I vendosur në bregdetin e Adriatikut, vetëm 38 kilometra me makinë nga Tirana, ndodhet porti i Durrësit. Një port detar i bukur dhe i lashtë. Ky port i madh lidhet me një qytet, ndër më të rëndësishmit në vend, por edhe ndër më të vizituarit dhe të frekuentuarit nga pushuesit gjatë të gjithë sezoneve të vitit. Për shkak të afërsisë me Tiranën, Durrësi përbën mushkërinë e kaltër të kryeqytetit, ndaj aty gjatë fundjavës kryeqytetasit dynden duke gjetur ajër të pastër, jod dhe rërë të imët.

Si të shkoni

Asnjë qytet tjetër nuk është i ndërlidhur me Tiranën sa Durrësi. Autobuzët e linjave interurbane, nisen në çdo gjysëm ore drejt qytetit të Durrësit, ndërkohë që linjat e autobuzëve të jugut, ndalojnë në pjesën e plazhit, duke ju krijuara një tjetër akses për në Durrës. Ju mund ta merri autobuzin për 150 lekë. Ose mund ta bëni me taksi për 3500 lekë. Më e mira është të përdorni makinën tuaj private që ta keni në dispozicion. Kujdes, për shkak të trafikut të dendur, sidomos në fundjavë, evitoni orët e pikut të tij.

Sapo të mbërrini

Sa të mbërrini në Durrës, së pari do të ndjeni ajrin e pastër të detit, sesi depërton deri në brendësi të sheshit kryesor, bulevardit, apo rrugëve të qytetit. Gjithashtu do të konstatoni se si disa relike nga e kaluara e Durrësit qëndrojnë ende pranë ndërtesave më moderne të qytetit, duke nxitur kureshtjen për historinë e tij interesante.

Durrësi është një qytet bregdetar me diell dhe magjepës, ndaj aty mund të bëni një udhëtim fantastik një ditor nga Tirana. Aty do të eksploroni më shumë nga kultura e lashtë, arkeologjia dhe sidomos do të provoni shije të mrekullujeshme të ushqimeve bregdetare.

Pak histori

Historia magjepëse e Durrësit daton në shekullin e VII para Krishtit. Gjatë asaj kohe, kolonistët helenistë nga Korinti dhe Korfuzi themeluan qytetin - atëherë i quajtur Epidamnos - në tokën që banohej nga fisi ilir i Taulantëve. Epidamnos, i quajtur më vonë Dyracchium, u bë një pjesë e rëndësishme e Perandorisë Romake dhe Bizantine. Ai lidhte qytetin me Kostandinopojën nëpërmjet Via Egnatia.

Durrësi ende krenohet me disa kujtime të historisë së tij të gjatë, e cila përfshin gjithashtu kohën e sundimit venecian.

Çfarë të shihni

Shqipëria është një vend i pasur me objekte historike dhe arkeologjike mahnitëse. Disa nga më të rëndësishmet e tij ndodhen mu në mes të Durrësit! E vendosur përgjatë rrugës, vetëm disa minuta nga porti i qytetit, ndodhet Kulla Veneciane me një pamje befasuese. Kulla është në fakt pjesë e Kalasë më të madhe të Durrësit, një fortifikim i ndërtuar gjatë Perandorisë Bizantine. Megjithatë, ajo njihet si Kulla Veneciane sepse venecianët e përforcuan atë përpara pushtimit osman.

Nëse pjesa më e madhe e Kalasë së Durrësit është e rrënuar, pjesët e mureve të saj të lashta qëndrojnë ende në këtë pjesë të qytetit. Këto mure janë ndërtuar, shkatërruar dhe rindërtuar shumë herë në historinë e tyre.

Teksa eksploroni mbetjet e mureve të Kalasë së Durrësit, do të hasni në një hark që të çon në një vend ngjitur me portin e qytetit. Ky vend madhështor por i gërryer është Amfiteatri i mrekullueshëm i Durrësit, padyshim një nga vendet arkeologjike më të shquara në rajonin e Ballkanit. Amfiteatri qëndron pranë shtëpive dhe ndërtesave moderne, por daton në shekullin e dytë pas Krishtit, kur u ndërtua nga perandori Trajan. Megjithatë, amfiteatri nuk u zbulua deri në vitin 1966! Ai mbante rreth 15 000 njerëz dhe është i ruajtur mirë.

Amfiteatri përmban tribuna të vjetra prej guri që rrethojnë një zonë të rrumbullakët me bar. Nën tokë janë disa nga shkallët origjinale dhe disa korridore të lidhura me njëra-tjetrën. Ekziston edhe një tunel i gjerë me tavane të larta, që përdorej si hyrje nga perandori, i cili arrinte në amfiteatër me karrocën e tij.

Amfiteatri ruan një histori vërtet unike. Në shekullin e 5-të, perandori ndaloi luftimet e gladiatorëve që zhvilloheshin atje dhe e shndërroi amfiteatrin në kishë. Varret e anëtarëve të kishës ndodhen në zonën qendrore që sot është e mbuluar me bar.

Kur eksploroni tunelet poshtë stendave, do të gjeni mbetjet e një kishe dhe një pusi. Do të shihni gjithashtu disa mozaikë të bukur. Tarifa e hyrjes është 200 lekë, por këshilla jonë është të ndaloni për disa minuta dhe ta shikoni edhe nga jashtë.

Gjithashtu mos lini pa vizituar as Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Ky muze është Muzeu Arkeologjik më i rëndësishëm në vend dhe falë faktit që ai është i ndarë në dy pjesë, pjesa e brendshme dhe ajo e jashtme, aty ruhen gjetje të mëdha. Bileta për të hyrë kushton 300 lekë.

Shëtitjet

Rëra e bollshme e bën plazhin e Durrësit një plazh të përshtatshëm për familjarët që mund të pushojnë të qetë bashkë me fëmijët e tyre.

Pjesa më tërheqëse e gjithë vijës bregdetare të Durrësit është plazhi i Currilave, me terren të thyer ranor e shkëmbor, i cili ofron për pushuesit natyrë të bukur, aromën e pishave të detit dhe ambiente intime, larg nga zhurma e plazheve të populluara. Në majë të kodrës, ndodhet Vila e Zogut, njëra nga rezidencat e ish mbretit Zog. Nga aty ofrohet ndoshta ndër pamjet më të bukura të gjirit të Durrësit. Ndërkohë gjatë gjithë vijës bregdetare mund të bëni jo vetëm shëtitje, ecje apo vrap, lojra me fëmijët, apo thjesht të merrni rreze dielli duke shijuar kafen e mëngjesit e të pasdites, por mund të kaloni edhe një drekë shumë të mirë me shije deti.

Një shëtitje nëpër Bulevardin kryesor, nga ish Librari Dyrrahu deri tek Currilat asnjëherë nuk duhet humbur. Nga të dyja anët e rrugës gjenden ndërtesa të stilit neoklasik, ku në katet e para gjenden dyqane luksi, bare apo restorante. Gjatë verës kjo është pjesa më e gjallë e qytetit, sidomos në orët e mbrëmjes.

Çfarë të hani dhe ku

Në Durrës mund të vini qoftë edhe për ushqimin e zgjedhur ku mbizotërojnë ushqimet me bazë detin. Të hash mirë në Durrës nuk është aspak e vështirë, veçanërisht nëse kërkon kuzhinë italiane me bazë peshkun. Në fakt, shumë restorante ofrojnë specialitete peshku dhe shumë shpesh shefat e kuzhinës janë shqiptarë që kanë punuar në Itali dhe më pas janë kthyer në Shqipëri duke hapur restorantin e tyre.

“Dy kitarra”, është shumë i famshëm dhe ka një tarracë të bukur me pamje nga deti, konsiderohet si një nga restorantet më të mira në Durrës. Gjithashtu restorant “Antinori”, që është një bar restorant me pamje nga deti, bën pica të shkëlqyera në furrë druri dhe ka një shesh lojrash të madh, ku fëmijët mund të luajnë ndërsa prindërit e tyre hanë ose pushojnë me një kafe. Ndodhet buzë detit duke u larguar nga qyteti. Por, nëse doni të largoheni nga qyteti drejt plazhit, atëherë rekomandojmë “Restorant Tirona”, ku mund të hani peshk shumë të mirë, ndërsa fëmijët mund të argëtohen me lojërat e plazhit.

Neritana Kraja