Ditët e fundit u publikua menuja për sportisët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Në këtë menu përfshihen 678 lloje gatimesh dhe çdo ditë ofrohen afro 200 prej tyre.

Në tre fshatrat e Olimpiadës Dimërore në Pekin, Yanqing dhe Zhangjiakou, ofrohen shërbime ushqimore të njëjta për sa i përket standardit, kohës dhe përbërjes. Të 678 ushqimet ndahen në 12 kategori, të vendosura përkatësisht në 12 bufe, si bufeja me ushqime botërore, bufeja me kuzhinë aziatike, ajo me kuzhinë kineze, me ushqime myslimane, me gatime të çastit, me pica e makarona italiane, me sallatë e salcë, me fruta, me bukë e ëmbëlsira etj. Menuja ndryshon çdo ditë brenda një cikli 8-ditor. Në çdo vakt gjatë gjithë zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, përfshihen dieta vegjeteriane dhe ushqime myslimane e kosher.

Në mensën e fshatit olimpik dimëror të Pekinit/ CMG

Në mensën e fshatit olimpik dimëror të Pekinit/ CMG

Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të zhvillohen në shkurt të vitit të ardhshëm, në kuadrin e Festës së Pranverës, Vitit të Ri Kinez. Me këtë rast, menuja e këtyre lojërave do të përfshijë ushqime karakteristike të kuzhinës kineze nga provincat Sichuan, Guangdong, Shandong dhe Hunan, si mish pule i prerë në formë kubesh me salcë fasuleje, supë e trashë me mish viçi të grirë, mish derri i skuqur me vezë të fërguara dhe kërpudha etj., për të shtuar atmosferën e festës dhe që sportistët nga mbarë bota të ndiejnë nga afër pasurinë e larminë e kuzhinës kineze.

Sigurisht, në menunë për sportistët, nuk do të mungojnë edhe ushqimet perëndimore. Raporti i kuzhinës kineze me kuzhinën perëndimore është 3 me 7. P. sh., picat përfshijnë nëntë lloje, si “Margarita”, pica me mish pule të tymosur etj.

Mish pule i prerë në formë kubesh me salcë fasuleje/ VCG

Mish pule i prerë në formë kubesh me salcë fasuleje/ VCG

Menuja është krijuar nga një grup pune me ekspertë të sporteve, të ushqimeve e të kuzhinës dhe është shqyrtuar e miratuar edhe nga Komiteti Olimpike Ndërkombëtar.

Menuja për sportistët e Lojërave Olimpike të Pekinit përmban mbi 400 përbërës ushqimorë, por disa ushqime të zakonshme në jetën tonë të përditshme janë përjashtuar. Sipas zotit Yang Chen, kryekuzhinieri i fshatit olimpik në Yanqing, piperi, gjethet e dafinës dhe 46 përbërës të tjerë të zakonshëm për kuzhinën nuk gjenden në kuzhinat e fshatrave olimpike.

Për të garantuar sigurinë e sportistëve, në mensat e fshatrave olimpike do të zbatohen masa të rrepta për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Në hyrjen dhe daljen e mensave, bufetë e ushqimeve, si dhe pikat e kthimit të pjatave, do të vendosen produkte dezinfektuese dhe mbrojtëse, si maska, doreza, pecetëza pambuku me alkool, dezinfektues duarsh etj. Në mensa do të vendosen edhe robotë inteligjentë për dhënien e shërbimeve këshilluese, orientuese etj. Në hyrjen e mensave do të ketë ekrane për të treguar se sa veta gjenden në mensë në kohë reale, që sportistët të zgjedhin lehtësisht kohën e përshtatshme dhe të shmangin vajtjen në mensë kur aty ka shumë njerëz. (Wang Lei/ Artan)

Mish derri i skuqur me vezë të fërguara dhe kërpudha/ VCG

Mish derri i skuqur me vezë të fërguara dhe kërpudha/ VCG