Ka qytete që nuk shfaqen kurrë në revistat turistike dhe mbeten të panjohura për shumicën. Elbasani është një prej tyre. I vendosur në zemër të Shqipërisë, rreth 40 minuta me makinë nga kryeqyteti, Elbasani është një qytet i lashtë, që zakonisht vizitohet ditën e verës, por që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit, pasi mund ta konsideroni, një qytet turistik.

Çfarë të shihni?

Ju mund ta filloni shëtitjen tuaj me një vizitë në Lagjen e Kalasë, për të parë nga afër objektet e interesit dhe rrugicat e vjetra me kalldrëm.

Foto explore albania life.com

Foto explore albania life.com

Kalaja është zemra e Elbasanit. Eshtë ndërtuar në vitin 1466 mbi themelet e qytetit antik ilir të Skampinit. Kalaja është një atraksion identifikues i qytetit. Periudha e shkëlqimit më të madh të kalasë ishte në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur brenda kishte jo vetëm shtëpi, por edhe dyqane të shumta, ku tregtoheshin produkte artizanale vendase.

Kalaja, ishte shumë e rëndësishme sepse përmes saj kalonte Rruga Egnatia, që në atë kohë ishte një rrugë kryesore komunikimi mes Perëndimit e Lindjes. Si një objekt historik shumë i rëndësishëm, kalaja është shpallur monument kulture. Brenda saj ndodhen edhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore.

Kulla e sahatit

Në anën lindore të dyerve të kalasë qëndron kulla e sahatit që daton në fund të shekullit të 19-të dhe që nga viti 1963 është shpallur monument kulture. Muret mbresëlënëse të pallatit ende mbyllin, brenda tyre, një lloj qyteti brenda qytetit.

Foto explore albania life. com

Foto explore albania life. com

Gjëja e parë që të bie në sy, menjëherë brenda mureve, është heshtja: rrugë të shkreta, rrugica të fshehura dhe pak njerëz. Merrni të gjithë kohën që ju nevojitet për të shëtitur në mënyrë paqësore nëpër rrugicat me kalldrëm, duke kqyrur shtëpitë tradicionale, që datojnë nga vitet e gjata të sundimit osman, ndërtesa nga epoka italiane, pallate të stilit socialist dhe të tjera bashkëkohore, derisa të arrini te Xhamia e mrekullueshme e Mbretit.

Xhamia

Ndërtuar në vitin 1492 me urdhër të Sulltan Bajazitit II, një prej guvernatorëve më të ndritur osmanë, i cili u dallua për politikën e mirëseardhjes së hebrenjve të arratisur nga Spanja në fund të shekullit të 15-të, është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe gjendet në qendër të kalasë, afër portës së hyrjes.

Via Egnatia

Via Egnatia, ose Rruga Egnatia, është një monument infrastrukturor i ndërtuar nga romakët, nga mesi i shekullit II para Krishtit, i cili ka shërbyer si urë komunikimi midis lindjes dhe perëndimit, Evropës dhe Azisë, nga deti Adriatik në very, në Detin Egje.

Kjo rrugë historike, padyshim që ia vlen ta vizitoni kur jeni në Elbasan, për të pasur një përvojë të dorës së parë dhe për të udhëtuar pas në kohë, për të kuptuar më pas rëndësinë e këtyre territoreve, të lidhura së bashku nga kjo rrugë që kalonte në Shqipërinë e sotme, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Turqinë Evropiane.

Hamamet

Banjat turke, të njohura si Hamame, gjenden brenda kalasë së Elbasanit, të njohura edhe si Hamamet e Grave dhe datojnë në shekullin e 16-të. Përfshijnë tre dhoma, - dhomën e zhveshjes, dhomën e izolimit dhe dhomën e dushit. Sot janë kthyer në një vend mjaft tërheqës, i cili përmban pamje të historisë dhe jetës urbane të këtij qyteti gjatë mesjetës.

Muzeu Etnografik foto facebook faqja zyrtare

Muzeu Etnografik foto facebook faqja zyrtare

Një vizitë në Muzeun Etnografik është gjithashtu e rekomandueshme, për të njohur traditat e pasura të qytetit, përmes objekteve të jetës së përditshme dhe momenteve festivë, që janë përfaqësueset e denja të një qyteti që është konsideruar gjithmonë si zemra e Shqipërisë së Mesme. Në oborrin e muzeut ju përshëndet edhe një statujë e Isuf Myzyrit, krijuesit të pothuajse të gjitha këngëve qytetare elbasanase, aq të njohura në të gjithë Shqipërinë.

Një shëtitje në sheshet kryesore të qytetit dhe përgjatë mureve të kalasë, ju njeh me objekte të interesit në natyrë, si mozaiku i Bazilikës Paleokristiane përballë kalasë, zbukuruar vitet e fundi si dhe skulpturat e vendosura kudo nëpër qytet, që i kanë dhënë Elbasanit pamjet e një qyteti arti.

Ku të hani

Taverna Kala, është vendi kryesor që rekomaddojmë, si vend për të ngrënë por edhe si pjesë e trashëgimisë materiale të këtij qyteti.

Taverna Kala. Foto facebook nga faqja zyrtare

Taverna Kala. Foto facebook nga faqja zyrtare

Eshtë lehtësisht i dallueshëm, gjendet lehtë, pas hyrjes ballore, anash të cilës ndodhet edhe dy çezmat. Një lokal i vogël, veshur me dru ku motivet dhe objektet e shumta të çojnë pas në kohë, së paku më shumë se një shekull. Taverna Kala trashëgohet nga pinjolli i fundit i një brezi kuzhinerësh të Elbasanit dhe është kthyer në destinacionin më të dashur për të qëndruar dhe për të ngrënë, sidomos për turistët e huaj. Të hysh aty e gjen veten si në mes të një ekspozeje antikuarësh të vjetër, që pronari restorantit i ka mbledhur me durim për shumë e shumë vite. Ai është shumë mikpritës. Nëse i kërkon një raki, ai të sjell edhe dy mezera të vogla, turshi e djathë, nëse i kërkon kafe, të sjell edhe disa llokume me arra, nëse i kërkon tavë kosi të sjell edhe një sallatë të vogël. Të flasësh me të, është njëlloj sikur të flasësh me ciceronin e kalasë, pasi ky vend ka qenë, jo vetëm shtëpia ku ai ka jetuar, por edhe e të parëve të tij. Nuk ka stërhollime të gatimeve, ato janë besnikërisht tradicionale të Elbasanit. Pa dyshim, ky qoshk i mrekullueshëm, do të vazhdojë të ofrojë traditën elbasanase edhe përtej kufijve të Shqipërisë dhe kjo duket kaq qartë, mjafton t`i hidhni një sy përshtypjeve në Trip Advisor, për të kuptuar se me çfarë dashurie këta njerëz e përfaqësojnë atë që kemi më të shenjtë e më mirë se kudo të Ballkan të shprehur: mikpritjen.

Muzeu Etnografik Foto facebook

Muzeu Etnografik Foto facebook

Festa dhe evente

Tradita në Elbasan, është një nga gjërat që njerëzit përpiqen ta ruajnë mirë. Elbasani, i ka dhënë emrin një prej gatimeve më karakteristike shqiptare, tavës së kosit, të cilën nuk mund të rrini pa e provuar kur të shkoni në Elbasan. Me mish qengji, kos dhe vezë, ajo ka në dukje pak përbërës dhe një procedurë të thjeshtë, por teknikën se si duhet gatuar, e zotërojnë vetëm zonjat elbasanase, të cilat e ruajnë me fanatizëm sekretin e tavës që ka marrë emrin e qytetit të tyre

Muzeu Etnografik foto facebook faqja zyrtare

Muzeu Etnografik foto facebook faqja zyrtare

Një qytet krenar plot me njerëz miqësorë, Elbasani pret festimet më të mëdha në "Dita e Verës", një ditë kur specialiteti i kuzhinës - "ballokumja” e ëmbël, konsumohet nga të gjithë. Elbasansanit kanë një traditë shekullore në festimin e kësaj dite që e trashëgojnë brez pas brezi. Kjo festë kujtohet çdo vit me 14 mars.

Por Elbasani bëhet veçanërisht festiv dhe i egër kur ndeshjet kombëtare të futbollit mbledhin tifozë nga i gjithë vendi në Elbasan Arena e re. Rreth këtij qyteti, ka qindra liqene të bukur ku vendasit shkojnë për peshkim, piknik dhe relaksim. Belshi, për shembull, me qendrën e qytetit të ndërtuar gjatë viteve të fundit dhe liqenin e bukur, kohët e fundit është kthyer në një destinacion shumë popullor.

Neritana Kraja