Në vend që t'i mbani sytë drejt trotuarit ose celularit tuaj, filloni të shikoni përreth dhe të vlerësoni artin që zbukuron qytetin e Tiranës, disa herë art spontan, e disa herë i planifikuar. Ka gjithmonë një histori pas shumicës së muraleve që shihni. Këta histori që në fakt nuk janë historia juaj përsonale, por vijnë si emocion, si provokim i artistëve, sigurisht ju prek, bëhet edhe e juaja.

Murale ne Tirane (foto kult plus)

Murale ne Tirane (foto kult plus)

Në fund të fundit Tirana jonë, me të gjitha historitë njerëzore, të jetuara të banorëve të saj, është bërë edhe streha e dhjetëra historive të tjera, që artistët kanë sjellë në muret e saj.

Prej vitesh, falë ngjyrave plot jetë dhe realizimeve të artit të rrugës, muret e vjetra dhe të venitura të ndërtesave të Tiranës, janë shndërruar në kanavacë për vepra befasuese. Të pamësuar fillimisht me imazhin e tyre, por tashmë të lidhur ngushtë pas imazhit mural të kryeqytetit tonë, e kemi në dorë edhe vetë që përmes votës sonë, të bëjmë të mundur që dy pre tyre të shpallen si më të mirat në botë.

Kjo pasi, dy prej muraleve që zbukurojnë Tiranën, janë kualifikuar në listën e muraleve më të mira të botës dhe është votimi që bëhet në linkun e caktuar, që mund ta shpallë si më të mirën secilën prej tyre.

Murale ne Tirane (foto info albania)

Murale ne Tirane (foto info albania)

Dy muralet

Imazhi i një vajze që mban një buqetë me lule në dorë në një nga pallatet e Tiranës dhe ai i një vajze në momente meditimi pranë një pallati te NSHRAK-u, janë kualifikuar në 100 finalistët për t’u shpallur vepra më e mirë në botë për vitin 2021.

Vepra e piktorit grek Gera në kuadër të “Mural Fest 2021” që u organizua në Tiranë dhe ajo Wild Drawing ia kanë dalë që të renditen tek veprat më të mira në botë për artin e rrugës, ose siç njihet ndryshe Street Art.

Vepra me titull “Serena” e piktorit Gera nga Greqia vjen pas një bisede të ndjerë që artisti ka zhvilluar me një emigrante shqiptare me emrin Serena në tokën helene, e cila për shumë kohë nuk ka mundur të kthehet në vendlindje. Pikërisht imazhi që artisti ka ruajtur nga ky takim tashmë qëndron në fasadën e një pallati, si për të kujtuar çdo ditë, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Ndërsa vepra tjetër me emrin “Gaia” e punuar nga Wild Drawing, ashtu si vetë artisti e përshkruan, nënkupton se “çdo lule e së nesërmes është në farat e të sotmes”.

Si u arrit deri tek votimi?

Murale ne Tirane (foto kult plus)

Murale ne Tirane (foto kult plus)

Për 12 muajt e fundit, Street Art Cities zgjodhën disa nga muralet më të mira në të gjithë globin dhe i shpërndanë ato në sondazhet e tyre të njohura të Instagram Story duke lënë audiencën të vendosë. Kjo rezultoi në një listë me 100 veprat më të njohura të artit të vitit 2021, mes tyre dhe dy nga Tirana.

Street Art Cities është një platformë globale me një mision për të promovuar dhe dokumentuar artin urban në botë.

Pjesë e kësaj platforme janë 900 qytete me mbi 35 mijë vepra arti. 100 veprat më të mira të artit, ku bën pjesë dhe “Serena” nga Gena dhe “Gaia” nga Wild Drawing, do i nënshtrohen një sondazhi në internet dhe fituesi do të shpallet të dielën më 6 shkurt.

Të kujtojmë se “Mural Fest 2021” u organizua nga Dekor Tirana, nën kujdesin e posaçëm të dy kuratorëve të njohur, Helidon Haliti dhe Qirjako Josifidhi.

Murale ne Tirane (foto shqiptarja.com)

Murale ne Tirane (foto shqiptarja.com)

Grafiti në Tiranë

Jo shumë kohë më parë, grafiti dhe arti i rrugës ishin të panjohura në Shqipëri, ku arti kontrollohej shumë dhe ku pikturimi i diçkaje që konsiderohej kundër parimeve, mund të përfundonte keq. Sot, arti i rrugës në Tiranë, ka bërë që artistët të shprehen lirshëm në muret e tij, ndaj rrugët e qytetit po ndryshojnë.

Jo vetëm që ndërtesat e betonit janë të mbuluara me pastel dhe ngjyra të tjera, por murale të mëdha filluan të shfaqen në maj 2018 kur 13 artistë të rrugës nga Shqipëria, Italia, Serbia, Uruguai dhe Franca erdhën në Tiranë si pjesë e Festivalit të parë MurAL. Ky festival i parë i artit të rrugës ishte një bashkëpunim mes grupit të artit italian 167/B Street dhe qeverisë së Tiranës.

Një vit më pas, MuralAL Fest 2019 tërhoqi 18 artistë urbanë nga Shqipëria, Italia, Franca, Argjentina, Greqia, Kolumbia, Spanja, Portugalia, Rumania, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe Uruguai. Dhe sërish këta artistë ndihmuan në shndërrimin e ndërtesave të tjera jo interesante në kryeqytetin shqiptar në piktura të pazakonta. MurAL Fest 2019 u sponsorizua nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri, Alliance Française dhe Institutin Italian të Kulturës.

Murale ne Tirane (foto into albania)

Murale ne Tirane (foto into albania)

Pa dyshim, pandemia Covid-19 ndërhyri në çdo plan për një tjetër MurAL Fest verën e kaluar. Ndërkohë që dy vitet e fundit, tipari multicultural I festivalit, tërhoqi vëmendjen e artistëve urbanë me famë botërore të cilët synojnë ta bëjnë Tiranën, një destinacion për ata që kërkojnë shprehje të pazakonta arti.

Aktualisht, përveç muraleve të ndërtesave, arti i rrugës po shfaqet në Tiranë në vendet më të papritura - në muret përballë vizave të bardha, në muret mes pallateve, në kutitë e shërbimeve të vendosura nëpër rrugë, etj. Disa nga muralet e shpërndara nëpër Tiranë janë të çuditshme, disa të menduara, disa politike, disa vizatimore, disa shprehëse të çështjeve të rëndësishme shoqërore. Me ngjyra të forta dhe tejet provokative. Madje në Bllok mbi një mur ka edhe një murale nga filmi i famshëm shqiptar për fëmijë “Tomka dhe shokët e Tij”.

Neritana Kraja