Jemi mësuar të na vijë përmes vargjeve, por këtë herë në Shkodër, Migjeni erdhi ndryshe, në formë vizuale. “Mollë e ndalume”, është ekspozita që u hap në kuadër të 110 vjetorit të lindjes së poetit, në muzeun “Oso Kuka”.

Të ndara në 2 pjesë, publikut iu prezantuan sendet personale të tij dhe në krahun tjetër 25 punime pikture të realizuara nga Vladimir Myrtezai dhe Pandi Mele në vitin 1989, që me një cikël grafikash sollën në jetë disa “Motive Migjeniane”. Poeti arriti të frymëzojë breza dhe dy piktorë grafistë, bazuar në vargjet e Migjenit prezantuan në këtë ekspozitë njeriun e parealizuar, shoqërinë me problemet e saj.

Librat e Migjenit, fletore me skicat e tij, stilografi me të cilin shkruante, një kuti shahu prej dërrase, varëset prej druri për të varur rrobat, fotografi të vjetra të kujtimeve personale, botimet në gjuhë të huaja dhe artefakte të tjera, u bënë pjesë e ekspozitës që tërhoqi publikun e Shkodrës, i cili ndaj Migjenit ka një ndjeshmëri të madhe, jo vetëm për veprën e tij letrare, por sepse ky qytet frymëzoi e brumosi pjesën më të madhe të veprës së tij.

Drejtoresha e Muzeut Historik, Amila Gjyrezi shprehet se ekspozita sjell diçka të re, kjo edhe për të dhënë idenë e njohjes së poetit të madh. "Sjellim diçka të re, këtë vit pasi ishte dhe 110 vjetori i lindjes së Migjenit, një poet shumë i rëndësishëm dhe pjesë e rëndësishme e fondit të arkivit të Muzeut Historik Shkodër, me objekte, me libra, me përkthime të ndryshme dhe me grafika, që është edhe pjesa më e rëndësishme e ekspozitës. Kjo edhe për të dhënë idenë e njohjes së mëtejshme të këtij poeti të madh", shprehet Gjyrezi.

Ndërkohë, kuratori i ekzpozitës, Emanuel Palushaj shprehet se këtë herë e kanë sjellë Migjenin në një formë ndryshe, përtej leximit. “Këtë herë ne sollëm Migjenin në një formë ndryshe, pasi ne jemi mësuar vetëm ta lexojmë. Ne zgjodhëm që kësaj here të sjellim një Migjen viziv, që ta shikojmë më shumë e të njihemi më mirë me të”, komenton ai.

Kjo ekspozitë u tregon vizitorëve se si vjen Migjeni në ditët e sotme nga periudha ku ai jetoi. Veprat e tij janë një elitë e veprave letrare të shkrimtarëve të viteve ‘30. Millosh Gjergj Nikolla ishte ndër të rrallët shkrimtarë të asaj kohe, i cili me artin e tij shprehu në mënyrë të drejtpërdrejtë pakënaqësitë rreth realitetit shoqëror.

Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.

Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni, futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Ai ishte fëmijë me interesime dhe aftësi të shumanshme: këndonte bukur, i pëlqente të merrej me sport, dallohej në komunikim dhe kishte shumë dëshirë të lexonte.

Në shkollë, mësoi gjuhët klasike, serbishten, rusishten dhe frëngjishten, që u bënë burim kulture dhe formimi. Më 1933, ndërsa jetonte me shpresën se do t’i jepej bursë për të ndjekur studimet e larta, u emërua mësues në Vrakë, në një fshat afër Shkodrës. Atje Migjeni u ndesh me vështirësi të shumta dhe me pengesa të krijuara prej mentaliteteve fetare e prej ndërhyrjeve të konsullit serb. Në atë kohë ai u prek edhe nga tuberkulozi në mushkëri. Në Shkodër, Migjeni u njoh me shtypjen shoqërore dhe me hipokrizinë fetare. Kështu u formua përfundimisht urrejtja dhe dashuria e tij, kurse prej njohjes së lëvizjes përparimtare u formuan shpresa dhe besimi i tij për të ardhmen, që u pasqyruan aq intensivisht në veprimtarinë e tij të shkurtër, por të vrullshme e të thellë. Më 1935, duke menduar se klima malore do t’i printe shëndetin, shkoi mësues në Pukë. Edhe atje nuk pati dobi. Në Pukë, Migjeni vijoi të zhvillojë aktivitetin si mësues e poet, një vepimtari e gjërë dhe e pasur. Aty shkroi jo vetëm shumë, por edhe krijimet më të mira që na mbetën nga penda e tij e fortë.

Migjeni vdiq në një spital të Italisë, në moshën 27 vjeçare, nga tuberkuzoi, pasi nuk e kapërceu dot sëmundjen e rëndë.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tij janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Jeta e Migjenit është realizuar edhe në një film autobiografik me titull “Një natë pa dritë”, ndërkohë vepra letrare në poezi apo prozë e Migjenit, ka shërbyer si burim frymëzimi për artistë të tjerë, si përshëmbull në artet figurative. Emrin e Migjenit mban teatri në qytetin e Shkodrës, ndërsa në nder të tij në Pukë ndodhet shtëpia muze ku ka jetuar Migjeni gjatë kohës kur punonte si mësues. Eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956.

Në ekspozitën me rastin e 110 vjetorit të lindjes, 25 piktura të realizuara në vitet 1989 nga Vladimir Myrtezai dhe Pandi Mele, bashkë me sendet personale të tij, rikthyen Migjenin në Shkodër, për të treguar se pavarësisht viteve, vargjet e Migjenit janë aktuale edhe sot.

Neritana Kraja