Revista letrare e Tiranës “Illz” ka 34 numra të botuar në 6 vjet të ekzistencës së saj në tregun shqiptar të librit. Ajo është një revistë voluminoze, që strehon në faqet e saj letërsi shqiptare të autorëve klasikë por dhe bashkëkohorë, pa munguar autorët e rinj në fushën e letrave dhe sigurisht autorë të huaj, të njohur dhe të rinj për lexuesit shqiptarë. Botuesi dhe kryeredaktori i saj, poeti Rexhep Shahu flet për Radio Ejani rreth kësaj reviste dhe ecurisë së saj në vitin 2022.

CMG: Janë 34 numra të revistës letrare të Tiranës “Illz” në duart e lexuesve. Le të njihemi me rrugëtimin e saj.

Rexhep Shahu: Revista letrare e Tiranës “Illz”, që nuk është më vetëm e Tiranës, por është revistë ballkanike dhe më gjerë, ka letërsi nga të gjitha kontintentet, nga të gjitha majat e letërsisë. Është një iniciativë që ka 6 vjet që ka nisur dhe botohet me mbështetjen financiare për shtypjen e saj nga humanisti, deputeti Flamur Hoxha. Kumbar i emrit të revistës është drejtori i saj, miku im Izet Duraku, ndërsa unë jam botuesi dhe kryeredaktori i revistës. Kjo revistë botohet nga Klubi i Poezisë së Tiranës, të cilën e drejtoj. Revista nga këto 34 numra, ka dy numra specialë, njeri kushtuar Skënderbeut që ka rreth 500 faqe, dyfishin e numrave të zakonshëm, si dhe një numër tjetër kushtuar shkrimtarëve martirë nga e gjithë bota. Revista printohet në letër me numër mesatar prej 240 faqesh.

CMG: Është serioze si revistë dhe besoj se botimi i saj mbush një boshllëk sa i përket revistave letrare në Tiranë dhe më gjerë.

Rexhep Shahu: Besoj se revista letrare e Tiranës është vërtet një “Illz” për historinë e letërsisë shqipe dhe më gjerë. Ajo u nis si revistë letrare e Tiranës, Shqipërisë, Kosovës dhe pati nevojë për “illza” të tjerë të Ballkanit. Letërsia ballkanike është e përhershme në këtë revistë. Përshembull emrat e letërsisë që njeh më së miri Franca, i njeh dhe revista “Illz”. Shkrimtarët më të mirë nga të gjitha kontinentet kanë botuar në këtë revistë.

CMG:Sa është brenda një numri të revistës përqindja e botimeve në letërsinë shqipe dhe të huaj?

Rexhep Shahu: Ne kemi pretenduar të jetë 50 për qind letërsi shqipe dhe 50 për qind letërsi e huaj, e përkthyer në shqip. Revista “Illz” ka mbi 2500 autorë, veprat e të cilëve janë botuar në të, bashkë me përkthyesit, të cilët ne i konsiderojmë autorë. Revista ka mbi 8 mijë faqe në total të botuar.

CMG: Është pak a shumë një enciklopedi e letrave. Ju përmendët Klubin e Poezisë, që në fakt është një shtëpi botuese-mëmë e revistës “Illz”, por edhe botimeve të tjera. Flasim për këto botime.

Rexhep Shahu: Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”, të cilën e drejtoj, është një shtëpi botuese modeste. Kam botuar disa libra cilësorë, të munguar, si për shembull “Antologjinë e poezisë turke” me 101 poetë dhe nuk ka patur një antologji të tillë. Gjithashtu kam botuar 87 poetë të Iranit, të titulluar “Trëndafila Persie”. Jemi përpjekur të botojmë letërsi majash. Ndërkohë kam botuar “Antologjia e tregimit shqiptar”, ku përfshihet Mitrush Kuteli dhe 101 tregimtarë. Jemi përpjekur të botojmë disa libra që kanë munguar. Për herë të parë kam botuar “Antologjia poetike ballkanike” me 54 autorë nga 12 shtete të Ballkanit, e cila nuk ka ekzistuar deri tani. Antologjia është përkthyer nga Ramadan Musliu dhe botuar prej meje. Nëpërmjet botimeve jam përpjekur të jap mesazhin se ne kemi nevojë për paqe dhe urtësi dhe jo për fjalor lufte. Unë konsideroj se urat më të mira siç i ngrenë poetët, nuk i ngre askush. Kjo më ka shtyrë të botoj këto libra që kanë munguar.

CMG: Meqë jemi tek botimi, ju vetë jeni poet dhe publicist me karrierë të gjatë. Sa e vështirë është rruga e librit në Shqipëri? Ju si e vlerësoni veprimtarinë e shtuar krijuese të kohëve të fundit?

Rexhep Shahu: Ne nuk jemi popull i librit, por kemi maninë e këngëtarëve rapsodë, që të gjithë bëhemi këngëtarë, rapsodë e shkrimtarë. Mania për t’u bërë shkrimtar është e pranueshme dhe e lejueshme, sepse është konsideruar gjithmonë që të jesh shkrimtar do të thotë të trokasësh në portat e pavdekësisë. Njerëzit e kanë këtë shtysë të brendshme. Gara nuk më duket e keqe. Le të botojë kush të dojë! A ndotet klima? Ndotet shumë. Po të ishte gjallë Gjergj Fishta do të thoshte “Më shumë dëm i bën një kombi një libër i keq, se sa një revolucion”.

CMG: Jemi në ditët e para të vitit 2022. Si do të vijojë veprimtaria e Shtëpisë Botuese “Klubi i Poezisë” dhe nga revista letrare “Illz”?

Rexhep Shahu: Revista letrare “Illz” do të shtrihet dhe më shumë dhe në ballinat e saj do të gjejmë autorë nga Ballkani. Fillimisht do të nisim me autorë ballkanas që kanë kontribuar në letërsinë dhe kulturën shqipe dhe do të zgjerohemi më shumë në botë. Do të përpiqemi dhe shpresoj të sjellim 101 poetë grekë, po ashtu dhe rumunë.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për ata që po na ndjekin?

Rexhep Shahu: Uroj gëzuar të gjithëve! Ne gjatë këtij viti do të kemi në faqet e “Illz” më shumë autorë nga Kina.

CMG: Shpresoj sepse ka një mungesë të madhe autorësh nga Kina në atë hapësirë që lexojnë.

Rexhep Shahu: Kina është një planet i madh.

Intervistoi Eda Merepeza