Kur bregdeti, laguna, grykëderdhjet e lumenjve apo kënetat takohen njëra me tjetrën, rezultati që përftohet është padyshim mbresëlënës. I tillë është dhe parku natyror Patok, i cili vërtet dhuron një pamje tejet spektakolare.

Si të shkosh

Ju mund të shkoni, në këtë lagunë që është vetëm 50 km larg nga Tirana, duke marrë daljen për në Patok, në Laç, përgjatë autostradës. Pas pesëmbëdhjetë minutash udhëtimi nëpër livadhe dhe pyje, ju do të arrini në një lloj dige mbyllëse, të ngushtë artificiale. Laguna e Patokut shtrihet midis dy lumenjve: në veri Mat dhe në jug Ishëm dhe është formuar si një ovale e madhe, që pritet në dysh nga diga.

Lugina e Patokut është lehtësisht e arritshme me makinë e në të mund të kaloni një fundjavë ideale mes qetësisë e kartolinave natyrore.

Çfarë të bësh

Shijojeni fundjavën tuaj në Patok, me famije apo grup shoqëror. Për familjet me fëmijë, sidomos është një vend mjaft i veçantë se është i lidhur ngushtë me natyrën e virgjër. Me të arritur atje, ju do të shihni një pamje të detit në njërën anë dhe një zonë interesante të moçalit në anën tjetër. Restorante peshku dhe hotele të vegjël janë ndërtuar përgjatë digës në vitet e fundit, të cilat kanë një bukuri shumë të veçantë me kabinat e tyre prej druri. Duke vozitur në skelë, do të shihni ujin në ngjyrën blu të shndritshëm, kënetën me ngjyrën e gjelbër, kunje të larta bambuje në ujë dhe rrjeta peshkimi të varura aty.

Mund të kaloni kohë duke parë peshkatarët në qetësi, sesi ata manovrojnë me rrjetat dhe si e mbledhin peshkun. Sapo të shkelni këtu, do të ndjeni menjëherë se, kjo pikë e vogël mrekullie, është një dorë e fortë esence, e cila të pastron trupin dhe mendjen nga ndotja e jetës së përditshme.

Një ditë në Patok mund ta organizoni si një ditë ekskursioni, që mund të nisë në fillim me një xhiro përmes pyllit të Fushëkuqes dhe mbledhjes së bimëve medicinale. Pastaj lundrimin me varkë, gjithmonë nëse mban kohë e mirë. Gjithashtu pasionantët e peshkimit mund të marrin mjetet me vete e ndonjë zgarë po të jetë dita me fat, përndryshe mund të hani peshkun që ofrojnë lokalet, mes tyre cumrrën që ka shije të jashtëzakonshme.

Flora dhe fauna e Lagunës së Patokut tërheqin përvit me mijëra vizitorë, të cilët zakonisht pëlqejnë shëtitjet me varkë në Lagunën e qetë. Zakonisht vijnë nga Tirana, Laçi dhe Lezha, për të kaluar një ditë ndryshe, në Luginën e Patokut, e cila konsiderohet si njëra nga pesë lagunat më të pasura në bimësi, peshq dhe shpendë. Mos harroni një palë dylbi me vete. Mund të sodisni zogjtë që fluturojnë mbi lagunë dhe zhytjen e tyre në ujë për të kapur ushqimin e tyre. Kjo gjë për fëmijët është shumë ekzaltuese. Peizazhin e zbukurojnë akoma më tepër kasollet e vogla prej druri të ndërtuara mbi lagunë, të cilat së largu të krijojnë ndjesinë sikur po vrojton kasollet e famshme të ishujve të Paqësorit. Kombinimi i shtëpive prej druri, kabinave dhe i palmave, me një rezervat fantastik natyror, të paprishur në sfond, me baltë, kënetë dhe kallamishte, bashkë me rrjeta tradicionale të peshkimit, e bëjnë këtë një vend unik.

Nga tarraca e restoranteve të peshkut me emra si Paradiso, Perla e Patokut dhe Fishhouse, mund të shikoni një seri bunkerësh të vegjël prej betoni, mbetje e izolimit shqiptar të para viteve ’90.

Çfarë të hani dhe ku të flini

Në këto kasolle prej druri ju do mund të shijoni gatimin tradicional e të shijshëm të restoranteve të Patokut. Restorante të ndërtuar vitet e fundit kryesisht mbi ujë, të ofrojnë peshkun më të mirë dhe gatimet tradicionale më të veçanta që mund të keni provuar ndonjëherë. Buka e misrit e përgatitur aty për aty, apo peshqit e freskët që kapen në lagunë, janë vetëm disa nga gatimet që do ju bëjnë “të lëpini gishtat”.

Në Patok, mund të gjesh peshk të disa llojeve, si: qefull, levrek, gjuhëz, çafra, ngjala etj. Por duhet të dini se lugina e Patokut merret me kultivimin e ngjalës, prandaj ju sugjerojmë të mos e humbisni një rast të tillë. Megjithatë, në çdo stinë të vitit është e sigurt që do të hani peshkun e freskët, të cilin laguna “ia tërheq” lumit dhe detit. Mund të ndaloni në cilindo vend për të ngrënë e nuk do mbeteni të zhgënyer, ndërsa ne po veçojmë dy prej tyre. Njëri është “Piccola Venezia”, ku ushqimi është shumë i mirë dhe pozicioni i restorantit mbi ujë e bëjnë atë gati përrallor. Gjithashtu mund të hani tek “Paradiso”, nga i cili do të shijoni jo vetëm verën dhe peshkun e një cilësie shumë të mirë, por ndoshta edhe një nga perëndimet më të bukura që keni parë ndonjëherë.

Për ata që duan të qëndrojnë më gjatë, nuk mungojnë as disa hotele të pozicionuara anës lagunës. Në fund të udhëtimit tuaj, nuk mund të largoheni pa konfirmuar dhe dyshimin mbi prejardhjen e emrit të Lagunës. Emri Patok ka ardhur natyrshëm, si rrjedhojë e patave të shumta që popullonin zonën.

Neritana Kraja