Publiku shqiptar e do teatrin, si një traditë e hershme, që vijon sot e kësaj dite. Skenat ku luhet teatër janë disa, duke përfshirë edhe skenat private që kanë nisur të lulëzojnë pas viteve ‘90. Megjithatë, skenat më të rëndësishme në vend, ato që kanë ndërtuar historinë e teatrit shqiptar, do i gjeni të renditura në rubrikën tonë.

Teatri Andon Zako Çajupi

Korça është një qytet që dhuron larmishmëri dhe kënaqësi në shumë mënyra. Pjesë e tyre është edhe teatri Andon Zako Çajupi.Teatri Andon Zako Çajupi u themelua në vitin 1951 dhe nga viti 1971 ka edhe godinën e tij të teatrit. Sot, godina e teatrit shërben si shtëpi kulturore e artistëve korçarë.

Edhe pse regjistrat e kohës, japin si datë themelimi të teatrit vitin 1950, veprimtaria teatrale ka qenë e zhvilluar edhe më parë në këtë qytet. Kjo veprimtari zhvillohej nga klube të djelmërisë së fund shekullit XX. Nga ato kohra në kujtesë ka mbetur shfaqja e tragjedisë "Otello", e cila u luajt rreth vitit 1890. Përndryshe teatri i qytetit në Korçë ka qenë dhe mbetet si gurrë e pashtershme e teatrit në kryeqytet, në Tiranë.

Si gurë themeli i teatrit merret drama e parë "Përmbysja" me regji të Sokrat Mios, e shfaqur në Korçë pas Luftë së dytë botërore. Në fillimet e teatrit shfaqeshin kryesisht drama, por me kalimin e kohës, aty nga fundi i viteve '60, me vendim të Ministrisë së Kulturës, u vendos zgjerimi i veprimtarisë së teatrit në shfaqje të estradës dhe për shfaqje kukullash. Bërthama e trupës së artistëve, në këtë periudhë përbëhej nga 10 profesionist dhe 15 aktorë amatorë.

Teatri i Korçës nuk e ka ndalur asnjëherë veprimtarinë e tij, por përkundrazi nga artistët e qytetit është parë si një godinë e kulturës. Sot, teatri "Anton Zako Çajupi" është një ndër teatrot më të rëndësishëm në vend, që zhvillon një jetë të pasur kulturore.

Godina e teatrit ndodhet në bulevardin kryesor të Korçës, "Gjergj Kastrioti". Ajo është ndërtuar në vitin 1971 dhe ka 220 vende. Ballina e godinës është stilizuar më vonë. Teatri gjatë viteve ka ngjitur në skenë vepra shumë të rëndësshme, për të cilat kanë punuar breza të tërë regjisorësh dhe aktorësh të talentuar që nuk i kanë munguar asnjëherë këtij qyteti.

Shfaqjet më të njohura të vëna në skenë, ndër të tjera janë: “Hijet e Natës”, “Kopraci”, “Zonja nga qyteti”, “Ёngjejt e skëterrës”, “Pamje nga ura”, “Njollat e murme”, “Otello”, “Qyteti i akuzuar”, “Maro Mokra”, “Përbindëshi”, “Zgjohu Vasil”, “Ishin të gjithë bijtë e mi”, “Zonjusha 39-vjeç”, “Denoncimi”, “Inter girl” etj.

Teatri Migjeni

Teatri i Shkodrës, që mban emrin e poetit të shquar Migjeni, si një ndër teatrot më të mirë të vendit tonë, ruan traditën më të shëndoshë të shoqërive teatrore. Janë të njohura shumë figura të shquara të kësaj lëvizjeje, që me pasion, vullnet e përkushtim, i dhanë Shkodrës rolin e pararojës në këtë fushë. Kështu që, ishte krejt e natyrshme që në Shkodër të krijohej teatri i parë në vend, mbas atij të kryeqytetit.

Në nëntorin e vitit 1949, trupa teatrore e qytetit të Shkodrës merr statusin e trupës profesioniste, për të hyrë në historinë e artit skenik shqiptar si promotore e një rruge të gjatë e të suksesshme deri në ditët tona.

Teatri “Migjeni” mund të quhet me të drejtë si tempulli i kulturës shkodrane. Ky teatër krijoi dhe rriti breza të tërë aktorësh dhe regjisorësh, të cilët shkëlqyen në skenën e Migjenit duke e shndërruar Shkodrën, në qytetin ku zhvillohej jeta më e pasur artistike në vend, e që furnizoi me talentet e saj edhe skenën më të rëndësishme në vend, Teatrin Kombëtar.

Në teatër janë vënë në skenë me shumë sukses pjesë të tilla si “Baca I Gjetajve”, “Fisheku në pajë”, “Çifti I lumtur”, “Nora e Kelmendit”, “Vizita e inspektorit”, “Çështje familjare”, etj. Teatri Migjeni kishte fatin që të kishte njerëz të talentuar që të punonin për të, si dramaturgu Fadil Kraja apo regjisori Serafin Fanku, që ishin asete të skenës dramatike shqiptare. Pa harruar aktorët Marije Logoreci, Loro Lovaçi, Tinka Kurti, Lec Bushati, Ndrekë Luca, Gjon Karma, Pjetër Goka, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, që u rritën në këtë skenë.

Me skenën e teatrit janë të lidhura edhe shfaqjet e Estradës profesioniste të qytetit, që përfaqësohet nga emra të mëdhenj si Hasan Smaja,Tano Banushi, Mark Lëkunda, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Zef Deda, etj.

Teatri Migjeni është ndër teatrot që gjallëron jetën artistike të qytetit, sot e kësaj dite. Ai di të kutivojë artin ndër breza e ta trashëgojë atë, duke e kthyer teatrin në Shkodër, në stil jetese, për brezat e vjetër e të rinj.

Teatri Popullor

Në vitin 1945, u ngrit i pari teatër profesionist i quajtur “Teatër i Shtetit” (më vonë, Teatri Popullor) dhe pranë i tij u ngrit edhe shkolla e parë dramatike me aktorë amatorë.

Inagurimi dhe vënia e emrit “Teatri Profesionist i Shtetit” është bërë pikërisht në ish godinën e teatrit Kombëtar, që sot është shëmbur për të ndërtuar një teatër të ri. Asaj kohe, me regjinë e Sokrat Mios, me aktorët e Shkollës Dramatike, më 30 maj 1945 u shfaq komedia “Topazi”, e shkrimtarit francez Marcel Pagnol, e përkthyer nga Nonda Bulka. Kjo shfaqje u quajt si shfaqja themeluese e Teatrit Kombëtar.

Aktorët e parë të Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Me vonë erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi si dhe regjisori Pandi Stillu. Ndërkohë që teatri ka njohur një periudhë shkëlqimi me regjisorë dhe aktorë si Kadri Roshi, Yllka Mujo, Bujar Lako, Agim Qiriaqi, Ahmet Pasha, Timo Flloko, etj.

Teatri Popullor, që pas viteve ’90, u bë i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori 76 vjeçare, me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky teatër ka vënë në skenë premiera shumë të mira, duke tërhequr me shfaqjet e tyre një publik jo vetëm në Tiranë, në skenën e shtëpisë së tyre, por edhe me turne nëpër Shqipëri.

Ndër veprat më të spikatura të huaja, ndër vite mund të përmendim: Revizori, Hamleti, Otello, Gratë gazmore të Uindsorit, Shumë zhurmë për asgjë, Tartufi, Borgjezi fisnik, Orët e Kremlinit, Intrigë e dashuri, Zonja e Bujtinës, Shërbëtori i dy zotërinjëve, Morali i zonjës Dulska, Dhelpra dhe rrushtë, Xhaxha Vanja, Shtëpia e Bernarda Albës, Arturo Ui,Apologjia e vërtetë e Sokratit, Kopshti me dallandyshe, Armiku i Popullit, Portreti i Dorian Grejit, Pamje nga ura, Trojanet, etj.

Pas ndryshimeve të viteve ’90, edhe teatri u gjend përballë sfidash të reja. U aplikuan stile, metoda e prurje bashkëkohore të teatrit botëror. Kërkimi i një gjuhe më konvencionale, simbolike e metaforike është pjesë organike e përpjekjeve të artistëve në zhvillimin e teatrit shqiptar. Futja e një fryme të re u ndje në repertorin e teatrit. Vëmendja e artistëve u drejtua ndaj dramës bashkëkohore, sidomos teatri absurd. Vënia në skenë e këtyre veprave i dha një drejtim tjetër teatrit tonë.

Aktualisht teatri i zhvillon shfaqjet tek Art Turbina, një skenë e re kjo e kryeqytetit, në pritje të godinës së re që do të ndërtohet në po atë vend ku ndodhej ndërtesa e dikurshme e Teatrit.

Neritana Kraja