Të gjithë e njohin Kolë Idromenon, si piktor i talentuar dhe sidomos si autor i veprës së njohur “Motra Tone”, e konsideruar si Monaliza e pikturës shqiptare. Por, jo të gjithë e dinë se ai ishte një arkitekt dhe urbanist i shkëlqyer dhe se ka projektuar, rrugë, shtëpi, objekte kulti, të cilat i kanë dhënë qytetit fizionominë dhe fytyrën që ka akoma sot.

Motra Tone- fotot Galeria e Arteve

Motra Tone- fotot Galeria e Arteve

Kolë Idromeno, pa dyshim është një artist poliedrik, i cili mjeshtrinë e vet artistike e shprehi përmes fotografisë, (ishte nxënës i Pjetër Marubit), pastaj si piktor (shkolla Veneciane e pikturës) dhe aritekt e urbanist. Ai është një personalitet që vetvetiu imponohet si një figurë e fuqishme e artit shqiptar në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX.

Gjurmët e veprës së tij gjenden kudo në qytet. “Dugajt” e reja” në Shkodër është një rrugë e projektuar prej tij, por dhe shumë ndërtesa të qytetit dhe rrugë qëndrore janë punuar nga dora e Koli Idromenos.

Gjithashtu pamjet që sot shohim në një pjesë të mirë të këtij qyteti janë projektuar nga urbanisti dhe projektuesi Kolë Idromeno dhe janë rreth 100 të tilla. Kjo arkitekturë gjithnjë ka lënë gjurmë në kujtesën e të huajve që e kanë vizituar qytetin. Falë Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë.

Shtepia e Kole Idromenes

Shtepia e Kole Idromenes

Skicat që mbajnë firmën e Idromenos kanë nisur të realizohen që prej vitit 1903. Kafja e Madhe është vepër e tij! Xhamia e re e Parrucës gjithashtu. Edhe zbukurimet në tavanin e Kishës së Madhe, janë realizuar me shumë kujdes e mjeshtri nga mjeshtri Idromeno.

Tre nga veprat më të rëndësishme të tij janë Kafja e Madhe, Pjaca dhe Kisha e Madhe.

Kafja e Madhe është pjesë e atij kompleksi ndërtimesh, që mbushin rrugën e Pjacës të projektuara edhe ato nga Idromeno. Vërehet një gërshetim i traditës së ndërtimit të godinave qytetare me stile të ndryshme, veçanërisht të fasadave, dekoracioneve, kornizave, bordurave, mensola, ballkoneve të stisura dhe dritareve me grila. Është i dukshëm në këtë drejtim, ndikimi i arkitekturës së qyteteve të përparuara të mesdheut. Kafja e Madhe ishte në ato vite shprehja tipike e zhvillimit të kapitalizmit në fushën e tregëtisë dhe veçanërisht në atë të hotelerisë. Dhe kjo ndërtesë mban firmën e Idromenos.

Skica te disa veprave arkitekturore ne Shkoder - Foto nga semanticscholar.org

Skica te disa veprave arkitekturore ne Shkoder - Foto nga semanticscholar.org

Kisha e Madhe ndodhet në zemër të qytetit, shumë pranë Pjacës, apo pedonales së Shkodrës, një prej zonave më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Ndërtesa kryesore i ngjan trupit të Katedrales së Parisit. Në fotot e vjetra shquhen afresket mbi mure, një pjesë e të cilave ishte vepër e piktorit të Shkodrës Kol Idromeno. Ai i punonte deri në hollësi zbukurimet. Meritë e tij është edhe projektimi i disa shtëpive karakteristike në Shkodër. Mes skicave të ekspozuara është dhe ajo e shtëpisë së vetë Idromenos, apo të tjera banesa të njohura të atyre viteve. Por mbi të gjitha nga projektimet, bie në sy më e bukura prej tyre, ajo që njihej si Pijaca e dikurshme (Pedonalja sot). Madje Pedonalja mban edhe emrin e mjeshtrit të urbanistikës, projektimit dhe të arkitekturës, Kolë Idromeno. Në projektimin e kësaj rruge, ajo që bie në sy, është uniformiteti. Mjeshtri është treguar i kujdesshëm që ndërtesat e realizuara të ishin në sinkron me njëra-tjetrën, duke e bërë atë një nga rrugët më tërheqëse në Shqipëri.

Rruga-kol-idromeno-pedonale-shkoder

Rruga-kol-idromeno-pedonale-shkoder

Idromeno ka filluar të punojë më 1880, deri më 1940, kur ai ka ndërruar jetë. Është një punë kolosale e shtrirë në 6 dekada. Kolë Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër. Ai ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri, 1919. Sot Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të Shkollës Shkodrane të Arteve Pamore së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrota. Studiuesit ia dedikojnë karrierën e tij mjeshtrit të fotografisë shqiptare, Pietro Marubit, i cili zbuloi qysh herët talentin te djaloshi, që rrinte me orë të tëra në studion e tij, dhe e shihte si ngjizte fotografinë. Ishte Marubi ai që i kërkoi të atit ta çonte me studime jashtë. Në moshën 15-vjeçare ai niset me studime në Venecia për pikturë, duke u njohur me veprat e rilindësve si Civeli, Montegnas, Gentili etj., ku vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, tërhiqej edhe nga fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit.



Pedonalja - foto Aventurat

Pedonalja - foto Aventurat


Në 2 shkurt 1883 ai realizon portretin e motrës së tij "Motra Tone", e quajtur edhe "MonaLiza" e Shqipërisë, e cil është vlerësuar si portreti i parë psikologjik e social i pikturës realiste shqiptare të Rilindjes sonë.

Motra e tij e veshur me veshjen tradicionale shkodrane është ngulitur në atë vepër arti, me gjithë delikatesën, bukurinë dhe dëlirësinë shpirtërore të një femre shqiptare. Por arkitektura mbeti një tjetër pasion i tij i madh, i cili është reflektuar në formën që ka sot qyteti i tij i lindjes. Gjatë sulmit të Shkodrës nga malazezët, Idromeno ka bërë disa ndërtime në qendër, që i dhanë një fizionomi të re qytetit.

Neritana Kraja