"Valsi i lumturisë", pa asnjë dyshim është ikona e muzikës së lehtë shqiptare. Kompozitori i saj, Avni Mula, megjithëse nuk jeton më fizikisht I ka lënë trashigimisë sonë muzikore, një nga perlat e saj. Ai, bashkë me pjestarët e tjerë të familjes, do të jenë protagonist të rubrikës sonë, si një mundësi për të kujtuar dhe vlerësuar kontributin e tre prej anëtarëve të kësaj familjeje, të Avni Mulës, bashkëshortes së tij Nina dhe vajzës, tashmë të njohur ndërkombëtarisht, Inva Mula.

Avni Mula

Avni Mula, është kompozitor dhe muzikant shqiptar, këngëtar e bariton. Ai lindi në Gjakovë, më 4 janar 1928. Familja e tij u zhvendos nga Gjakova, në Shkodër, kur ai ishte i ri dhe pas Luftës së Dytë Botërore, u transferua në Tiranë. Ai studioi në Konservatorin Tchaikovsky dhe u diplomua në 1957 si këngëtar lirik, duke kënduar me shumë sukses mjaft role të operave në T.O.B. Avni Mula jetoi në Tiranë. Ishte martuar me sopranon ruse Nina Mula dhe ka dy vajza, pianisten Adelina dhe sopranon e famshme Inva Mula. Ai fillimisht ishte pjesë e Trupës së Ushtrisë (Ansambli i Ushtrisë), duke kaluar pas kthimit nga studimet si bariton pranë Trupës Kombëtare të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe Teatrit të Operas e Baletit. Ka fituar shumë çmime gjatë karrierës së tij si kompozitor dhe këngëtar në Festivalin e Këngës RTSH, që mbahet çdo vit në Tiranë. Disa nga këngët më të famshme janë: "Nënë moj do pres gërshetin", e cila fitoi çmimin e parë në Festivalin e 1976 dhe u interpretua nga Vaçe Zela. "Këngët e atdheut tim", "Valsi i Lumturisë", "Një djep në barrikadë", etj. Mula gjithashtu ka kompozuar operan “Borana”, Poemën vokalo-simfonike “Nënë Shqipëri”, muzikën për filmin “Lumë Drite” dhe operetën“, “Karnavalet”. Për kontributin e tij, ai ka marrë disa nga medaljet më të larta të vlerësimit nga qeveria shqiptare, dekoratën e “Artistit të Popullit të Shqipërisë” dhe dekoratën “Nderi i Kombit”. U nda nga jeta në Tiranë, më 29 tetor 2020.

Nina Mula

Avni Mula i përket atij brezit të ardhur nga Konservatori i Moskës, që kur mbërriti në Shqipëri solli me vete edhe një pasuri tjetër të madhe, gruan e tij ruse, sopranon e madhe, Nina Mula. Ata ishin një çift i shkëlqyer dhe të dy, në çdo ambient flisnin shqip. Meritë kjo e Avniut, i cili e kishte lidhjen me atdheun, tipar kryesor të jetës së tij.

Nina Mula lindi më 23 nëntor 1931 në Izhevsk, Rusi. Pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Shqipëri, fillimisht në Shkodër e mandej në Tiranë, ku veç dashurisë së bashkëshortit fitoi edhe emër si soprano e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ajo kreu studimet e larta për kanto pranë Konservatorit Tchaikovsky në Moskë në vitin 1955. Në Shqipëri do të vinte në vitin 1957 dhe shumë shpejt do të emërohej soliste pranë TKOB-it në Tiranë. Për një kohë të gjatë Nina iu kushtua edhe mësimdhënies, ku punoi si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve, duke kaluar nëpër duar emrat më në zë të operistikës shqiptare. Gjatë aktivitetit të saj në TOB ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Disa nga rolet janë ai i Rosinës në operën “Berberi i Seviljes”, Norina në operën “Don Pasquale”, Tatjana në operën “Eugenj Onjegin”, Olimbia tek opera “Lulja e Kujtimit”, Suzana, te “Dasma e Figaros”, Michaela tek opera “Karmen”, Leila tek “Peshkatarët e Perlave”, Violeta tek “La Traviata”, e shumë role të tjerë. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II, titullin “Artiste e merituar”, titullin “Mjeshtër i madh i punës”.

Inva Mula

Bijë e këtyre prindërve artistë, është Inva Mula, një këngëtare soprano shqiptare me famë ndërkombëtare. Inva u lind në Tiranë, më 27 qershor të vitit 1963. Ajo filloi karrierën e sopranos në një moshë shumë të vogël. Koncertin e saj të parë e dha kur ishte vetëm 5 vjeç. Në moshën 16 vjeçare ajo merr mësime nga e ëma e saj, Nina Mula.

Më vonë u diplomua si soprano në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku interpretoi Violetën e Traviatës, performancë kjo që do të përsëritet disa herë në rolet e mëpasshme. Ky rol i hap dyert e Teatrit të Operës në Tiranë, ku ajo këndoi për 5 vjet me radhë si soliste. Aty interpretoi rolet e Rozinës tek “Berberi i Seviljes”, Mimi tek “Boheme”, Xhilda tek “Rigoletto”, si edhe këndoi në opera të kompozitorëve shqiptarë, duke ripërsëritur repertorin që dikur kishte kënduar nëna e saj.

Që nga viti 1992 ajo zhvendoset në Francë. Triumfoi në 1993, në konkursin “Placido Domingo” dhe që aty fillon një bashkëpunim të ngushtë me maestron e madh. Pikërisht këtu fillon karriera e saj ndërkombëtare, fillimisht në operën e Avignon, pastaj Los Angeles, Bonn, Ëashington, Chicago e Neë York. Bashkëpunime të mëtejshme me emra të mëdha në fushën operistike, si me baritonin Leo Nucci apo maestron Ricardo Muti në teatrin e la Scales në Milano, i hapin rrugën suksesit të saj të mëtejshëm në Itali. Ajo u ftua të këndonte Violetën për hapjen e teatrit Arcimoldo në Milano, sukses ky që i sjell angazhime të tjera në Itali.

Deri më sot Inva ka marrë shume çmime, si edhe dashurinë e mbarë publikut, si shqiptar ashtu edhe ndërkombëtar.

Sopranos Inva Mula, krahas shumë çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare, i është akorduar edhe titulli i lartë “Nder i kombit”.

Por Inva, nuk është e vetmja vajzë artiste e familjes. Motra e saj Adelina gjithashtu është artiste, ajo punon si pianist në Liceun Artistik në Tiranë, duke edukuar me mësuar breza të rinj artistësh,

Neritana Kraja