Peshkopia është një destinacion i largët, por Rruga e Arbrit që po ndërtohet, do t’i shkurtojë distancat. Ka shumë motive për të shkuar në Peshkopi e për ta zbuluar atë. Natyra, llixhat dhe kuzhina e mirë tradicionale janë disa prej tyre, të mjaftueshme për të shuar kureshtjen e për tú nisur për në Dibër. Dibra di të kënaqë pritshmëritë e çdokujt! Bukuria e Lurës është përshkruar nga emra të njohur si ai i Edit Durham, ndërsa poeti Gjergj Fishta ka thënë në mënyrë emblematike se “Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë.” I konsideruar ende një vend për t’u zbuluar, në Dibër mund të gjesh dhe burime të ujërave termale kurative, që janë vërtet një dhuratë e natyrës.

Peshkopi - foto nga wikimapia

Peshkopi - foto nga wikimapia

Si të shkoni?

Nëse niseni nga Tirana, duhet të bëni rreth 190 km për të mbërritur në qytetin e Peshkopisë, që edhe për shkak të terrenit mund ta bëni për rreth 4 orë. Kjo infrastrukturë e rënduar e ka penalizuar Peshkopinë dhe të gjithë rajonin për tú parë dhe frekuentuar si destinacion turistik. Por pavarësisht këtyre kushteve, asgjë nuk mund t’ju pengojë në dëshirën për të eksploruar vendin ku shqiptarët kanë shkuar historikisht për lixha, pasi këtu gjenden ujëra termale me vlerë të lartë kurative, apo në vendin që I ka dhënë kulinarisë shqiptare, dy prej mirësive të saj, jufkat me pulë dhe sheqerparen.

Sapo kalon Qafën e Buallit rrethohesh nga vargmale të lartë, ndërsa mes shtigjeve të udhëheq rruga drejt krahinës së Dibrës. Peshkopia është zemra e zonës, aty pulson jeta administrative dhe kulturore e dibranëve. Rruga për të eksploruar zonën është relativisht sfiduese, por po aq e bukur e plot supriza të rralla.

Bulevardi ne Peshkopi - foto nga shendeti.com.al

Bulevardi ne Peshkopi - foto nga shendeti.com.al

Çfarë të shihni

Parqet natyrore dhe liqenet e Lurës janë ndër pikëta më të rëndësishme të guidës suaj. Eshtë shumë e logjikshme që tí jepni hapësirë shëtitjeve në park apo tek liqenet, sidomos gjatë stinës së verës, ku ato kthehen në destinacionet më të preferuar të turistëve.

Por ju, nëqoftëse jeni në Peshkopi për një fundjave të vetme, niseni shëtitjen tuaj brenda qytetit. Ky qytet është zemra e të gjithë qarkut të Dibrës. Qyteti me vështirësi ka ruajtur strukturën e hershme të ndërtimeve, të cilën më mirë se kudo e gjen në lagjen e vjetër, ndryshe quajtur “Pazari”. Dibranët janë ndërtues me nam në Shqipëri, por edhe shumë punëtorë. Në lagjen e vjetër mund të gjeni prodhime tradicionale të bëra me dorë apo prodhime bujqësore e blegtorale të patrajtuara me kimikate. Krijimet me dorë të zejtarëve në moshë të ofrojnë punime të rralla të opingave apo shajakëve, coha që janë punuar nga dibranët për tu veshur në dimrat e ashpër, që mbulojnë krejt krahinën.

Lixhat e Peshkopise - foto faqja zyrtare ne facebook Llixhat Peshkopi

Lixhat e Peshkopise - foto faqja zyrtare ne facebook Llixhat Peshkopi

Nëse keni në plan të vizitoni Peshkopinë, duhet të vendosni në axhendën tuaj dhe një ndalesë në Muzeun e Dibrës, i cili ndodhet në bulevardin kryesor të qytetit. Falë 2000 objekteve dhe 3 pavijoneve të ndryshme, muzeu kërkon rreth një orë e gjysëm për t’u parë i plotë.

Një ndër pavionet më interesantë është pavioni I Etnografisë, ku vizitorët mund të njihen me traditat e shoqërisë dibrane në shekuj. Vëmendje e veçantë i është kushtuar veshjeve tradicionale të burrave dhe grave, ku çdokush mund të njihet me kostumet e Dibrës, jelekë burrash apo grash, tirqe të ndryshme, e plot elemente veshjesh me interes. Oxhaku karakteristik me jataganët është gjithashtu një nga hapësirat më të kuruara të muzeut.

Muzeu etnografik Peshkopi - foto nediber.com

Muzeu etnografik Peshkopi - foto nediber.com

Po kështu, ndaloni pak tek Llixhat e Peshkopisë. Ato njihen prej kohësh për moshën e tyre shekullore. lLixhat u krijuan nga burimet e pasura termale në temperaturë deri 40 gradë celcius. Rrjedha është e pandryshuar gjatë gjithë vitit me një përmbajtje normale të gazit sulfuror. Trajtimet në llixhat e Dibrës kanë veti të veçanta rehabilituese. Ato ripërtërijnë indet, shërojnë sëmundjet reumatizmale apo infeksionet e lëkurës. Pranë llixhave dhe përreth tyre gjen shërbim hotelerik të kënaqshëm dhe sipas preferencave ekonomike, për këdo që sfidon aromën e squfurit dhe fiton shëndetin e mirë. Ju mund tí vizitoni ato dhe të prenotoni një ose seanca, në varësi të kohës suaj.

jufka dibrane - foto nga addasall.com

jufka dibrane - foto nga addasall.com

Çfarë të hani

Gastronomia e Dibrës është ndër më interesantet në të gjithë vendin. Gastronomia e Dibrës bazohet në tradita, të cilat praktikisht kanë mbetur të pandryshuara ndër shekuj. Ajo bazohet në përbërës të thjeshtë, duke përfshirë një larmi të madhe frutash, barishte dhe perimesh, rritja e të cilave favorizohet nga klima veçanërisht e favorshme e rajonit.

Një nga specialitetet kryesore të gastronomisë dibrane është mishi i pulës me jufka, megjithëse edhe makaronat me fasule janë shumë të njohura. Ndër ëmbëlsira, permendim sheqerparen, një nga ëmbëlsirat vendase që njihet në të gjithë vendin.

Po kështu mund të porosisni speca me gjizë dhe raki të mirë. Ndërsa mjalti dhe djathi janë shumë të njohur si ëmbëlsira. Ato mund t’i provoni në çdo bujtinë apo restorant të zonës, pasi janë ushqime të traditës dhe dibranët nuk heqin dorë prej tyre.

Sheqerpare - foto tvklan.al

Sheqerpare - foto tvklan.al

Por, sa i takon gastronomisë, ju mund të ndaloni e të provoni edhe traditën e troftës së Dibrës. Duke ndjekur rrugët që gjarpërojnë në luginat e thella të krahinës, paksa të gjata në distancë, do të arrini tek disa nga fermat më interesante të peshkut që nuk i gjen askund tjetër mes maleve. Basenet furnizohen nga ujërat natyralë të përrenjve të Drinit duke u dhënë habitatin e përshtatshëm rasatit të troftës që është edhe traditë e rigjetur në këtë krahinë. Trofta e rritur në kushte optimale është ushqimi i duhur pas një dite të gjatë kur je i ngopur nga panorama e maleve dhe luginave ndër to. Rritësit e troftës të japin mundësi të shijosh pluskimin e tyre në ujë, por edhe të zësh vetë peshkun që të duket i duhuri për një drekë kalorike.

Ujerat termale ne peshkopi- foto wikipedia

Ujerat termale ne peshkopi- foto wikipedia

Ku të flini?

Në Peshkopi, edhe nëse nuk keni rezervuar hotel, do ju hapet çdo portë dibrane për të ofruar mikpritjen ndaj jush. Megjithatë, përtej kësaj, ne rekomandojë si vend për të fjetur Bujtinën Tërshana, e cila gjendet në qendër të qytetit. Ofron një ambient të kuruar dhe tejet familjar, me dekorim druri dhe oxhak, siç është tradita e dibranëve. Gjithashtu rekomandojmë edhe Argo Zerja, rreth 2 km larg nga qendra, por qe ofron një ambient të shkëlqyer për të fjetur gjatë një fundjave.

Suvenire

Dëshironi të bëni pazar? Prefektura e Dibrës ka shumë për të ofruar. Veçanërisht në Peshkopi ka një numër të madh marketesh dhe dyqanesh që ofrojnë të gjitha llojet e mallrave, nga ushqimi e deri te artizanati. Në zonën historike të Peshkopisë ka një treg nëntokësor, i cili synon kryesisht veshjet.

Ka një numër të madh butikësh, të cilët ofrojnë edhe veshje, këpucë dhe aksesorë, duke filluar nga moda e lartë deri tek ato të përdorura. Gjatë muajit tetor, në Dibër zhvillohet festa e Oda Dibrane, në të cilën festohet kultura dhe tradita rajonale, duke rikthyer tiparet karakteristike që kanë karakterizuar zonën që nga epoka bizantine. Krahas numrit të madh të shfaqjeve muzikore, eventeve, rikrijimeve historike, në festival mund të eksplorohen artizanatet më tipike dhe produktet gastronomike të prefekturës.

Neritana Kraja