Historiku i kartmonedhës shqiptare tërheq vazhdimisht vëmendjen, së pari të historianëve, por edhe të koleksionistëve, të cilët i kushtojnë këtij aktiviteti, punë, kërkim, pasion dhe dashuri.

Një ekspozitë shumë interesante, me titull “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite”, fondi i së cilës i përket totalisht një koleksionisti është hapur në Gjirokastër.

Sipas koleksionistit, ky emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë, apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990, ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Ky ishte një koleksion mjaft i pasur dhe përfshirës. Si ky koleksionist, ka mjaft të tjerë të cilët kanë shndërruar koleksionimin e kartmonedhave nga pasion në mënyrë jetese.

Historiku i kartmonedhës shqiptare

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, më 2 shtator të vitit 1925.

Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shekullin IV p.e.s., nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (Pojan pranë Fierit), qytete të Ilirisë.

Në vitin 1925 kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme, ndaj Banka Kombëtare e Shqipërisë mori masa për t'i zëvendësuar këto me monedhën e vetme shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua Frangu ar, me nënfishat e tij, ku 1 frang ar ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka dhe shumëfishat e tij 5, 20 dhe 100 franga ari.

Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 lekë/ 1 frang ar. Viti 1947 shënon një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me një dekret dekretligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun, ndërsa ky i fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha lekë ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat.

Vitet ‘90 sjellin ndryshime të mëdha tek kartmonedhat, me prerje të reja, dizajn dhe elemente të sigurisë. Nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha socio-politike në vend, ndryshon jo vetëm sasia e prerjeve të kartonedhave, por edhe struktura e prerjeve të saj. Si rrjedhojë, ndryshon tematika e dizajnit, duke hequr çdo element politizues.

Gjithashtu, për herë të parë në emetimet e pasluftës, vendosen në kartëmonedha firmat e Guvernatorit dhe të Drejtorit të Departamentit të Emisionit dhe Administrimit të Parasë.

Koleksionistët

Koleksionisti që hapi së fundmi eksozitën në Gjirokastër, është vetëm një nga koleksionistët që ushtrojnë këtë aktivitet prej vitesh plot pasion. Ato grumbullojnë prerjet e kartmonedhave të të gjitha periudhave dhe herë pas here gjejnë mundësi të eksozojnë punën e tyre si pjesë e njohjes së historisë së vendit, e cila mund të komentohet fare mirë edhe nga kartmonedhat që kanë qarkulluar në kohëra të ndryshme.

Por, ashtu si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri ka treg kartëmonedhash, ku koleksionistët shesin dhe blejnë gjetjet e tyre të rralla. Për prezantimin e këtij tregu shëbejnë edhe faqet në web, të cilat janë mjaft të specifikuara me përshkrimet e tyre. Por cilat janë tre kartëmonedhat shqiptare më të rralla e që kushtojnë më shumë? Janë padyshim ato të vitit 1926 që janë edhe kartëmonedhat e para të emetuara nga Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Në vend të parë

Në vend të parë është kartëmonedha 1 frang/5 lekë e emetuar në vitin 1926. Kjo kartëmonedhë ka qarkulluar shumë pak kohë në Shqipëri dhe është tërhequr nga qarkullimi për shkak të një “problemi vizual”.Monedha u hoq nga qarkullimi pasi qeveria shqiptare nuk i pranoi ato. Shkak u bë fakti se kartëmonedhat 1 frang (5 lekë) kishin si element identifikues shqiponjën romake me 1 kokë dhe jo atë shqiptare dykrenare. Vlera e kësaj kartëmonedhe origjinale vlerësohet se shkon në qindra dollarë.

Në vendin e dytë

Në vend të dytë sa i përket çmimit dhe shpeshtësisë së gjetjes në treg, është kartëmonedha 100 franga ari me imazhin e mbretit zog, e printuar po ashtu në vitin 1926. Kartëmonedha kushton qindra dollar. Në qarkullim janë 20-30 kartëmonedha të tilla.

Në vendin e tretë

Në vend të tretë renditet kartëmonedha 100 franga ari e vulosur me shqiponjën dykrenare. Vulosja u bë mbi imazhin e mbretit Zog nga italianët në vitin 1939 dhe vetëm mbi zonën ku ishte imazhi i mbretit të arratisur, me një vulë që kishte imazhin e një shqiponje dykrenare me me bojë të zezë. Vulosja u krye menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë në 1939 dhe ato kartëmonedha që ishin të pavulosura humbisnin vlerën e tyre e nuk kishin kurs ligjor. Kjo kartëmonedhë e vulosur qëndroi në qarkullim për një vit gjatë pushtimit italian.

Edhe kjo kartëmonedhë vlerësohet se sot kushton qindra dollarë në tregun e koleksionistëve.

Neritana Kraja