Regjisori Zhang Yimou mori pjesë në premierën e filimit "Hije" gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Venecias më 6 shtator 2018/ Xinhua

Regjisori Zhang Yimou mori pjesë në premierën e filimit "Hije" gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Venecias më 6 shtator 2018/ Xinhua

Pritni një ceremoni hapjeje të “Pekin 2022” “të ndryshme” nga ajo e Olimpiadës 2008, me një mënyrë të veçantë të ndezjes së flakës së kullës së pishtarit, të paparë në historinë mbi 100-vjeçare të Lojërave Olimpike, bëri të ditur Zhang Yimou, kryeregjisori i ceremonive të hapjes e të mbylljes të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

Zhang, regjisori i ceremonive të hapjes dhe të mbylljes të Lojërave Olimpike 2008 të Pekinit, do të drejtojë edhe ceremonitë e Lojërave Olimpike e Paralimpike Dimërore.

71-vjeçari bëhet kështu i pari që drejton ceremonitë e Lojërave Olimpike Verore dhe Dimërore, teksa Pekini krijon histori si qyteti i parë i të dy veprimtarive olimpike.

“Është një nder i madh për mua që të drejtoj ceremoninë e hapjes së Olimpiadës për të dytën herë,” tha Zhang, duke shtuar se “barra është shumë e rëndë”.

“Shpresoj të lë një përshtypje të mirë dhe të krijoj disa çaste të mrekullueshme, që do të shënohen në histori,” theksoi ai.

Rikrijim, jo përsëritje

Si një nga përfaqësuesit e brezit të pestë të regjisorëve kinezë, Zhang Yimou është i famshëm si fitues i Çmimit “Ariu i Artë” të Festivalit të Berlinit me filmin “Sorgumi i kuq” dhe si i nominuar tre herë për “Filmin më të mirë të huaj” të Çmimeve të Akademisë (“Oskar”), përkatësisht me filmin “Ju Dou” (1990), “Ngritja e fenerëve të kuq” (1991) dhe “Heroi” (2003).

Fotografia e bërë më 8 gusht 2008 pasqyron shfaqjen e fishekzjarrit gjatë ceremonisë së hapjes të Lojërave Olimpike të Pekinit në Stadiumin Kombëtar./Xinhua

Fotografia e bërë më 8 gusht 2008 pasqyron shfaqjen e fishekzjarrit gjatë ceremonisë së hapjes të Lojërave Olimpike të Pekinit në Stadiumin Kombëtar./Xinhua

Ceremonia e shkëlqyer e hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit 2008 e shtoi prestigjin e tij. Ai drejtoi gjithashtu shfaqjet tetëminutëshe të dorëzimit të flamurit olimpik në “Athinë 2004” dhe “PyeongChang 2018”.

Kësaj here, Komiteti Organizator Olimpik i Pekinit bashkëpunoi përsëri me Zhang Yimou për ceremoninë e hapjes dhe atë të mbylljes të “Pekin 2022”.

Pavarësisht nga mrekullia në “Pekin 2008”, Zhang-ut nuk i shkon kurrë ndër mend përsëritja e saj.

“Mendoj se shumë momente klasike nuk mund të përsëriten. Ato ndodhin vetëm një herë,” thotë ai.

Përveç përfshirjes së karakteristikave të Olimpiadës Dimërore dhe sporteve dimërore në ceremoninë e hapjes kësaj here, Zhang Yimou vuri në dukje se edhe tema do të jetë e ndryshme.

“Në vitin 2008, Olimpiada ishte një arenë e rast i shkëlqyer për vendin tonë për të treguar përpara botës qytetërimin e historinë tonë, si edhe si kemi arritur këtu ku ndodhemi sot,” kujton ai.

“Tani është ndryshe. Statusi i Kinës në botë, imazhi i kinezëve dhe ngritja e statusit kombëtar, të gjitha këto kanë ndryshuar sot.”

Gjatë pandemisë, bota ka nevojë për një këndvështrim të ri dhe të forcuar, në mënyrë që popujt e botës të bashkohen për përballimin e vështirësive dhe për krijimin e një të ardhmeje së ndritur,” theksoi Zhang duke folur për ndryshimin e Motos Olimpike, ku “Më shpejt, më lart dhe më fort” iu shtua “së bashku”.

Kështu, ndonëse përbën një sfidë, Zhang vendosi të krijojë një ceremoni hapjeje “të ndryshme dhe të veçantë” për Olimpiadën 2022.

“Koha ndryshon, po ashtu edhe pikëpamjet e publikut. Gjithashtu, Olimpiada Dimërore dhe Olimpiada Verore janë të ndryshme. Kështu, do ta heq barrën dhe do të nisem nga zero,” shprehet regjisori 70-vjeçar.

E thjeshtë, e sigurt dhe e shkëlqyer

Olimpiada Dimërore e Pekinit 2022 do të zhvillohet në mënyrë “të thjeshtë, të sigurt dhe të shkëlqyer”. “Edhe në ceremoninë e hapjes do të zbatohet i njëjti parim,” tha Zhang.

Nuk do të ketë një shfaqje masive dhe të gjatë. Numri i aktorëve u pakësua nga 15 mijë në vitin 2008 në 3 mijë, ndërsa gjatësia u shkurtua në më pak se 100 minuta, si pasojë e motit të ftohtë dhe e pandemisë.

Megjithatë, cilësia nuk do të ndikohet nga pakësimi sasior.

“Thjeshtësia është si në filmat e arteve marciale, si shpata e një mjeshtri. E gjithë vëmendja e tij fokusohet në majën e shpatës, kurse fuqia e shpimit është e ndryshme. Duket si një shpim shumë i lehtë, por plot fuqi,” shpjegoi Zhang.

Pas përfundimit të planifikimit të ceremonisë së hapjes në maj 2021 dhe dizenjimit të arenës në tetor, interpretuesit filluan të bënin prova në Stadiumin Kombëtar. Tani ata po përdorin ditët e fundit për përgatitjen e galasë përfundimtare.

Zjarri Olimpik për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, i vendosur në Kullën Olimpike të Pekinit/ Xinhua

Zjarri Olimpik për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, i vendosur në Kullën Olimpike të Pekinit/ Xinhua

Në ceremoninë e hapjes, pjesa që do të tërheqë më shumë vëmendje pa dyshim do të jetë mënyra e ndezjes së flakës së pishtarit kryesor. Zhang bëri të ditur se grupi i tij ideoi “në mënyrë të guximshme kullën e pishtarit, si dhe ndezjen e tij.”

“Kësaj here, mënyra e ndezjes së pishtarit do të jetë patjetër e ndryshme. Ajo është një reformë kryesore në ceremoninë e hapjes, e paparë në historinë mbi 100-vjeçare të Lojërave Olimpike,” rrëfen ai.

Zhang Yimou la të kuptohet se dizenjimi ndjek konceptin e mbrojtjes së mjedisit dhe të shkarkimit të ulët, por nuk pranoi të bënte të ditur më shumë të dhëna, duke thënë se “ky është një sekret.”

“Jam shumë nervoz. Mendoj se kjo është një risi dhe shikuesit do të habiten,” pohoi ai, duke shprehur falënderime për përkrahjen nga Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike të Pekinit.

Gjithmonë për njerëzit

Duke folur për pritshmërinë për ceremoninë e hapjes, Zhang tha se ai preokupohet për pjesëmarrjen e masave popullore, që është “objektivi kryesor i organizimit të Lojërave Olimpike”.

“Nuk ka lidhje vetëm me sportistët profesionistë që konkurrojnë për medaljen e artë dhe për arritjen e suksesit, por edhe që më shumë banorë të thjeshtë të marrin pjesë në sporte,” tha ai. “Gjithçka është për njerëzit. Shpirti, emocioni dhe shpresa janë gjithmonë pikat kyçe.”

Gjatë shtatë vjetëve qysh prej suksesit të Pekinit në fitimin e së drejtës së organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore, Kina ka mbajtur plotësisht premtimet e saj për pjesëmarrjen e 300 milionë banorëve në sportet dimërore, një nxitje shumë e fuqishme për promovimin e sporteve dimërore në sferë globale.

Fotografia e bërë më 31 janar 2021 pasqyron trajnerin e sjuve Xu Xiujuan (i pari majtas) që drejtoi nxënësit në një klasë në mjedis të hapur në Fushën e Skive "Baiyun", në Urumqi, kryeqendrën e rajonit autonom të Xinjiang Ujgurit./ Xinhua

Fotografia e bërë më 31 janar 2021 pasqyron trajnerin e sjuve Xu Xiujuan (i pari majtas) që drejtoi nxënësit në një klasë në mjedis të hapur në Fushën e Skive "Baiyun", në Urumqi, kryeqendrën e rajonit autonom të Xinjiang Ujgurit./ Xinhua

Edhe ceremonia e hapjes do të jetë e karakterit masiv, me një pjesë interpretuesish nga shkollat dhe nga grupet artistike bazë. Përfaqësuesit e të gjitha sferave të jetës do të bëhen pjesë e aktiviteteve të ceremonisë.

“Mendoj se shprehja e gëzimit, shëndetit, shpirtit, vetëbesimit dhe frymëzimit është shumë e rëndësishme. Kësaj here ne theksojmë edhe pjesëmarrjen në mënyra të ndryshme,” theksoi Zhang.

Regjisori i përgjithshëm tha gjithashtu se pandemia e COVID-19 e ka ndryshuar shumë botën tonë, ndërsa Kina ndodhet përpara një situate të re dhe të ndërlikuar ndërkombëtare. Kjo është arsyeja që Zhang shpreson të paraqitë mendimet e vërteta të kinezëve përmes arenës olimpike.

“Lojërat Olimpike Dimërore do të pasqyrojnë besimin, krenarinë, dashurinë dhe ndjenjat e popullit kinez për popujt e vendeve të tjera. Kjo është filozofia jonë e madhe.”

“Nëse mund ta paraqisim këtë në një mënyrë artistike, emocionale dhe delikate nëpërmjet ceremonisë së hapjes të Olimpiadës, që popujt të shikojnë mendimet e vërteta të kinezëve, atëherë kjo do të jetë shumë kuptimplotë,” përfundoi Zhang.