Ditët e fundit, lajmi për një zonjë 70-vjeçare italiane që planifikon të udhëtojë përsëri më këmbë në Rrugën e Mëndafshit ka tërhequr vëmendje të gjerë. Tani zonja Vienna Cammarota po bën përgatitje fizike e psikologjike në shtëpinë e vet në jug të Italisë. Ajo shprehet që ka interes të madh për kulturën e lashtë kineze dhe planifikon të regjistrojë gjërat e ndodhura gjatë udhës si Marko Polo.

72-vjeçarja Vienna Cammarota hartoi planin e udhëtimit më këmbë në Rrugën e Mëndafshit para disa vjetëve, por pandemia bëri që ta pezullojë këtë plan. Zonja Cammarota është një dashamirëse e ecjes më këmbë dhe është drejtuesja e një klubi të udhëtimit në këmbë. Ajo ka ecur më këmbë në distanca të largëta në Europë, në Brazil, në Madagaskar, në Nepal etj. Herën e fundit ajo ndoqi gjurmët e shkrimtarit gjerman Johan Volfgang fon Gëte dhe eci nga Çekia deri në Sicili.

“Linjat e përzgjedhura nga unë janë rrugë me histori ku kanë ecur shumë personalitete, dhe Marko Polo është një prej tyre. Ai mbajti shënime për Azinë. Në të kaluarën, ne mendonim se Azia nuk ka asnjë lidhje me Europën, por në fakt Azia lidhet ngushtë me ne,” tha zonja Cammarota.

Sipas planit, gjatë udhës, dy vajza do ta shoqërojnë atë për t’i dhënë ndihmë dhe çdo ditë një mjek do ta mbikëqyrë gjendjen e saj shëndetësore nëpërmjet aplikacionit në celular. Vienna Cammarota u shpreh se shumë gra të moshës së saj kanë hequr dorë nga ëndrrat dhe nuk bëjnë më aventura. Ajo shprehu shpresën se udhëtimi i saj do t’i inkurajojë ato të realizojnë ëndrrën e tyre.

Zonja Cammarota do të kalojë 12 vende në kontinentin euroaziatik nga Venecia deri në Pekin. Ajo nuk e ka përcaktuar afatin e udhëtimit dhe planifikon ta njohë thellësisht kulturën e çdo vendi përgjatë udhës.

Para 20 vjetëve, Vienna Cammarota priti një vajzë kineze në shtëpi. Ato mbajnë lidhje edhe sot. Ajo mendon gjithmonë se kultura e lashtë kineze është shumë magjike dhe është shumë kurioze se si të trashëgohet kjo kulturë nga kinezët. Zonja Cammarota planifikon të regjistrojë gjërat që i ndodhin gjatë rrugës si Marko Polo dhe shpreson se, pasi të mbërrijë në Kinë, do të pritet ngrohtë nga kinezët. (Fani)