Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Të mos i harrojmë faktet historike: Më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Ndërkaq, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.

Festat e Pavarësisë ka ngjallur gëzim dhe shpresë tek shqiptarët. Gëzim, meqë është festë tradicionale që bën bashkë shqiptarët kudo që ndodhen, me shpirt, zemër dhe krenari për përkatësinë e tyre, por dhe shpresë, se duke festuar, përpiqemi të mendojmë pozitivisht në raport me përballjen me të keqen, me pandeminë që prej dy vitesh mban të mbërthyer botën.

Këtë vit festa erdhi më ndryshe, me buletine lajmesh plot raporte shifrash për kovidin, por edhe me një dëshirë më të fortë, për të festuar duke respektuar çdo pjesë protokolli.

Bashkia e Tiranës është vënë në ballë të organizimeve. Ajo prej javësh ka zbukuruar me flamuj kuq e zi, sheshet kryesore të qytetit, rrugët dhe lagjet. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe bizneset private, apo banesat e qytetarëve, të cilët kanë dekoruar me flamuj fasadat e jashme të qytetit, duke e ndezur Tiranën me të kuqe. Gjatë këtyre ditëve sheshi Skënderbej është kthyer në skenë masive. Gjatë pasditeve grupe të valltarëve popullorë, të veshur me kostumet tradicionale që përfaqësojnë treva të ndryshme të vendit, kanë kërcyer me ritmet e tupanit dhe të gërnetës. Netëve festive i janë bashkuar me dhjetëra qytetarë të çdo moshe. Me qindra tullumbace kuq e zi kanë fluturuar mbi shesh, ndërsa muzika nuk ka pushuar deri vonë.

Në festa të tilla, atmosfera është e përligjur, sepse 28 nëntori, është festa më e rëndësishme e historisë së kombit tonë. Jo më kot muaji nëntor është shpallur “Nëntori i flamurit”. Një varg aktivitetesh të rëndësishme, përveç festimeve, janë organizuar nga institucione të kulturës, artit dhe të edukimit, si pjesë e festimeve të organizuara në të gjithë vendin.

Në këtë kuadër, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli ekspozitën retrospektive “Jehona e Pavarësisë në shtypin e kohës”. Kjo ekspozitë, që vjen për herë të parë për publikun, rrok periudhën nëntor 1912 – dhjetor 1913, nisur edhe nga fakti që organet e para të shtypit shqiptar të botuara brenda trojeve shqiptare dolën pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. Ekspozita fakton se si mungesa e shtypit në vend, bëri që njoftimet e para të jepen nga shtypi i diasporës, i drejtuar nga personalitete, si: Noli, Konica, Kristo Floqi, Kristo Luarasi etj.

Kjo ekspozitë retrospektive nga fondet e Bibliotekës Kombëtare sjell pasqyrimin që pati kjo ngjarje historike për kombin shqiptar në shtypin e kohës përgjatë një viti.

Shqiptarët gjatë këtyre ditëve ndihen më pranë se kurrë, me zemër dhe krenari për pavarësinë dhe respekt dhe nderim për njerëzit që i siguruan vendit tonë ardhmërinë si komb.

Në këto ditë nderimi shkon tek patriotët dhe luftëtarët e paepur, nismëtar dhe protagonist të kësaj ngjarje që shënoi një kthesë të madhe në historinë tonë. Në këtë kuadër, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën me titull “Drejt Pavarësisë”, e cila përmban ecurinë e ngjarjeve drejt pavarësisë së Shqipërisë, si edhe artefakte të firmëtarëve.

E veçanta e kësaj ekspozite qëndron në ekspozimin e disa prej artefakteve tona më të rëndësishme, të cilat lidhen me jetën dhe kontributin e figurave të shquara të firmëtarëve të pavarësisë. Në kuadër të Festave të Nëntorit, Muzeu Historik Kombëtar ka organizuar edhe aktivitete të ndryshme duke u fokusuar tek të rinjtë. Po kështu, nxënës të shkollave të ndryshme në kryeqytet, kanë organizuar festa të ndryshme festive në nderim të kësaj dite.

Shkollat në festë

Është kthyer në traditë përgatitja e shfaqjeve festive të cilat ndizen nga e kuqja e festës. Në festa të tilla nxënësit ndihen më patriot se kurrë.

Ata interpretojnë vargje për atdheun, gjuhën dhe lirinë. Midis poetëve, më të pëlqyerat janë poezitë e Pashko Vasës, Naim Frashërit, Vincens Prenushit, Gjergj Fishtës, etj. Në aktivitete të tilla asnjëherë nuk mungojnë vallet popullore me motive nga krahina të ndryshme të vendit, këngë patriotike, veshjet popullore dhe ekspozitat me vizatime të nxënësve.

Festimet e 28 Nëntorit në Tiranë

Nëse si traditë, Dita e Pavarësisë nis me festimet në qytetin e Vlorës, qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë në 28 Nëntor 1912, 109 vite më parë, aktivitetet vijuese si gjithnjë ndahen midis Vlorës dhe Tiranës. Zakonisht në mëngjes zyrtarë të Qeverisë nisen për në Vlorë dhe atje bëjnë ngritjen e flamurit në Monumentin e Pavarësisë dhe pas kësaj aktivitetet festive zhvendosen në Tiranë, për të vijuar me koncerte dhe këngë popullore.

Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, na nxit të meditojmë për fatet historike të kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe fatet e çdo shqiptari e për vlerat që përmban e rrezaton flamuri shqiptar. Kujtimi që sot na çon në 28 Nëntorin e 1912-tës, na sjell në mendje e në zemër edhe rrugën e përshkuar gjatë shekujve nga ata shqiptarë, që pa asnjë dallim e me përkushtim, bindje, punuan dhe flijuar gjithçka, madje edhe jetën për atë ditë e për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon për ne flamuri kuq e zi.

Nata e Bardhë e Nëntorit të Kuq

Ndërkohë edhe festa tjetër, 29 nëntori, ka marrë vëmendjen e vet. Shqipëria feston Ditën e Çlirimit, ndërsa Tirana sipas një tradite, feston Natën e Bardhë.

Sot në 6 pika të ndryshme në Tiranë zhvillohen aktivitete për të gjithë. Në Sheshin Skënderbej, do të mbahen koncerte të ndryshme me këngë e valle popullore nga të gjitha trevat e vendit. Tek Reja te Galeri e Arteve, do të ketë gjatë gjithë ditës performanca të baletit, instrumentale, pjesë lirike dhe zhanre të tjera muzikore.

Parku Rinia, do të jetë në dispozicion të fëmijëve të cilët si gjithmonë gjejnë në këtë hapësirë të gjelbër të Tiranës, mundësi për lojra në natyrë, këngë dhe valle, animacione, përralla, lodra dhe tullumbace.

Te Rruga Mustafa Matohiti, do të ketë hapësirë të dedikuar për artistët e rinj të muzikës rock të cilët do të performojnë muzikën e tyre në ambiente të hapura, ndërsa tek sheshi Italia, hapësira do të jetë për të rinjtë që pëlqejnë të kërcejë Street Dance. Për ato që duan më shumë qetësi, biseda dhe bare, argëtimin e gjejnë në Bllok, për t’u rikthyer edhe një herë në mbrëmje në Sheshin Skënderbej për koncertin e madh festiv.

29 Nëntori është një ditë - natë e gjatë, ku qyteti gjallon me aktivitete të artit, me shfaqje, instalacione, muzikë, duke e kthyer “Natën e Bardhë” shqiptare një event kulturor që e afron Tiranën me shumë qytete evropiane. Për një ditë – natë të tillë hapësirat e qytetit shndërrohen në skena të përkohshme, për një festë të mbushur plot muzikë.

Neritana Kraja