Albert Zholi është shkrimtar, publicist dhe gazetar i njohur në median shqiptare. Ai është autor i 23 librave dhe ka redaktuar 307 libra artistikë, publicistikë, tregime dhe me poezi. Albert Zholi është njëri ndër krijuesit më aktivë dhe më i gjithanshëm në krijimtarinë e tij të pasur. Roli i tij në pasurimin e publicistikës shqiptare në përgjithësi, është shumë domethënës, në radhë të parë për temat e shumta dhe të ndryshme që ka trajtuar dhe trajton me një diskurs të shkëlqyer letrar e artistik, gjuhë të pasur dhe tejet komunikuese me lexuesin, hulumtues i talenteve, intervistues ndër më të zellshmit, prezantues i temave të shumta dhe të ndryshme të jetës kulturore, përgjithësisht një krijues aktiv shumëdimensional. Në një intervistë për CMG ai flet për krijimtarinë e tij letrare dhe artistike gjatë 30 viteve.

Albert Zholi ne interviste per CMG

Albert Zholi ne interviste per CMG

CMG: Në fushën e botimeve ju keni një numër të konsiderueshëm librash të botuara. Sa është numri i botimeve dhe redaktimeve që keni bërë gjatë 30 viteve krijimtari?

Albert Zholi: Unë para pak kohe kam nxjerrë librin tim të fundit me tregime “Dashuri pa kushte” dhe ky është libri im i 23-të në krijimtrainë time. Libri im i parë përkon me vitin 1996, “Ikja e madhe” në Greqi. Pra, 23 libra janë në gjithë këto vite krijimtari dhe mund të them që të gjitha librat janë mirëpritur për vetë faktin sepse dhe tematika e tyre ishte e larmishme. Gjithashtu mund të them që kam në gjithë krijimtarinë time, 307 libra të redaktuar, rreth 6000 intervista dhe kam një bashkëpunim me 54 gazeta dhe revista si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo është pak a shumë ajo që përmbledh krijimtarinë time rreth 30 viteve krijimtari.

Albert Zholi (Facebook)

Albert Zholi (Facebook)

CMG: Pra mund të themi se ju keni një numër rekord botimesh, redaktimesh dhe intervistash të realizuara për periudhën 30 vjeçare të krijimtarisë tuaj.

Albert Zholi: Besoj se me këtë duhet të merren statistikat, por mund të them që vërtetë në numrin e intervistave dhe redaktimeve besoj se nuk ka ndonjë që ka këtë shifër. Unë dua të them që krijimtaria është e vështirë dhe aq më tepër redaktimi është një proçes tepër i vështirë dhe të realizosh një redaktim është sikur të jesh pjesë e autorit. Kjo gjë me të vërtetë më ka bërë të ndjehem mire, sepse bashkëpunimi 30 vjeçar nuk më ka nxjerrë ndonjë problem, përkundrazi me të gjithë ata që unë kam bashkëpunuar kanë qenë të kënaqur dhe kjo më jep një ndjesi të mirë.

Albert Zholi gjate marrjes se vleresimit Qytetar Nderi i Tepelenes (Facebook)

Albert Zholi gjate marrjes se vleresimit Qytetar Nderi i Tepelenes (Facebook)

CMG: Ju keni gjithashtu një lidhje të ngushtë me artistët më të njohur shqiptarë, qoftë të kinemasë dhe të muzikës. Gjithashtu keni realizuar edhe disa monografi të artistëve. Monografia ju është dukur e vështirë si gjini?

Albert Zholi: Gjinia e monografisë është gjinia më e vështirë sepse monografia mbi të gjitha nuk lejon gabimin, nuk lejon kohën, vendin dhe ngjarjen që ta deformosh dhe kjo është një përgjegjësi historike sepse kur bën monografi me personalitete dhe të gabosh datat e lindjes, datat e zhvillimit të një situate, të një filmi apo të një drame, e tjetërson personazhin. Mund të them që duke bërë monografinë e Reshat Arbanës, Luftar Pajës, Anita Bitrit, Kujtim Gjonajt apo Kiço Mustaqit, pra janë një numër i madh monografish me personalitete që nuk i ka askush këtë numër në Shqipëri nga të gjithë krijuesit. Kam ndjerë një përgjegjësi të madhe dhe një lodhje të jashtëzakonshme. Mund të them që për monografinë e Reshat Arbanës kam punuar rreth pesë vjet, tre vjet kam punuar me Luftar Pajën dhe tre vjet me monografinë e Anita Bitrit. Pra është një punë rraskapitëse, por kur ke të bësh me personalitete të tilla ndjehesh mirë dhe kur shikon frutin e punës me të vërtetë thua që ja ka vlejtur ky mundim, aq më tepër që sot monografia është një zhanër që pak lëvrohet për vetë vështirësitë që ka si gjini letrare.

Albert Zholi me poetin Xhevahir Spahiu dhe aktorin Bujar Asqeriu (Facebook)

Albert Zholi me poetin Xhevahir Spahiu dhe aktorin Bujar Asqeriu (Facebook)

CMG: Libri i parë që ju keni shkruar ka qenë “Ikja e madhe”, një libër me tematikë emirgimin e shqiptarëve në atë periudhë. Cila ishte ndjesia juaj kur filluat të shkruanit për emigrimin?

Albert Zholi: Libri im “Ikja e madhe” ishte ndër librat e mi më të lexuar. Ky libër është botuar në vitin 1996 në Greqi te arvanitasi i shquar Aristidh Kola në shtëpinë e tij botuese dhe libri është botuar katër herë. Një mijë kopje është shtypur botimi i parë dhe flet për emigracionin shqiptar në Greqi, por rrok njëkohësisht edhe realitetin e emigracionit shqiptar në vendet e tjera, por kryesisht në Greqi sepse ishte një emigracion masiv dhe i paparashikuar, një emigracion që nuk mendohej të ndodhte në fund të viteve 90-të. Ky libër flet për ato peripeci të jashtëzakonshme që lidhen me shqiptarët për të ikur për një jetë më të mirë, nëpërmjet deteve, maleve, lumenjve në kohë të vështira dhe në mes të borës dhe që kanë pasur shumë fate tragjike. Këtu dua të përmend që kur isha në Athinë jam njohur për herë të parë edhe me tregtarët kinezë në sheshin Omonia. Mund të përmend tregtarin Li që e bëra shumë mik dhe shkoja dhe bëja pazar të vazhdueshëm, dhe shumë miqtë e mi që vinin të blinin me shumicë mallra në Greqi, vinin më takonin dhe unë i dërgoja tek miqtë e mi kinezë që tregtonin mallra me shumicë në sheshin Omonia të Athinës. Pra kjo është dhe lidhja që unë kam pasur me kinezët dhe që më kanë lënë një ndjesi të jashtëzakonshme.

Albert Zholi me aktoret Luftar Paja dhe Koco Devole (Facebook)

Albert Zholi me aktoret Luftar Paja dhe Koco Devole (Facebook)

CMG: Ndalemi pak te vlerësimet që personalitete shqiptare kanë dhënë për krijimtarinë tuaj letrare. Besoj se jeni ndjerë mirë me këto vlerësime

Albert Zholi: Unë ndjehem mirë që në hyrjen e librit të dytë kanë shkruar Ismail dhe Helena Kadare. Gjithashtu për mua në një libër hyrjen e ka bërë Dritëro Agolli, po ashtu ka folur Xhevahir Spahiu, Naum Prifti, Agim Shehu, pra të gjithë personalitetet e letërsisë shqiptare. Gjithashtu vlerësime kam marrë dhe nga Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Jorgo Papingji, Luftar Paja dhe shumë të tjerë. Unë vërtetë ndjehem mirë me këto vlerësime dhe ndoshta ata më kanë vlerësuar më shumë seç duhet. Unë duhet të jem më modest sepse ndoshta ata nga dëshira për të folur mirë, kanë folur ndoshta dhe gjëra që mbase nuk i meritoj. Gjithësesi me vlerësimet e tyre unë ndjehem mirë sepse kanë marrë mundimin që të shprehin me fjalët e tyre këta personalitete që në Shqipëri nderohen dhe respektohen.

CMG: Po ashtu ju jeni vlerësuar për arritjet tuaja edhe nga institucione dhe shoqata të ndryshme që veprojnë në Shqipëri. Mendoj se keni një arkiv të madh me vlerësimet gjatë karrierës suaj?

Albert Zholi: Janë mbi 50 vlerësime nga shumë institucione të ndryshme. Unë do përmend vetëm më kryesoret, e para Qytetar Nderi i Tepelenës në vitin 2019, por këtë vit në gusht mora një titull akoma më të madh, “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”, që përfshin qytetet e Vlorës, Sarandës dhe deri në Konispol. Qarku i Vlorës është një nga qarqet më të mëdhenj dhe me shumë peshë në jetën artistike të vendit tonë dhe ky për mua është një vlerësim jashtëzakonisht i madh. Pastaj kam marrë dhe shumë çmime si gazetar i vitit nga disa institucione, kam marrë dhe titullin “Ambasadori i paqes”. Pra për çdo vit mund të kem marrë katër ose pesë vlerësime, që më bëjnë të ndjehem mirë pavarësisht që pesha e tyre nuk është e njëjtë në të gjitha drejtimet. Sidoqoftë njeriu kur merr një vlerësim pas punës ndjehet mirë mes miqve.

Albert Zholi me familjen e tij gjate marrjes se vleresimit ne Bashkine e Tepelenes (Facebook)

Albert Zholi me familjen e tij gjate marrjes se vleresimit ne Bashkine e Tepelenes (Facebook)

CMG: Me gjithë këto arritje që ju përmendët në fushën profesionale, mendoni se jeni i realizuar, apo akoma keni të tjera synime në të ardhmen?

Albert Zholi: Njeri në krijimtari asnjëherë nuk thotë që deri këtu duhet të arrish, sepse krijimtaria troket atëhere kur nuk e mendon. Je duke ecur dhe lind një ide për një tregim, bën një bisedë me një shok dhe lind një ide për një novelë, mund të ecësh në një ambient mes miqsh dhe debati merr një fabul që nuk e ke dëgjuar, kjo është krijimtaria, pra krijimetaria është befasi dhe vjen atëhere kur nuk e mendon. Asnjëherë njeriu nuk mund të mendojë që të bëjë një planifikim se do të krijojë kaq. Unë do të jap vetëm një shembull, unë për herë të parë kam nisur romanin “Kush e vrau dashurinë” dhe romanin e botova në vitin 2015 kur kisha botuar 7-8 libra. Pra atë që nisa të parën e botova pothuajse në fund sepse nuk gjeja personazhet dhe rrugën e zgjidhjes dhe bëra gjithë këto libra me tregime dhe monografi dhe librin e parë e përfundova pas 15 vjetësh. Pra, letërsia asnjëherë nuk planifikohet.

CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit për festat e fundvitit.

Albert Zholi: Unë i uroj gjithë popullit shqiptar që ky vit që po vjen të jetë viti i mbarësisë, mirësisë, shëndetit dhe sukseseve. Populli im, ju dua të gjithëve dhe gëzuar me të gjitha të mirat për vitin 2022.

Intervistoi: Gazmend Agaj