Në mes të një morie të pafund librash, ku vetja të duket sa i fituar, aq edhe i humbur, lexuesi gjithmonë gjen çfarë të zgjedhë e të lexojë. Tituj, kopertina, autorë, vitrina, të gjitha të ftojnë drejt një bote që nuk është e jotja, por që mund të bëhet e tillë. Na ndiqni në përzgjedhjen tonë të tre librave nga Panairi dhe zbuloni propozimet tona.

Panairi i librit Foto ATSH

Panairi i librit Foto ATSH

Qyteti i avullit

Romani “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafón është libri që në Panairin e librit u vlerësua me çmimin e përkthyesit më të mirë. Libri u përkthyer nga Flavia Kaba dhe u botua nga shtëpia botuese Dituria. Jo thjesht për arsye të vlerësimit që mori, por më shumë si mundësi për të njohur një shkrimtar origjinal e shumë tërheqës ne kemi zgedhur të propozojmë romanin në fjalë si një nga 3 propozimet e panairit.

Qyteti i Avullit është zgjerim i universit narrativ të sagës së Zafónit, i adhuruar në të gjithë botën: shkrimtarë të mallkuar, arkitektë vizionarë, ndërtesa fantazmagorike dhe një Barcelonë e mbështjellë me mister mbushin këto faqe të romait. Tregimet e Qytetit të Avullit na çojnë në një vend ku dëgjojmë për herë të fundit zërin e paimitueshëm të shkrimtarit, që na bëri të ëndërrojmë si askush tjetër.

Një djalë i vogël vendos të bëhet shkrimtar, kur zbulon se dhuntia e tij krijuese i bie në sy bukuroshes së pasur, që po i vjedh zemrën. Një arkitekt arratiset nga Kostandinopoja me skicat e projektit të një biblioteke, që duhet t’i qëndrojë kohës përjetësisht. Një zotëri i çuditshëm tundon Servantesin të shkruajë një libër si askush tjetër, çdo faqe e tij do të zgjaste jetën e gruas që dashuron. Dhe një arkitekt i shkëlqyer katalanas, Antoni Gaudí, kapërcen oqeanin, duke iu gëzuar dritës dhe avullit, elemente me të cilat duhej të bëheshin qytetet.

Qyteti i avullit Foto nga Shtepiaelibrit.com

Qyteti i avullit Foto nga Shtepiaelibrit.com

Të duket pak e çuditshme të mendosh për atë që i kishte mbetur për të thënë Carlos Ruiz Zafon. Sa personazhe kanë heshtur dhe sa aventura të reja kanë ngecur në atë harresë të çuditshme, sikur të humbisnin mes rafteve të varrezave të librave.

Lexuesi me lehtësi humbet mes korridoreve të errëta dhe të lagura, duke ndjerë atë të ftohtë që arrin në eshtra, me aroma letre dhe boje që fermentojnë miliona histori të mundshme. Labirinthet përmes të cilave tregimet rrëfehen me përsosmëri nga ana e shkrimtarit, na bën ta ndiejmë sikur po jetojmë në një Barcelonë tjetër dhe në një lëvizje tjetër botërore.

Carlos Ruiz Zafón e konceptoi këtë vepër si një njohje për lexuesit e tij, të cilët e kishin ndjekur gjatë gjithë sagës që filloi me Hija e erës. Jehona e personazheve dhe motiveve të mëdha të romaneve të Varrezat e Librave të Harruar, jehon në historitë e Carlos Ruiz Zafón - të mbledhura për herë të parë dhe disa prej tyre të pabotuara - në të cilat ndizet magjia e narratorit që na bëri të ëndërrojmë si askush tjetër. Kureshtja për librin bëhet edhe më e madhe, kur kujtojmë se bëhet fjalë për një autor bashkëkohor, i cili vetëm dy vite më parë u nda nga jeta.

Flutura mes gjinjve Foto bukinist.al

Flutura mes gjinjve Foto bukinist.al

Flutura mes gjinjve

Eshtë libri i dytë që propozojmë dhe që mban autorësinë e shkrimtares Mira Meksi.

Mira Meksi vjen me këtë përmbledhje tregimesh dhe novelash para lexuesit shqiptar, që ngjalli mjaft kureshtje tek lexuesit. Libri erdhi pas suksesit të novelave “Vrasje në Venecia” dhe “Pa zemër në kraharor”, botuar gjatë vitit 2016, dhe “Hakmarrja e Kazanovës”.

Në këtë vëllim të ri përfshihen 16 tregime mistike dhe fantastike, që shënojnë një pamje të re të prozës së shkurtër shqipe. Lëvrimi i prozës së shkurtër, këtu vjen si një sintezë e përpunimit të laboratorit të brendshëm krijues të Mira Meksit, edhe si lexuese e përkorë e letërsisë botërore, por edhe si përkthyese. Padyshim, gurra ku ushqehet proza e saj, krejt ndryshe nga e shumë krijuese të tjetrë shqiptarë, është letërsia hispanike.

Libri vjen nga shtëpia botuese Onufri. Tatuazhi i profilit të fluturës japoneze mes gjinjve të një gruaje të bukur fsheh plot mistere. Një dashuri e fajshme trondit nga themelet besimin te vetë dashuria. Emri i gruas që marrosi Servantesin dhe u bë simboli njerëzor i dashurisë së paarritshme, është gdhendur në kalanë e Ulqinit. E vërteta e mizorisë, luftës, dashurisë dhe vdekjes së kontit Drakula, gjendet në Labirintus Budavari, 1040 Budapest. Këto dhe të tjera tema nga më të larmishmet dhe më të jashtëzakonshmet formëzojnë tregimet dhe novelat e “Flutura mes gjinjve”. Shkrimi i Mira Meksit është një nga shembujt e shkëlqyer të investigimit letrar, të tejkalimit të rrëfimit tradicional dhe të krijimit të një tregimi të ri në letërsinë shqipe ku gërshetohen elemente të esesë, realizmit magjik dhe tregimit neofantastik. Një libër që lexohet me një frymë dhe kënaq pritshmëritë e publikut.

Fajin ma ka gjuha Foto Aeditions.al

Fajin ma ka gjuha Foto Aeditions.al

“Fajin ma ka gjuha”

Dhe së fundmi kemi renditur atë që u shpall si libri më i mirë në panair, librin “Fajin ma ka gjuha”, me autor Virxhil Muçi.

Ky cikël tregimesh fantastike është pjesë e një trilogjie narrative, që zë fill me “Përralla shqiptare 100 + 1 natë”, vijon me “Erotikoni e Satirikoni” dhe përmbyllet me “Fajin ma ka gjuha”. Të tre këta libra mund të lexohen e shijohen edhe veç e veç, ashtu siç mund të këqyrësh e ngazëllehesh me fragmentet e një afresku, por vetëm duke i lexuar në tërësi, mund të provohet ajo ndjenjë e rrallë që e përjetojnë vetëm ata, të cilëve u jepet rasti të shikojnë bukurinë e papërsëritshme që përmbledh një afresk në krejt tërësinë e vet. Libri “Fajin ma ka gjuha” përmban 14 tregime dhe 1 novelë. Ilustrimet mjeshtërore të Ardian Kapos i japin hijeshi të veçantë.

Tregimet që prekin kufijtë e legjendave i qasen hera-herës edhe historive të njohura si Orfeu dhe Euridiçja, duke trajtuar gjithashtu, edhe tematikat e Dantes si Ferri e Parajsa. Ka një fill që lidh këta tre libra. Janë të gjitha fryt dhe frymëzim i gjenisë popullore, që autori e konsideron si një katedrale të madhe, ndërkohë tregimet janë disa afreske të saj.

E ndonëse tek përralla apo legjenda, motivet e së cilave rimerren nga folklori e duken si histori për fëmijë, këto histori të rrëfyera nga autori, janë për të rritur. Proza popullore e Virgjil Muçit është një përpjekje më shumë se 20-vjeçare që lexuesi mund ta marrë në librari nga sot.

Autori Virgjil Muçi është autor i më shumë se 10 librave dhe përkthyes i 13 titujve të autorëve të mëdhenj, njëherësh fitues i çmimit Kadare në vitin 2018. Shkrimtar, përkthyes e diplomat, Muçi del përpara lexuesit me thesare të kulturës popullore të rrëfyera si letërsi. Libri është botuar nga Aeditions dhe i takon vitit 2021.

Neritana Kraja