Është përkujtuar në Bibliotekën Françeskane, pranë Katedrales Shën Pali në Tiranë vepra dhe kontributi i dy klerikëve të nderuar, At’ Anton Harapi dhe At’ Gjon Shllaku.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të Urdhërit Françeskan shqiptar dhe zyrtarë të lartë të Kishës Katolike shqiptare. Morën pjesë gjithashtu edhe Përfaqësuesi i Vatikanit në Shqipëri, i Përndershmi Luiggi Bonazzi dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Vincenzo del Monaco.

Në aktivitetin e zhvilluar studiues të ndryshëm folën për veprën dhe kontributin e dy klerikëve, sidomos në rrafshin letrar dhe publicistik. At Anton Harapi ishte një klerik dhe misionar i idealeve kombëtare e shpirtërore. Ai ishte teolog, filozof, sociolog dhe prozator, autor i një sërë veprash të rëndësishme, të cilat u pulikuan të plota dhe u promovuan gjatë kësaj ceremonie.

Figura të tilla, nuk i vijnë përditë kombit. Dritëhijet që shoqërojnë punën dhe kontributin e tyre, për shkak të rëndësisë së misionit të tyre dhe prezencës në vendime apo momente të rëndësishme të historisë, koha i kthjellon më mirë dhe në fund ajo çfarë mbetet është vlerësimi dhe e vërteta që askush nuk mund ta tjetërsojë e ta fshijë.

At Anton Harapi ishte njeri me një dije të gjerë, siç thoshte Koliqi "Nji ndër njerez mâ të kulturuem të Shqipnís".

At Anton Harapi lindi më 1888, në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Austri dhe Romë.

Me t’u kthyer në atdhe, shugurohet meshtar dhe nis detyrën e tij duke shërbyer në famulli të ndryshme të Shkodrës dhe të malësisë së saj. Gjatë dy viteve ishte bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”. Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më pas bëhet drejtor i tij. Më 1930-36 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë kësaj periudhe shkruan rreth 70 artikuj në revista të ndryshme dhe boton disa libra. Më 1940, zgjidhet anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. Në vitin 1946 ai pushkatohet pas një gjyqi special, ku u dënua si armik i popullit. Në aktivitetin e zhvilluar u prezantua vepra e plotë e Anton Harapit, ku u vlerësua roli i tij si shkrimtar.

At Anton Harapi ka një rëndësi shumë të madhe si shkrimtar. Janë të paktë shkrimtarët e traditës që të cilësohen me një mëvetësi shqyrtimi dhe gjuhe siç ngjet në veprat e këtij autori. Për këtë dëshojmë "Andrra e Prêtashit" dhe "Valë mbi valë", që kanë një vlerë e rëndësi të shumfishtë. Në këto dy vepra, sidomos në romanin "Andra e Prêtashit" Anton Harapi trajtoi botën shqiptare në disa rrafshe e aspekte; hodhi dritë mbi çështje të rëndësishme të mendësisë së njeriut tonë në fillim të këtij shekulli. Vepra jep shembuj të denjë të tipareve shqiptare, si burrnisë, të bujarisë, të mikpritjes, të besës e të urtisë së malësorit, të gatishmërisë për t'u flijuar për nderin e familjes, të fisit e të atdheut, po edhe shqipton veset dhe të keqen që ata i sjellin vetes dhe botës që i përkasin. At’ Viktor Demaj, i cili drejton Bibliotekën françeskane “At’ Gjergj Fishta” në Shkodër, e konsideron të domosdoshëm rikthimin e vëmendjes dhe leximin e veprave, duke vleresuar rolin e tij si kontribues i çështje kombëtare.

“Sidomos në edukim dhe në filozofi, vepra e tij është një kontribut i jashtëzakonshëm, është shumë aktuale sot e kësaj dite. Ku arsyeja, të thotë të kesh besimin që ke, por në aspektin e një bashkëjetese qytetase që ne duhet të jetojmë sëbashku”.

At Viktor Demaj bën thirrje që të lexohet pa paragjykime At’Anton Harapi, pasi ende vazhdon ta ndjekë dritëhija e 13 shtator 1943, kur emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944, akt për të cilin është akuzuar si bashkëpunëtor me pushtuesit.

“Ndoshta shumë edhe që e kritikojnë, nuk e kanë lexuar fjalimin që ka mbatur ai në atë kohë. Ai kalonte në shërbim, dikuj t’i paguante një bursë studimi, dikujt për t’i dhënë një ndihmë, pasi kishte probleme ekonomike, dikujt që i ishte djegur shtëpia, dikush që ishte plagosur, dikujt në kohë lufte t’i gjente ilaçet. Për këtë them që është më mirë që të lexohet vepra e tij dhe të shihet. Pikërisht thotë që nuk duhet lënë populli në luftë civile”, sugjeron ai.

Ndërkohë fatkeqësish mbetet ende i pa zbuluar, dorëshkrimi i historisë së filozofisë shqiptare shkruar prej At Gjon Shllakut, një tjetër figurë e rëndësishme e klerit katolik shqiptar, i cili pati të njëjtin fund me At Anton Harapin. Në ceremoninë e mbajtur u prezantua edhe publicistika e At’ Gjon Shllaku në veprën “Shqyptari- Frati – Shqypnia”.

“Mendoj që ishte i pari që ka përpiluar një histori të filozofisë. Tek “Hylli i Dritës” ai del në vitin 1942”, konstaton At Viktor Demaj.

Vepra letrare dhe publicistike e publikuar dhe e prezantuar nga Shtëpia Botuese e Françeskaneve, tashmë është në duar e studiuesve dhe lexuese, për të njohur dhe dëshmuar më mirë vlerat e dy njerëzve të mëdhenj.

Neritana Kraja