratë. Në gjuhë të huaja, libri gjendet në librarinë Adrion.

Marubi Albania 1858-1950 Foto (albania folklor)

Marubi Albania 1858-1950 Foto (albania folklor)

“Marubi: Shqipëria-Albania 1858-1950”

Në ka një mundësi të mirë për të njohur një vend të panjohur, ajo është përmes fotografisë. Fotografia nuk ka nevojë për fjalë dhe depërton kudo.

Prandaj si dhuratë për një mik të huaj, për të njohur Shqipërinë e shkuar, ne propozojmë pikërisht foto albumin Marubi: Shqipëria 1858 -1950.

Fati i Marubëve në Shqipëri nis me mbërritjen e italianit Pietro Marubi në Shkodër e përfundon me nipin e tij tashmë shqiptar Gegë Marubi. Pietro njihet si fotografi i parë në Shqipëri dhe arkivi i tij fotografik si një ndër më të pasurit në Ballkan. Për këtë arsye, koleksioni ku përmblidhen fotografi nga Shqipëria e viteve 1858-1950, është një dhuratë e çmuar për një mik të huaj.

Janë fotografi artistike, në bardhë e zi, që shfaqin portrete njerëzish të thjeshtë por edhe personalitetesh të rëndësishëm të sferës kulturore, veshje tradicionale, si edhe pamje nga Shqipëria përgjatë një shekulli.

Albania through art Foto (Adrion LTD)

Albania through art Foto (Adrion LTD)

“Albania through Art” nga Ferid Hudhri

Nëse keni shoqëri artdashëse, ky koleksion i veprave dhe artistëve më të mëdhenj të Shqipërisë në anglisht është pa dyshim një nga më të mirët. Ky album fillon me një pasqyrë të shkurtër dhe të ilustruar të historisë së artit shqiptar, nga gjurmët më të hershme të artit figurativ në tokën shqiptare e deri te arti bashkëkohor.

Për librin janë zgjedhur mbi 100 krijime: nga artistët e periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë, si: K. Idromeno, S. Xego, Marubi, A. Kushi, S. Rrota, V. Mio, A. Buza, Z. Kolombi, nga piktorë të shquar të periudhës së realizmit socialist si dhe nga disa prej autorëve të njohur të ditëve tona. Ato janë vepra që i përshtaten titullit të këtij botimi.

Çmimi i kripur kompensohet nga përzgjedhja e piktorëve, prezantimi e cilësitë e fotove, tregimi sipas periudhave kohore, e shumë arsye të tjera të cilat e bëjnë këtë enciklopedi të artit shqiptar një libër që shfletohet me dëshirë dhe interes! Gjejeni në librarinë Adrion.

Duke dhuruar njërin prej këtyre librave sqimtarë, ju keni prezantuar një pjesë të Shqipërisë.

Neritana Kraja