Shpresa Gashi është këngëtare e njohur shqiptare me një karrierë mbi 4 dekada. Ajo rrjedh nga një familje e vjetër qytetare në të cilën është kultivuar dhe trashëguar ndër breza dashuria për muzikën dhe artin. Ajo lindi dhe u rrit në një ambient familjar ku fitoi dashurinë për muzikën dhe mbështetjen për të ndjekur rrugën e këngës. Pas studimeve në Akademinë e Muzikës në degën e Teorisë së Muzikës, Shpresa Gashi u bë pjesëtare e Ansamblit Profesional, të parit dhe të vetmit në hapësirën e ish-Jugosllavisë, në Zagreb. Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar në redaksinë e muzikës në Televizionin e Prishtinës. Shpresa Gashi, ka kënduar në shumë fesitivale dhe skena muzikore, në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe Australi. Interpretimet e saj janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Shpresa Gashi është edhe kantautore e tetë këngëve. Në një intervistë ekskluzive për CMG Znj.Gashi na tregon rreth karrierës së saj artistike ndër vite.

Shpresa Gashi në rininë e saj (Revista Kosovarja)

Shpresa Gashi në rininë e saj (Revista Kosovarja)

CMG: Znj.Gashi është privilegj dhe nder që t’ju kemi të ftuar në emisionin Bio Folk.

Shpresa Gashi: Nderi është edhe i imi.

CMG: Ju keni një lidhje gjenetike me muzikën. Mjafton të kujtojmë gjyshen Nicë, që luate në violinë, nënën Gjina, këngëtare, tezen Jozefinë këngëtare, apo të afërmen Gongje soprano. Si lindi kënga tek ju?

Shpresa Gashi: Nëse është e vërtetë ajo se çfarë unë po mendoj, gjenetika është shumë e rëndësishme, atëherë rrjedh nga stër stërgjyshja ime që është piktura e Kol Idromenos, që ishte Xhokonda shqiptare “Motra Tone”. Ajo ishte stërgjyshja e nënës time dhe thonë se ajo asokohe, pra në vitet 1800 ka qenë femra e parë që ka kënduar në manifestimet e atëhershme dhe nëse eshtë gjenetika, fillon prej aty. Më vonë muzika është përcjellë te nëna dhe tezet e mia. Fatkeqësisht nëna ime vdiq pa e kuptuar se është përjetësuar piktura e Kol Idromenos stërgjyshes së saj në një pikturë të cilën e dimë se është restauruar në Paris dhe është vlerësuar si Monaliza shqiptare. Unë vetë nuk e kam ditur derisa në një moment më merr në telefon Ardit Gjebrea dhe pyeti sesi është quajt stërgjyshja ime. Unë i thashë se e di se është në familjen Skanjeti, por që nuk e di historinë e familjes sime. Kështu që unë kisha dëgjuar disa gjëra për familjen Skanjeti, gjyshen e nënës e mbaj mend sepse isha në shkollën fillore kur ajo shkruante italisht.

Shpresa Gashi me fotografin e mirenjohur Fadil Berisha (Facebook)

Shpresa Gashi me fotografin e mirenjohur Fadil Berisha (Facebook)

CMG: Këtë talent muzikor a ia keni trashëguar fëmijëve tuaj?

Shpresa Gashi: Unë pa insistim sepse nuk kam pasur ambicje te djali, por djali im është në fakt 50 për qind me vesh muzikor më të mirë se unë, është tepër i talentuar dhe ka një vesh muzikor absolut. Unë ja kam ofruar të gjitha kushtet për të kultivuar dhe zhvilluar atë, por ai nuk deshi. Ai i bie pianos, violinës, flet shtatë gjuhë të huaja, por nuk ishte i interesuar për të vazhduar muzikën. Ai e ka muzikën në gen dhe sidomos muzika jazz i flen shumë atij.

CMG: A keni idhuj në muzikë? Mund të ndani me ne artistet që ju kanë ndriçuar rrugën e bukur të këngës, me shembullin e tyre?

Shpresa Gashi: Fillimisht si fëmijë unë i kam dëgjuar këngët e Tefta Tashkos, Luçie Milotit dhe Marie Krajës, më vonë dhe këngët e Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës dhe krejt këto artiste i kam pasur idhull. Gjithashtu jam munduar të imitoj këngët e sopranos Marie Kraja dhe më vonë Nezhmije Pagarushës. Tani ka zëra shumë të bukur dhe i dëgjoj.

Shpresa Gashi gjate nje eventi (Facebook)

Shpresa Gashi gjate nje eventi (Facebook)

CMG: Ju keni kryer studimet në Zageb dhe në fillime tuaja keni interpretuar edhe në muzikën klasike.

Shpresa Gashi: Patjetër, dhe kam qenë anëtare e ansamblit të parë dhe të vetëm në ish- Jugosllavi, që kultivonte muzikën e renesancës. Unë isha anëtare e atij ansambli që e udhëhiqte një muzikant i njohur dhe ai ishte rastësisht djali i një profesoreshës time të kantos, ku unë mbaja disa orë të këndimit. Ishim me një ansambël që shëtitëm nëpër Europë dhe në rajon, por nostalgjia e vajzës mitike të Kosovës, unë u ktheva sepse kisha nostalgji dhe nuk mund të qëndroja më atje. Edhe pse në akademinë e muzikës në Zagreb më ofruan dy vite në Amerikë pa pagesë, një lloj specializimi por unë vendosa që të kthehem në Kosovë.

CMG: Keni kënduar në shumë fesitivale dhe skena muzikore, në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe Australi. Si i kujtoni këto stacione të karrierës suaj?

Shpresa Gashi: Kanë qenë momente të bukura dhe unë mendoj që prapë me lind edhe njëherë, prapë e kisha zgjedh këtë profesion. Nuk është profesion i lehtë, është i mundimshëm, por të krijon kënaqësi të mëdha. Unë vërtetë kam kënduar nëpër festivale të ish-Jugosllavisë ku prezantoja Kosovën në festivalin e Eurovizionit, natyrisht që nuk kishim shancin të fitonim aty, por pjesëmarrja ishte e rëndësishme. Dy herë e kam prezantuar Kosovën ku kam qenë dhe në juri në Festivalin Europian, në Lubjanë. Kam kujtime të bukura dhe është profesion që unë vërtetë e dua edhe pse ka krijuar dhe strese e shqetësime të mëdha, por dhe shumë kënaqësi.

Shpresa Gashi me kantautorin Ardit Gjebrea dhe artiste te tjere (Facebook)

Shpresa Gashi me kantautorin Ardit Gjebrea dhe artiste te tjere (Facebook)

CMG: “Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip”. Është ky një vlerësim për ju nga muzikologu i mirënjohur shqiptar Ramadan Sokoli. Aktualisht kur ka rryma të shumta muzikore, cila do të ishte këshilla juaj për këngëtarët e rinj?

Shpresa Gashi: Është një nga vlerësimet më të bukura të muzikologut Ramadan Sokoli, sepse më ka dëgjuar live. Unë isha në një festë familjare dhe ishin duke kënduar Irma dhe Eranda Libohova dhe ato më ftuan në skenë ku unë këndova dy këngë. Reagimet aty ishin që këndon shqip, ke timbrin shqip dhe mi dha disa komplimente që unë me javë të tëra nuk kam fjetur prej kënaqësisë. Kështu që përpos vlerësimeve që kam marrë, komplimenti nga muzikologu Sokoli është më i madhi. Ndërsa përsa i përket brezit të ri të këngëtaëve, unë mendoj se rinia duhet t’i përcjellë trendet botërore me të gjitha këto rrymat që janë, por mundësisht profesionistët atë muzikë ta shkruajnë me një taban kombëtar. Muzika shqiptare është fantastike, muzika e jugut e cila është e ruajtur edhe nga UNESCO, kështu që me e marrë atë muzikën e jugut, tabanin e asaj muzike që e kemi të mrekullueshme dhe me punu mbi atë. Nuk kam asgjë kundër që rinia tenton t’i përcjellë rrymat e reja.

Shpresa Gashi (Tekste shqip)

Shpresa Gashi (Tekste shqip)

CMG: Çfarë kujtimesh ruani nga vizitat tuaja në Tiranë, para viteve 90-të?

Shpresa Gashi: Ishte fundi i viteve 80-të ku unë me Venera Memetagaj, flautisten e njohur kosovare, ishim mysafire të Radio Televizionit Shqiptar. Venera punoi me flautistin Gjovalin Shestanin dhe unë me profesoreshën e ndjerë Jorgjie Truja. Unë nuk e harroj kulturën e saj, sjelljen dhe embëlsinë e saj. Ky ishte një specializim i shkurtër një mujor, por për një muaj regjistruam 10 materiale muzikore. Kështu që kam kujtime shumë të mira nga ajo kohë në Tiranë.

CMG: Nga repertori juaj i larmishëm, cilat këngë keni më për zemër?

Shpresa Gashi: Unë fillimisht si fëmijë kam pasur miqësi me patriotin tonë i cili ka qenë dhe poet, muzikant, këngëtar dhe atdhetar i madh, Jusuf Gërvallën. Më atë si fëmijë kam kënduar këngën të cilën e kisha dëgjuar nga kushërira ime Gongje Gashi, “Këndo kitarë në gjuhën time”. Këtë këngë e këndoja me Jusuf Gërvallën dhe ka mbetur si kënga më e dashur për mua. Pastaj kënga “Unë ty të kam dashtë”, të cilën e kam inçizuar më vonë, të dëgjuar nga nëna ime, e cila ka kënduar shumë më bukur se unë. Ishte një festival lokal i Pejës që titullohej “Mikrofoni është i juaji” dhe aty u vlerësuam me çmim të parë me këngën “Unë ty të kam dashtë”. Kjo ishte kënga e parë që regjistrova në Radio Prishtinën e atëhershme. Më vonë shkova në shkollë të mesme të muzikës në Prizren sepse nuk kishte shkollë profesionale në Pejë, dhe pas shkollës së mesme punova një vit në Pejë si mësuese muzike. U përgatita për provimin pranues në Zagreb dhe kur u ktheva në Pejë punova dhe një vit në gjimnazin e Pejës, ku dhashë muzikë. Kur u hap Televizioni i Prishtinës më ofruan një pozicion pune, por unë kur u ktheva nga Zagrebi kisha ambicjen që të hapej institucioni i operas, por nuk e arrita. Në Kosovë ka shumë zëra të bukur, është një mal i paprerë me talente, dhe po pres që dëshirat e mia të parealizuara t’i shikoj të realizuara tani.

Shpresa Gashi ne studion e Radio Ejani ne interviste per CMG

Shpresa Gashi ne studion e Radio Ejani ne interviste per CMG

CMG: Një mesazh përshëndetës për publikun tonë.

Shpresa Gashi: Si të gjithë, ne jemi të shqetësuar me pandeminë dhe uroj që të jetë numri sa më i vogël i pandemisë, të shoh fytyra sa më të qeshura, rini të gëzueshme, të suksesshme dhe punëtore.

Intervistoi: Gazmend Agaj