Dionis Prifti është një shkrimtar i ri nga Tirana, ende duke eksperimentuar me stilin e shkrimit. Tregimet e tij bëjnë bashkë elemente të reales dhe surreales, të dyja besnike të perceptimeve dhe emocioneve njerëzore. Admiron të gjitha format e artit, entuziast për trajtimin e ‘Gesamtkunstwerk’, shpesh në përpjekje për të përfshirë në shkrimet e tij ngjyra, imazhe, modele muzikore dhe struktura arkitekturore.

Dionis Prifti (Foto nga Facebook)

Dionis Prifti (Foto nga Facebook)

Dionisi sapo ka botuar librin e tij të parë, vëllimin me tregime “Bar Sahara” falë fondit nga Qendra Kombëtare e Leximit dhe Librit (QKLL). Ai fitoi çmimin e parë për shkrimtarët e rinj. Tregimi i tij i parë u përzgjodh në Antologjinë e vitit 2012 të konkursit “Europa në mendimet tuaja”, në Novi-Sad, Serbi, organizuar nga Projekti i Kulturës dhe Vlerave Europiane. Në vitin 2013 Dionisi mori çmimin e parë për

tregime të shkurtra në Festivalin Ndërkombëtar Prokult, në Podujevë, Kosovë. Ai është fitues në konkurse të ndryshme kombëtare, ndër të cilat Festivali Letrar për të Rinj, Edicioni i Katërt, në vitin 2018, organizuar nga shtëpia botuese “Toena”.

Kur ishte fëmijë ka aktruar në dy filma me metrazh të gjatë dhe pjesë të tjera teatrore. Vite më vonë Dionisi shkroi një skenar filmi që në vitin 2014 u përzgjodh dhe u kthye në një film të shkurtër në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, nga projekti StudAVP, organizuar nga shkollat e artit në Ballkan dhe Programi “Tempus” i Bashkimit Europian.

Aktualisht po punon të kthejë një nga tregimet e tij në një film të shkurtër të animuar. Ngacmimet e frymëzimit i ka marrë nga tregimet e shkurtra të Dino Buzzatit dhe Donald Barthelme, nga muzika e Pink Floyd dhe Nick Cave dhe nga kinemaja e Fellinit dhe Tarkovskit.

Dionis Prifti është diplomuar në informatikë ekonomike dhe punon si programues softueri prej 7 vitesh në kompaninë Lufthansa.

Dionis Prifiti (Instagram)

Dionis Prifiti (Instagram)

CMG: Dionis, nëse të duhet të dalësh përballë pasqyrës dhe të pyesësh veten se kush je, çfarë përgjigje merr?

Dionis Prifti: Në profesion unë jam programues dhe prej disa vitesh e ushtroj këtë profesion. Pasioni i shkrimit është shumë i hershëm mund të them që ka nisur që prej fëmijërisë. Edhe babai im është shkrimtar, ndaj jam rritur me librat.

Si fillim e kam nisur nga babai im,që më nxiste për të lexuar e më pas si shkrimtar. Përpiqem që kohën ta ndaj ndërmjet punës si programues dhe shkrimit apo edhe pasioneve të tjera.

Arritja më e madhe që unë shoh përballë pasqyrës është publikimi i shkrimeve të mia në libër, si një ogur të mirë për vijimësinë time letrare.

CMG: Ku qëndron lidhja mes profesionit si programues dhe pasioni për shkrimin?

Dionis Prifti: Ndoshta nuk kanë lidhje, por kanë shumë mënyra se si e ndihmojnë njera-tjetrën. Shkrimi të ndihmon të përfshihesh më tepër edhe në fusha të tjera. Gjithnjë kam menduar që të mos përfshihem shumë në botën e shkrimit, sepse më pas do të ishte e vështirë të pranoja realitetin. Fabulën e jetës ta jep jeta e përditshme!

Dionis Prifti (Foto nga Facebook)

Dionis Prifti (Foto nga Facebook)

CMG: Për të kaluar tek libri me tregime, cili është tregimi që të ka rritur që në fëmijëri, si një tregim që të rrëfehej nga të tjerët?

Dionis Prifti: U në jam rritur në një ambient me rrëfime dhe kjo më ka shërbyer më pas për të marrë dhe dhënë në letërsinë time.

E kam pasur të qartë se çfarë do të ndjek që në momentin që lexova Dino Buzzatin, që stili i tij i tregimeve do ishte një stil që më përshtatet.

Ishte kjo indicia e parë për të kaluar nga lexues në shkrues.

CMG: Shkrimi i parë, motivi i parë, momenti i parë që keni nisur të shkruani. Çfarë ngjyre ka pasur ai shkrim dhe a ruhet ende?

Dionis Prifti: Në fakt, në fëmijëri më tepër lexoja se sa shkruaja. Isha i lidhur ngushtë me mitologjinë. Shkrimin e parë kam tentuar ta nis në adoleshencë rreth moshës 15-vjeçare, kur nisa të marr pjesë në konkurse letrare dhe aty nisa të kem shtysën e parë.

Iniciativat për të qenë pjesëmarrës dhe për të marrë çmime nuk kanë munguar në këtë rrugëtim timin dhe mund të them që këto më kane shtyre që sot të jem këtu ku jam.

CMG: Si e përjetuat faktin që u përzgjodhët dhe mbështet nga juria e QKLL (Qendra Kombëtare e librit dhe leximit) për të botuar librin?

Dionis Prifti: Nuk qëndroi fakti vetëm tek fitimi i një çmimi, por tek vlerësimi që dhanë për mua anëtarët e juries, të cilëve ua besoj kritikën.

Stefan Çapaliku dhe Arta Marku, që e përzgjodhën ndër veprat e tjera në prozë. U gëzova tepër sepse mora një vlerësim dhe ishte një mbështetje e mirë për të dalë në treg.

Libri Bar Sahara (Facebook)

Libri Bar Sahara (Facebook)

CMG: "Bar Sahara", pse ky titull?

Dionis Prifti: Titullin në fakt e kam shkëputur nga një nga tregimet në libër. Bar Sahara është një bashkëvendosje që nuk qëndron në kuptimin e parë. Pra një bar që ka kuptim njerëzor, të prekshëm tek një Sahara e madhe dhe që i kalon kufijë e perceptimit real.

Mua gjithnjë më ka intriguar bashkimi që njerëzit duan të bëjnë ndërmjet gjërave që krijojnë vetë dhe mrekullive të natyrës.

Mendoj që i shërben ky titull tregimit dhe realitetit plot dilema.

Personazhi kryesor duhet të bëjë një përpjekje për të jetuar mes jetës reale dhe veprimtarisë jo reale, që i ofrohet dhe që janë të pashmangshme.

CMG: Pse surrealizëm ?

Dionis Prifti: Besoj se është mënyra ose stili që më vjen më pranë dhe më përshtatet. Është me vend të them që e ndiej me të vërtetë më të sinqertë, pavarësisht se shumë prej tyre mund të mos jenë reale dhe të ndodhin në përditshmëri.

CMG: Tani që e ke mbyllur librin arrin të kujtosh se cilat janë vendet që ke frekuentuar më tepër për të shkruar?

Dionis Prifti: Kanë qenë vende të ndryshme. Kryesisht në Tiranë apo lokale që ka pak njerëz e shumica e tyre studiojnë.

Promovimi i librit Bar Sahara (Instagram)

Promovimi i librit Bar Sahara (Instagram)

CMG: A gjejme në libër personazhe që mund të jenë edhe në jetën tuaj reale?

Dionis Prifti: Po ka disa personazhe që janë edhe në jetën time reale që arrijnë t’u ngjajnë. Jo aq sa prisja në fillim kur e mendova këtë vëllim, sepse mendova që do kishte më tepër. Sigurisht që ka personazhe që i kam ndërtuar. Tashmë u bënë 7 vite që unë e konceptoj dhe patjetër që do kishte dhe gjurmë nga realiteti. Indicia tjetër është larg realitetit sepse zgjedh mos ta lokalizoj tregimin apo veprën, që mund të shkruaj. Dua të jem pa emra vendesh apo personazhesh.

CMG: Kush e lexoi i pari këtë libër?

Dionis Prifti: Përveç babit tim personi tjetër që e ka lexuar dhe kanë vlerë dhe peshë kritikat është e dashura ime. Gjithashtu edhe dy miqtë e mi më të mirë të cilëve ua vlerësoj kritikën Behari dhe Renisi. Me ta jemi grupi i vogël i shkrimtarëve. Ata më japin kritika të mira.

CMG: Sa i hapur jeni ndaj kritikave?

Dionis Prifti: Përpiqem të jem i hapur ndaj tyre, sepse dua të përmirësohem në vijim. Madje ju them shpesh që të më bëjnë kritika jo të mira, sepse më vlejnë. Nuk di të them të tjerët si i mendojnë, por ne kemi dhe një grup të vogël shkrimtarësh me të cilët ndajmë vërtet mendime të mira për librin dhe patjetër që ofrojmë dhe kritika.

CMG: Gjithçka që arrijmë është fat apo punë?

Dionis Prifti: Suksesi im është punë. Punoj shumë në profesion sepse me duhet të punoj, por edhe sepse më pëlqen.

Njerëzit e suksesshëm thonë se 70% në jetë është fat, pjesa që mbetet punë, por nuk jam fort dakord me këtë pjesë.

CMG: A do të kemi një libër tjetër në treg?

Dionis Prifti: Po besoj që do të sjell një roman të shkurtër.

“Balona sy” ose “Syri balonë” është libri që po pret në radhë për t’i dhënë jetë. Një ngjarje surreale në një qytet pa emër. Nuk jam larg përfundimit, por kam dhe disa dilema të fundit.

Intervistoi: Megi Latifi