Nëse doni një vend të qetë, ku të bëheni njësh me natyrën, për një fundjavë mes gjelbërimit e njëkohësisht pranë detit, ku fëmijët tuaj të eksplorojnë zogjtë dhe të shohin peshkatarët, të vrapojnë në ajër të pastër e të harrojnë botën e internetit, ku mund të hani ushqim organik dhe vetëm 1 orë e gjysëm larg nga Tirana, atëherë duhet të programoni një fundjavë në Lagunën e Kunes. Pak e kanë eksploruar në thellësi lagunën e Kunes në Lezhë. E vendosur në mes të bregdetit Adriatik, në të dy anët e grykëderdhjes së lumit Drin, ajo është e para zonë e mbrojtur e vendit.

Si të shkoni

Vetem 10 km nga superstrada që të çon drejt Lezhës, Laguna e Kunes është një ftesë e mirë për eksperiencë të veçantë. Kjo eksperiencë është gjithmonë e bukur, si në rastin kur bëhet me grup shoqëror, ashtu edhe me familjen. Duhet të keni makinën tuaj për një udhëtim të tillë, pasi nuk ka linjë të rregullt urbane për të shkuar atje. Për të udhëtuar drejt Kunes duhet përshkuar bregdeti i Shëngjinit.

Çfarë duhet të dini para se të shkoni

Laguna është e bukur në çdo stinë. Shpendet dhe gjelbërimi janë e përditshmja e lagunes së Kunës. E vendosur pranë qytetit bregdetar të Lezhës, e vendosur midis Shëngjinit dhe disa fshatrave të ishullit të Lezhës, Laguna Kune-Vain është e rrethuar nga bukuria nga të gjitha anët. Pyjet mesdhetare si dhe një florë dhe faunë e pasur e bëjnë këtë lagunë një ëndërr eksploruesi.

Laguna ka qenë e rëndësishme për peshkim, si veprimtari e organizuar, thuajse tërësisht shtetërore. Në vitin 1978, aty ndodhej njw repart ushtarak dhe afër repartit ushtarak u ndërtua një fazaneri moderne për kohën, ku rriteshin për eksport dhe për vend raca të caktuara fazanësh. Këta lloj zogjsh u sollën nga Kina. Përveçse për eksport, fazanët u përdorën për popullimin e lirë në pyjet e zonës për gjueti ose ushqim në restorante. Në Vain u eksperimentua në vitin 1980 shumimi dhe rritja e rosës egër, si objekt gjuetie dhe për eksport.

Në të vërtetë, Kune-Vain është zona e parë e mbrojtur në historinë e ruajtjes së natyrës në Shqipëri që kur u shpall rezervat gjuetie në vitet 1960. Nga fundi i viteve 1930, kjo zonë ishte e preferuara e italianëve, të cilët ngritën këtu hotelin e parë. Me ndjesinë e një resorti bashkëkohor, por duke ruajtur frymën e botës së vjetër, hoteli vazhdon të mirëpresë mysafirë të panumërt besnikë në ambientet e tij. Ende i referuar si Hoteli i Gjuetisë, megjithëse gjuetia është e ndaluar në zonë, kompleksi shfaq arkitekturë të shkëlqyer. Ju mund ta zgjidhni hotelin si vend për të fjetur dhe në një natë mund të provoni eksperiencën e mrekullueshme të gjumit mes gjelbërimit dhe detit, njëlloj si në botën e përrallave.

E njohur ndryshe si Vila e Kontit Ciano, vila ishte pika e preferuar e ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Galeazzo Ciano. Sot, hoteli menaxhohet nga vendasit dhe është padyshim një nga tërheqjet më të mëdha të lagunës.

Aktiviteti kryesore

Një vizitë në këtë zonë do t'ju bëjë të mahniteni me shumëllojshmërinë e madhe të bimëve dhe shpendëve. Sipas Qendrës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri më shumë se 360 lloje kafshësh gjenden në rajonin Kune-Vain. Për më tepër, 190 lloje që banojnë në rajon janë përfshirë në Listën e Kuqe të Llojeve të Kërcënuara të Shqipërisë. Ju mund të keni fatin t’i sodisni ato. Me sy të lirë apo dylbi. Sidomos për fëmijët do të jetë në eksperiencë e paharruar. Shëtitjet do të jenë ato që do ju marrin më shumë kohë në programin tuaj. Me biçikletë apo këmbë, ju mund t’i bini përqark lagunës duke dëgjuar cicërimat e zogjve apo kërcitjen e degëve. Gjithashtu mund të peshkoni me grep sa për sport, pasi peshkimi është i kontrolluar. Do të shihni se si peshktarët, të cilët merren posaçerisht me dajlanin, i kontrollojnë çdo ditë kanalet që lidhin detin me lagunën dhe mbledhin vetëm peshqit që janë mbi dimensionet e lejuara. Në kohë vere, mund ta plotësoni aktivitetin tuaj edhe duke notuar.

Ku të hani

Pas një dite plot aktivitete ku jeni bërë njësh me natyrën, është momenti të mendoni për vendet se ku do të hani vaktet tuaja. Kjo zonë shquhet për gastronomi të shkëlqyer. “Trendafili Mistik” është njëri prej tyre. Restoranti ndodhet në pikën strategjike të rezervatit natyror Kune-Vain-Tale, ku lagunat ofrojnë pamje mahnitëse dhe gatimet pasqyrojnë bukurinë e tokës. Pjatat janë sa të shijshme aq edhe të veçanta!

Po kështu tjetër rekomandim është edhe “Peshkatari”, një restorant që rrethohet nga uji i lagunës. Në menunë e tij do të gjeni peshkun e freskët dhe pamje unike.

Rreth e rrotull

Fundjavën tuaj në lagunë, mund ta plotësoni edhe me mozaikun e peizazhit, shijes dhe mundësive që krijojnë dy fshatra pranë lagunës, që ia ven t’i vizitoni, si pjesë të paketës. Njër është Kallmeti dhe tjetri Fishta. Kemi folur edhe herë të tjera për to, por gjithsesi sot po ju sjellim në kujtesë afërsinë mes tyre dhe mundësinë për t’i përfshirë në udhëtimin e fundjavës.

Rreth 11 km larg qytetit ndodhet fshati Kallmet, i famshëm për ullinjtë e tij shekullorë, por mbi të gjitha për hardhitë nga të cilat u krijua një nga verërat më të mira të Shqipërisë. Këtu ka lindur edhe Frang Bardhi, leksikograf, folklorist dhe etnograf i parë shqiptar. Në Kallmet mund të vizitoni Kishën e Shën Gjonit, ku u mbajt Kuvendi i Arbërit në vitin 1701, shpellën e Hutit si dhe mund të shihni një pemë ulliri, që i përket shekullit të 5-të.

Ndërsa fshati Fishtë ndodhet në fushën e Zadrimës. Eshtë bërë i famshëm falë poetit Gjergj Fishta, një nga personalitetet më me ndikim në Shqipërinë e shekullit të njëzetë. Sot fshati është një pikë referimi gastronomike për vendin, falë veprës së Agroturizmit Mrizit të Zanave që e shndërroi fshatin në një markë ndërkombëtare.

Këshilla jonë e fundit, është që të mos e lini pa vizituar lagunën me fshatrat e saj përreth, pasi kjo zonë është ndër më turistiket dhe të preferuarat nga turistët vendas dhe të huaj.

Neritana Kraja