Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi para pak ditësh, se ka nisur puna për hartimin e planit të menaxhimit të integruar të ansamblit historik të Pallatit të Brigadave.

Sipas Margaritit, kur flitet për Pallatin e Brigadave patjetër që ka një farë misteri në të gjithë historinë e tij.

Ministrja Margariti theksoi se “kjo godinë dhe ky park nuk mund të trajtohet si një ishull i veçuar, i gjithë ansambli historik, nuk duhet të bierë në grackën e një trajtimi institucional, një ishulli i veçuar brenda Tiranës, i lidhur ngushtësisht me përfaqësinë e lartë diplomatike, që ka ruajtur në vite dhe nuk mund të mendohet thjesht si një hapësirë, e cila për vlerat e mëdha të trashëgimisë kulturore dhe historike të jetë e lidhur ngushtë vetëm me Ministrinë e Kulturës”.

Ministrja Margariti duke demostruar detaje te planit restaurues - foto nga Facebook faqja zyrtare Elva Margariti

Ministrja Margariti duke demostruar detaje te planit restaurues - foto nga Facebook faqja zyrtare Elva Margariti

Ministrja theksoi se në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe partneritet me Fondin Amerikan për Zhvillim do të fillojë puna për restaurimin e godinës, e cila ka pësuar shumë degradime gjatë kohërave.

Pallati i Brigadave është një sit i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore në qytetin e Tiranës, fryt i arkitekturës së mrekullueshme të viteve 1930-40.

Si rezultat i ndërhyrjes restauruese në këtë objekt kaq të rëndësishëm, Tirana do të pasurohet më tej me vlerat e saj, që në fakt i ruan thellë.

Kopeshti i Pallatit te Brigadave - foto Dritare.net

Kopeshti i Pallatit te Brigadave - foto Dritare.net

Pak histori

Nëse ka një objekt në Shqipëri për të cilën ka gjithmonë kureshtje, ai është “Pallati Presidencial”, ose i quajtur ndryshe “Pallati i Brigadave”. Jo vetëm për shkak të arkitekturë së tij, por edhe për misteret që fsheh.

Ky pallat madhështor është ndërtuar në një kodër të butë, pranë Saukut. I rrethuar nga një bimësi e gjelbër ku bukuria natyrore të mbush sytë, pallati është një dashuri e arkitekturës e viteve 30-të, ku arti është derdhur pa kursyer nga skulptorët më të mirë evropianë të asaj kohe.

Ambiente te brendshme - faqja zyrtare facebook Elva Margariti

Ambiente te brendshme - faqja zyrtare facebook Elva Margariti

Projekti fillestar u realizua nga arkitekti italian Julio Berte’ dhe ndërtimi zgjati nga viti 1936 deri në vitin 1941. Kompleksi u porosit si rezidencë mbretërore nga Mbreti Zog. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në vitin 1939 dhe largimit të vetë mbretit, projekti fillestar ndryshoi. Ndërtimi vazhdoi nën kujdesin e arkitektit tjetër italian Gherardio Bosio, i cili i dha tjetër frymë arkitekturës së pallatit. Nëse përpara Bosios stili ishte “deko i vonë”, falë tij u kalua tek “racionalizmi monumental”, duke bërë që “Pallati i Brigadave” të jetë i vetmi pallat mbretëror në botë me këtë qasje arkitektonike. Pallati dhe parku i tij u inauguruan në maj të vitit 1941 gjatë vizitës në Shqipëri të mbretit Viktor Emanueli III.

Parku ka një sipërfaqe prej 36 hektarësh; i gjelbëruar në mënyrë konceptuale sipas projektuesve më të njohur evropianë të shekullit të kaluar. Mbjelljet më masive janë bërë midis viteve 1937-1945, çfarë i jep parkut vlera e një monumenti natyror gjithashtu.

Ndertesa - Foto facebook Elva Margariti

Ndertesa - Foto facebook Elva Margariti

Sipërfaqja shtrihet në shumë zona dhe përbëhet nga shatërvanë me zinxhirin e ujit, galeri skulpturash në disa parqe, disa radhë kopshtesh me pemë, lule dhe labirinte në formë spiraleje, kopshti i luleve, shtegu i pyllit, kopshti me pishinë si dhe pista e stërvitjes së kuajve. Ky park është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike, i ndërtuar sipas modelit të Tempullit të Muzave, i kultit mitologjik të Apollonit, realizuar në vitet ’30 -’43.

Një nga ndërtimet plotësuese është dhe kishëza e ndërtuar për mbretëreshën Geraldinë. Edhe pse Zogu nuk mundi ta shijojë të plotë përfundimin e objektit, kjo hapësirë rreth 40 hektarësh nuk e humbi kurrë gjallërinë.

Rezidenca ka shërbyer si Pallat Mbretëror vetëm një herë, gjatë vizitës së Perandorit Viktor Emanueli në Shqipëri në maj të vitit 1941.

Oborri - Foto Facebook Elva Margariti

Oborri - Foto Facebook Elva Margariti

Emrin “ Pallati i Brigadave” e mori në vitin 1945 në nderim të brigadave partizane që e çliruan, emër i cili u përdor deri në vitet ‘90.

Duke filluar nga viti 1992, emri zyrtar i këtij institucioni është “Pallati Presidencial” dhe që nga viti 1945 ndërtesa shërben si Pallat Presidencial për pritje zyrtare.

Të shumtë janë personalitet që kanë fjetur në këtë pallat, sovranë, diktatorë, drejtues modern shtetesh, por mos harrojmë se jo të pakta janë historitë që lidhen me të, histori që kanë filluar të marrin trajtat e legjendave urbane.

Palalti - Foto Dritare.net

Palalti - Foto Dritare.net

Sigurisht që edhe sot ka shumë pikëpyetje në lidhje më pallatin e dikurshëm mbretëror. Përse u zgjodh që të ndërtohej, në vendin ku është ndërtuar sot? Përse Enver Hoxha nuk zgjodhi të jetonte në këtë pallat gjatë drejtimit të vendit? A fsheh ky vend me të vërtetë një mallkim për personat që vendosin të kalojnë natën këtu?

Pallati ka ruajtur që nga dita e inaugurimit formën që ka sot dhe fatmirësisht i shpëtoi Luftës së Dytë Botërore, por koha ka lënë gjurmët e saj të ashpra. Me restaurimin e “Pallatit të Brigadave”, Tiranës, do tí shtohet një tjetër destinacion turistik. Në fakt ai shërben edhe tani si i tillë, por puna restauruese, pa asnjë diskutim, do i rrisë vlerat e këtij Pallati plot madhështi.

Neritana Kraja