Historia e komunitetit të shqiptarëve arbëreshë në Itali, lidhjet e tyre të forta me origjinën, traditat e kulturën që për gati 6 shekuj i mban të bashkuar me njëri-tjetrin, në jetën e tyre të zakonshme, në disa qyteza të vogla në jug të Italisë, është rrëfyer në një film kinematografik me metrazh të gjatë me titullin “Arbëria”.

Duke filluar nga ata 23 dhjetor të vitit 2021, në platformën më të madhe të filmave në botë, “Netflix”, ka filluar të transmetohet ky film, që është edhe i pari në gjuhën shqipe, që transmetohet në këtë platformë.

“Arbëria” është një film, që flet për historinë e një vajze të quajtur Aida. Ajo rikthehet në vendin e origjinës së saj në Kalabri, pas vdekjes së babait nga ku zbulon kulturën dhe traditat arbëreshe. “Arbëresh” është një film, i cili vendoset mes realitetit shqiptar, ku shfaq lidhjet e forta të trashëgimive kultutore të pakicës, që jeton në disa fshatra të vogla në Kalabri dhe Bazilikatë.

Fakti që ky film është aktualisht i pari në gjuhën shqipe në Netflix, i ka dhënë edhe më tepër jehonë atij, përmes së cilit tashmë bota po njeh kulturën dhe historinë e arbëreshëve të Italisë. Regjisorja e filmit është Francesca Olivieri, një regjisore me origjinë kalabreze që jeton në Francë. “Arbëria” është një histori nostalgjie, por edhe një histori konflikti mes të shkuarës dhe të tashmes, origjinës dhe aspiratave. Filmi flet për Aidën, një grua e guximshme dhe moderne, por edhe melankolike. Ajo ka një personalitet luftarak, që jeton ndërmjet nevojës për t’u përshtatur dhe kërkimit të identitetit. Ajo është stiliste me profesion, prandaj edhe është shpërngulur shumë herë për të jetuar në vende të ndryshme, derisa më në fund është vendosur në një qytet ku ka hapur një rrobaqepësi veshjesh elegante. Me vdekjen e babait të saj, Aida detyrohet të kthehet në fshatin e saj të lindjes, që ndodhet në male, në jug të Italisë. Gjatë këtij udhëtimi, Aida do të rizbulojë gjuhën e saj amtare: arbëreshe, një gjuhë e lashtë, e folur në komunitetin e arbëreshëve, pasardhësit e refugjatëve kryesisht toskë shqiptarë, të cilët ikën nga Shqipëria mes shekujve të katërmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë, si pasojë e pushtimit osman në Ballkan. Kjo “tokë e shpirtit” – e quajtur Arbëria – i jep Aidës një energji të re, përmes së cilës ajo do të rimarrë kontrollin e jetës së saj dhe do të pajtohet me të kaluarën e saj.

Regjisorja e filmit tregon për median se tema e filmit është padyshim personale, pasi ajo vetë është një grua e re që ka emigruar. Ajo shpreson që kjo histori e bujarisë njerëzore të jetë me interes për një publik të shpërndarë kulturalisht. Duke folur për filmin, regjisorja kujton se elementët tradicionalë që ka futur në film, e bëjnë atë edhe më magjik dhe me shumë potencial. E tillë është vallja tradicionale arbëreshe, të cilën regjisorja e ka parë kur ishte fëmijë, apo dëgjimi i gjyshes duke folur shumë herë në arbërisht, që u bënë burimi i saj kryesor i frymëzimit. Francesca Olivieri thotë se gjyshja ka qenë muza e saj e veçantë gjatë gjithë filmit dhe se prej saj mësoi traditat dhe atë që vlen në kulturën arbëreshe.

Francesca Olivieri, thotë se të jesh arbëresh është një mundësi për të mbledhur kultura të ndryshme dhe për të krijuar një lidhje mes mesdhetarëve dhe kulturës ballkanike. Ajo shton se kultura ballkanike ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për të, ndaj kësaj lidhje i shërben edhe kinemaja dhe muzika ballkanike.

Ky film, i cili ka ngjallur interesin e tij në mjediset shqiptare, në fakt e ka nisur rrugëtimin e tij në vitin 2019. Më pas u shfaq për herë të parë në Cosenza, në një premierë të sukseshme dhe nisi rrugëtimin e tij në shumë festivale të filmit. Për publikun shqiptar nuk është i panjohur sepse hera e parë ishte në Tiranë, në Festivalin e Filmit Dea ku mori edhe Çmimin e Jurisë publike. Më pas, filmi u shfaq në Francë, Uells, Norvegji, Gjermani dhe në festivale të ndryshme të filmit italian. Gjithmonë ka pasur një publik të madh të interesuar për këtë histori, sepse shumë njerëz nuk dinë për historinë e Shqipërisë dhe paraardhësve të saj. Interesant është fakti se në Itali, gjatë të gjitha shfaqjeve të filmit, pati edhe një habi të këndshme, sepse italianët e njohin popullin shqiptar dhe historinë e fundit të këtij vendi, por anashkalojnë që pasardhësit e tyre erdhën në Itali gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë.

Filmi jo vetëm që tregon historinë e protagonistit, por ngjall edhe kujtimin e një komuniteti të tërë, atë të arbëreshëve, që i dhanë jetë territorit të Arbërisë. Një enklavë e Shqipërisë në Itali për të shpëtuar nga persekutimet e vuajtura mes shekullit të pesëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë, dhe kultura e të cilëve sot rrezikon të zhduket nën peshën e një kulture globale standardizuese.

Roli i Aidës interpretohet nga artistja nga Roma, por me origjinë kalabreze, Caterina Misasi, e njohur në interpretimin e disa filmave si “100 vitrinat”, “Një mjek në familje”, etj. Në kastin e aktorëve merr pjesë dhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi dhe këngëtarja e njohur arbëreshe Anna Stratigo. Interesant gjithashtu është fakti se aktorja e re Brixhilda Shqalsi, që luan në këtë film është larguar nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1997, duke përjetuar vetë fatin e emigrantit dhe mallin për atdheun.

Filmi është prodhuar nga shtëpia kinematografike Open Fields Production në bashkëpunim Lucana Film Commision, Calabria Film Commision, Ministria italiane e Kulturës e nga Enti Publik i Shoqatës së autorëve e botuesve italianë.

Neritana Kraja