Jeni të lodhur nga rutina e përditshme? Doni të largoheni nga zhurma e qytetit? Doni të gëzoheni në borë dhe bora ju mungon? Atëherë destinacioni është Razma. Vetëm 43 larg qytetit të Shkodrës shtrihet pika turistike e Razmës, e cila ndodhet në zemër të Alpeve shqiptare, nën këmbët e malit të Veleçikut.

Razma ne dite me bore

Razma ne dite me bore

Që në fillim, parashtrojmë se ky nuk është një destinacion që mund ta bëni kësaj fundjave tepër të ftohtë, ku të gjithë paralajmërojnë dhe këshillojnë të shmangni udhëtimet turistike, për shkak të temperaturave ekstreme. Aq më shumë në një vend malor si Razma, ku rruga ngrin edhe në dimra të zakonshëm, e jo më në ditë ngricash të forta. Por gjithsesi, shënojeni këtë destinacion si një mundësi të mirë për një fundjavë dimërore me bore, brenda kushteve normale të dimrit, pasi kënaqësia që do të merrni është e madhe.

Ne Razem - Foto Natyral Razma Resort

Ne Razem - Foto Natyral Razma Resort

Si të shkoni?

Rruga për në Razëm është mjaft panoramike, me fshatrat e vegjël që duken rrëzë maleve. Mjafton të dilni nga Shkodra përmes veriut të saj dhe rruga do ju çojë drejt Alpeve. Në dy anët e saj në dimër shihen fushat e zëna nga bora. Gjatë ngjitjes në rrugën malore, nuk mund të humbisni pamjet spektakolare të natyrës, të maleve që të duket se të afrohen e të afrohen para syve, ndërsa ti ndihesh i vogël para tyre. Pasi ngjitesh 900 metra mbi nivelin e detit, je në Razëm. Razma është një fshat i vogël, rrethuar me pyje të dendur ahu dhe pishe, që të lënë pa fjalë me madhështinë, ngjyrat dhe bukurinë e tyre.

Fundjave ne Razem - foto Natyral Razma Resort

Fundjave ne Razem - foto Natyral Razma Resort

Cfarë të bëni?

Dikur këtu kishte vetëm një kamp punëtorësh që frekuentohej nga qytetarët shkodranë, nëse arrinin të gjenin një mundësi akomoduese, të cilat jepeshin si leje të veçanta. Kishte fat, kush gjente një të tillë, pasi Razma rekomandohej sidomos për ajrin e pastër mes maleve dhe shërbente si destinacion shëndetësor, për njerëzit që kishin problem me mushkëritë. Kjo zakonisht gjatë verës. Ndërsa gjatë dimrit, Razma kthehej në perandorinë e të rinjve gjimnazistë, që klasë pas klase, sipas një radhe të caktura për shkollat e qytetit, shkonin një natë në Razëm, për t’u dëfryer me muzikë, për të luajtur me borë e për t’u çliruar pak nga rregullat strikte të shkollës. Zakonisht ata flinin një natë në kampin e punëtorëve, nën mbikqyrjen e rreptë të mësuesve të tyre. Tani kjo kohë ka ikur një herë e përgjithmonë. Ajo ka ngelur thjesht në nostalgjinë e tyre. Pasi Razma, tani është kthyer në një destinacion shumë popullor, ku shkojnë të gjithë e në çdo stinë, e jo vetëm nga qyteti i Shkodrës. Për shkak të afërsisë me qytetin dhe mundësisë për të gjetur vazhdimisht borë atje, ne e propozojmë si destinacion të fundjavës në një ditë dimri.

Kulla e Arte ne Razem - foto nga faqja zyrtrae ne facebook

Kulla e Arte ne Razem - foto nga faqja zyrtrae ne facebook

Prandaj mos hezitoni, por merrni makinën tuaj dhe nisuni atje! Rruga nuk është e vështirë, krahasuar me terrenet e tjera malore, e përpjeta merret lehtë. Por mos u nisni pa zinxhirë! Ky është një rregull që nuk duhet shkelur. Me të mbërritur në Razëm, do ta gjeni veten si në një mbretëri të përrallave dhe të natyrës.

Bardhësia mbi pyje e bën fshatin edhe më magjik. Bujtinat dhe hotelet e ngritura aty rrotull, janë shumë ftuese. Tymi i oxhakëve ju fton tek secila prej tyre, ku nuk mungon pritja e ngrohtë dhe ushqimet tradicionale të zonës.

Në Razëm mund të bëni shumë gjëra. Përshembull mund të bëni shëtitje mes borës në pyjet e ahut dhe pishave, por në grup të madh njerëzish dhe pa u larguar shumë. Sigurohuni të keni një eksplorues të zones, i cili do ju ndihmojë që të mos bini në grackën e tekave të pyllit. Vizitoni Fushën e Zezë, në këmbë apo fuoristradë (por kujdes, para se të niseni konsultohuni me banorët e zonës që e dinë më së mirë nëse është mundësia për ta bërë, apo jo, një shëtitje të tillë).

Natyral Razma Resort - foto nga faqja zyrtare

Natyral Razma Resort - foto nga faqja zyrtare

Po kështu, merrni pajisjet e dëborës, të cilat disa njësi akomoduese i ofrojnë për klientët e tyre dhe bëni ski në Fushën e Zezë, ose në Lëndinën e Razmës. Por mund të merrni edhe një motorr bore e të shëtisni në lëndinën e Razmës.

Një fundjavë me borë është absolutisht ndjellëse në Razëm. Nëse nuk jeni aq tip sportiv, për të bërë ski, apo ecur nëpër borë, atëherë mund të luani me topa bore, sikundër bëjnë shumë prindër me fëmijët e tyre në lëndinën e madhe të Razmës.

Aktivitete ne bore - foto Natyral Razma Resort

Aktivitete ne bore - foto Natyral Razma Resort

Akomodimi dhe ushqimi

Ka disa mundësi akomoduese në Razëm dhe përzgjedhja varet nga paratë që doni të shpenzoni. Që nga resorti i vetëm Natyral Razma Resort, që është ndërtuar mbi ngrehinnë e ish kampit të punëtorëve, deri tek bujtinat apo hotelet e ngritura nga banorët gjatë viteve të fundit. Ju sigurojmë se tek secila prej tyre do ju presin shumë mirë. Mishi në hell, që këtu e njohin si “fërlik” është kryefjala e çdo tavoline. Pas një dite të ftohtë, ku faqet ju janë skuqur nga bora dhe të ftohtët, asgjë me mirë se gatimet autoktone të zonës, nuk mund t’ju gëzojnë kaq shumë. Mishi është shumë i shijshëm dhe dinë ta përgatisin mjaft mirë. Jemi na malësi dhe banorët e kanë zanat blegtorinë. Po kështu djathi, patatja janë të cilësisë së parë. Rakia dhe vera janë shumë ftuese, ndërsa soba me dru ose oxhaku që djeg dru, janë karakteristika të secilës prej njësive akomoduese.

Në tryeza të tilla, ju mund të mbeteni vetëm me miqtë tuaj të tavolinës, por nëse doni ta zgjeroni pak bisedën, vendasit janë të gatshëm, t’ju rrëfejnë histori dhe legjenda të zonës, të cilat do ju lënë me gojë hapur.

Buke shtepie - foto Natyral Razma Resort

Buke shtepie - foto Natyral Razma Resort

Si vende të vlerësuara nga ne për akomodim kemi zgjedhur Natyral Razma Resort, i cili përfshin një pishinë të brendshme, një restorant që shërben specialitete të zonës dhe kuzhinë ndërkombëtare, etj. Dhomat, të gjitha kanë internet, tv dhe minibar. Ndërkohë është interesant fakti se ky resort ofron edhe një bibliotekë me qira. Në mbrëmjet e dimrit, ju mund të merrni një libër dhe të lexoni në Qendrën e Kreacionit “Vallja e Yjeve”, në verandën “Lulet e Verës”, ose tek ambienti “Hija e Maleve”.

Resorti Natyral Razma Resort - foto nga faqja zyrtare

Resorti Natyral Razma Resort - foto nga faqja zyrtare

Ndërkohë Vila Pepaj ofron një model tjetër akomodues, më afër tipit të një bujtine, ku oferta përqëndrohet tek rehatia dhe identiteti.

Tek Bujtina Pepaj, ushqimet janë të gjitha me bazë lokale dhe kjo është çfarë turistët duan. Do ta ndjeni veten si në një shtëpi karakteristike malësorësh.

Mos u mendoni dy herë, Razma është aty dhe po ju pret!

Neritana Kraja

Tradita e ushqimit - Foto nga Natyral Razma Resort

Tradita e ushqimit - Foto nga Natyral Razma Resort