Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se, “viti 2022 do të jetë viti i kulturës”. Margariti tha se, viti i kulturë do të vijë si një paradë shumëngjyrëshe kulturash, traditash nga e gjithë bota. Nisma e re e promovuar nga ministrja titullohet Javët Kulturore Ndërkombëtare. Ky aktivitetet do të shërbejë si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë.

Projekti për aktivitetin u prezantua para trupit diplomatik në Tiranë dhe u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit. Zonja Margariti u shreh optimiste dhe shtoi se “presim rezultate fantastike nga kjo iniciativë që do të mbledhë bashkë aktorë të një spektri të gjerë të artit e kulturës”.

Koncert me veprat e kompozitorit Aleksandër Peçi në vitin e 70-vjetorit të lindjes

Krijimet e kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi erdhën në sallën “Tonin Harapi” në një koncert të ideuar nga miqtë e tij të institucioneve artistike në vend, Universiteti i Arteve, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, RTSH dhe Liceu Artistik “Jordan Misja”. Koncerti përmblodhi pjesë nga krijimtaria e pasur e kompozitorit, në kuadër të 70-vjetorit të lindjes së kompozitorit.

Artistë të talentuar u dhanë jetë veprave të Peçit, si sonatës “Argjiro”, pjesë për fizarmonikë nga filmi shqiptar “Kur xhirohej një film”, motive nga baleti “Kecat e ujku” apo vepra “Arbëreshe”. Aleksandër Peçi është kompozitor shumë i njohur dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore. Në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i merituar”.

Shqipëria me veprën e Lumturi Blloshmit në Bienalen e Venecias

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “pavijoni do të kurohet nga Adela Demetja, njohëse mjaft e mirë e veprës së Blloshmit, por edhe një kuratore me eksperiencë të konsoliduar brenda e jashtë vendit”. Vetëm pak ditë më parë u mbush një vit nga ndarja e artistes nga jeta, për shkak të COVID-19 dhe Ministria e Kulturës e pa të udhës t’i bëjë një homazh figurës së kësaj artisteje me një temperament të rrallë, gjithnjë kërkuese, gjithnjë provokuese, duke e përzgjedhur pikërisht atë si artisten e vitit 2022. Ndërkohë, Margariti u shpreh se kuratorja Adela Demetja iu përgjigj kërkesës së ministrisë me një qasje që bën bashkë disa mediume e që do të paraqesë të plotë veprën edhe botën e Lumturi Blloshmit, e cila i tejkalonte kufijtë e lokales.

“Vagon” në teatrin eksperimental

Shfaqja “Vagon” e regjisorit Naser Shatrolli ka në qendër dinjitetin e kultit të individit në marrëdhëniet familjare. Ajo bën pjesë në repertorin e dimrit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në kuptimin filozofik “Vagon” shënjon kujtesën para se gjithash, duke na paraqitur Ballkanin e kohës së para viteve ’90. Drama rrugëton nëpër binarët e lidhjes së popujve të rajonit ballkanik. Shfaqja është format bashkëkohor, ndërsa, në domenin ideor, ngacmon drejtpërdrejtë nervat e njeriut të vetmuar në rrethana tranzicioni. Drama ka dy personazhe që kërkojnë pronësinë e një vagoni, Neritan Liçajn dhe Altea Alushin.

Ekspozita e artistëve “Grupi 86”/ “Muri” ekspozita në Galerinë e Tiranës

Muri, quhet ekspozita kolektive e artistëve bashkëkohorë të quajtur “Grupi 86” në Galerinë e Tiranës. Ardian Devolli, Leon Cika, Luan Borici, Mira Kucuku, Agron Polovona, Fatmir Minga, Arben Meksi, Mustafa Arapi etj janë disa preaj artistëve që duan të takohen më publikun nëpërmjet veprave në këtë ekspozitë. Sipas artistëve muri është simboli që shpjegon më mirë se cdo gjë tjetër njeriun, sepse që në lashtësi ai e pikturoi atë. Nga ana tjetër përvec vetmisë së studios artisti ka nevojë ta shfaqë veprën e tij në murin e dukshëm të një galerie. Ekspozita vjen e kuruar nga Rudi Erebara.

“Makbeth” shfaqet në Tiranë

Shfaqja “Macbeth Revisited” nga Enton Kaca, produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen si një rishikim regjisorial bashkëkohor nëpërmjet aktualizimit dhe shkrirjes së saj me disa elementë shqiptarë. “Makbeth” takohet me 3 parashikues fati dhe zbulon të ardhmen e tij. Nga kjo një ambicie e pakufijshme, i lindur për pushtet absolut, i nxitur edhe nga gruaja, e vret shefin e tij ndërsa fle, duke e marrë pushtetin për vete.

Kjo pjesë është rindërtuar dramaturgjikisht duke pasur parasysh vendosjen e saj në kohën e sotme dhe është menduar në një hapësirë jo konvecionale teatrore. “Makbeth” erdhi për publikun nga data 10 deri më 18 dhjetor.

Piktori Arben Golemi ekspozon në galerinë e arteve të bukura

Folie Baroque quhet ekspozita e autorit Arben Golemi pranë galerisë së fakultetit të arteve të bukura. E ndërtuar si një kontrast “në letër”, ai shfrytëzon shirita të butë plastikë industrial, i përzien ato me kolorin e të artës, argjendit, dhe blusë duke na sjellë një shkëlqim klasik. Me këtë mënyrë të re të të bërit art, vepra e tij më shumë se sa një pikturë, ngjan me një skulpturë të lehtë ngjitur mbi sipërfaqe.

Shkëlqimi i periudhës baroke. Kjo e gjitha e ndërthurur me një koncept shumë bashkëkohor, na bëjnë që të shohim në këtë mënyrë këtë telajo shumë të vecantë të artistit Arben Golemi, ku janë përdorur materiale të ndryshme, por ajo që bie në sy janë materialet e ndërtimit mbi kanavacë.

Përgatiti: Neritana Kraja