Fshatrat olimpikë në qendër të qytetit të Pekinit, distriktin Yanqing dhe në qytetin fqinj Zhangjiakou janë gati për të pritur sportistët nga mbarë bota, tha Komiteti Organizator Olimpik i Pekinit më 28 dhjetor 2021, një muaj para hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

Fshati olimpik në distriktin Yangqing, në Veriperëndim të Pekinit, zhvilloi raundin e fundit të testimit më 11 dhe 12 dhjetor. Komiteti Organizator Olimpik i Pekinit tha se rezultatet tregojnë se ai fshat është i gatshëm për Lojërat Olimpike. Ndërtimi kryesor i fshatit ka përfunduar, pothuajse të gjitha materialet dhe pajisjet janë instaluar dhe të gjitha postet kyçe janë gati për kryerjen e detyrave.

Janë dashur pesë vjet nga zgjedhja e vendit deri në përfundimin e ndërtimit të tre fshatrave. Një nga objektivat ishte ndërtimi i fshatrave të gjelbër dhe të vazhdueshëm. Sot, të tre fshatrat e kanë përmbushur këtë objektiv.

“Të tre fshatrat e Olimpiadës Dimërore përputhen me standardin e ndërtimit të gjelbër me tre yje. Gjatë ndërtimit të fshatit në Yanqing, afro 130 pemë janë ruajtur atje dhe 24 mijë pemë të tjera u transplantuan në një ‘pyll olimpik’,” tha Liu Yumin, drejtori i departamentit të planifikimit dhe të ndërtimit të Komitetit Organizator për Lojërat Olimpike të Pekinit.

Fshati i Olimpiadës Dimërore/ VCG

Fshati i Olimpiadës Dimërore/ VCG

Tjetër detyrë e rëndësishme për Olimpiadën është pastrimi dhe trajtimi i mbeturinave të fshatrave. Komiteti organizator krijoi një sistem të heqjes së mbeturinave.

“Sistemi ynë standard është formuar në bazë të përvojës së industrisë së pastrimit të vendit, ndërsa standardi u hartua nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Ai përfshin udhëzues në nivel makro, por edhe standarde e procedura të hollësishme. Të tre fshtrat do të funksionojnë në bazë të të njëjtit sistem,” theksoi Liu.

Në gjendjen pandemike, kontrolli i COVID-19 është një nga punët më të rëndësishme. Komiteti organizator publikoi kohët e fundit edicionin e dytë të Manualit mbi Parandalimin e Epidemisë, si edhe një plan të reagimit urgjent nëse zbulohet një rast pozitiv në fshatrat.

“Në radhë të parë, nëse do të zbulohen raste pozitive, grupi mjekësor do t’i dërgojë menjëherë të prekurit me ambulancë në spitalin e sëmundjeve ngjitëse dhe pastaj do të përcaktojmë dhe menaxhojmë njerëzit me të cilët kanë qenë në kontakt të ngushtë. Më vonë, personeli profesional do të bëjë dezinfektimin e gjithanshëm të mjedisit. Në fund do të ftojmë edhe ekspertët për vlerësimin e situatën e përgjithshme”, tha Ma Boyang, sekretari i përgjithshëm i grupit të operimit në terren për Fshatin Olimpik Dimëror të Pekinit.

Siguria dhe rehatia janë kërkesat më thelbësore dhe bazë për fshatrat olimpikë. Krahas këtyre, komiteti organizator shpreson se sportistët nga mbarë bota do të shijojnë edhe kulturën kineze. Kështu, në të tre fshatrat ka shumë elemente kineze. Ndërtesat e fshatrave olimpikë u dizenjuan të frymëzuar nga arkitektura tradicionale kineze, ndërsa fshati në distriktin Yanqing ndodhet pranë Murit të Madh Kinez. (Wang Lei/ Artan)