Lëpusha është një fshat i vogël malor dhe vlerësohet si kryevepra e natyrës së Kelmendit dhe si perlë e Alpeve Shqiptare. Nëse dëshironi t’i ngjiteni Alpeve dhe këtë gjë ta bëni brenda 2 ditësh, ne ju propozojmë Lëpushën si destinacionin e fundjavës.
Lepusha - Foto Facebook nga Bujtina Tradicionale Tom Dragu
Lëpushë është njëri nga dy fshatrat më veriore të Shqipërisë, që ndahet me Malin e Zi vetëm nga një mal. Shtrihet në një fushë të butë, rrethuar me male të larta në lartësinë 1260 metra mbi nivelin e detit. Ndodhet rreth 90 km nga Shkodra, 24 km nga Tamara dhe 12 km nga Vermoshi. Qyteti më i afërm i Lëpushës është Gucia (përtej vijës kufitare), 18 km larg saj.
Si të shkoni atje
Rruga e re është në fakt një tundim shumë i madh për turistët, veçanërisht motoçiklistët, të cilët kalojnë nëpër kthesat e saj, me flokët që ia valëvit era, pas të cilave përshfaqen pamje spektakolare. Por ne rekomandojmë udhëtimin me makinë private ose autobus turistik. Turizmi në këto zona, po lëviz ekonominë dhe rrit mirëqënien, për të cilën sigurisht shqiptarët e këtyre zonave të thella të veriut kanë shumë nevojë. Me zgjuarsinë e tyre, ato po mundohen të konvertojnë bukurinë mahnitëse të natyrës në turizëm dhe para.
Lepusha - Foto Facebook nga Hotel Alpin Lepushe
Për në Lëpushë mund të shkoni duke kaluar përmes Shkodrës dhe mund ta bëni në rreth 2 orë. Rruga është e asfaltuar dhe e thjeshtë dhe pse duhet t’i ngjitesh malit. Një hartë treguese në majë lajmëron se keni mbërritur tek Leqet e Hotit. Shumë udhëtarë të huaj, nga Edith Durham te Indro Montanelli (gazetar i njohur italian) janë befasuar nga kjo pjesë e Malsisë së Madhe, deri para pak vitesh, thuajse e paarritshme. Një ndalesë në Tamarë është e domosdoshme. Ajo ndodhet 280 m mbi nivelin e detit, në vendin ku bashkohen 2 lumenj, Cemi i Selcës dhe Cemi i Vuklit. Fshati Tamarë emrin e ka marrë nga Tamara, gruaja e vezirit të Shkodrës, e cila ndërtoi edhe urën e famshme të Tamarës. Pas 24 km, do të jeni në Lëpushë.
Stani i Vajushes - Foto nga endritstrail.com
Lëpusha
Emri Lëpushë rrjedh nga një lule, e quajtur Lëpushtra, që rritet me shumicë në këtë fshat. Fshati Lëpushë është i banueshëm prej 90 vitesh. Vendi më parë ishte bjeshkë me stane, por është kthyer në vendbanim kur njërin nga barinjtë e zuri dimri në stan dhe mbeti aty deri në pranverë. Kur panë të tjerët se bariu mundi t’i mbijetojë dimrit në stan, filluan ta popullojnë fshatin. Fshati ndahet në tri lagje me rreth 60 familje, që kanë shtëpi karakteristike prej guri. Në vitin 1977 në Lëpushë u xhirua filmi “Shembja e Idhujve”. Banorët kujtimet i kanë ende të freskëta. Lëpusha mirëpret të gjithë vizitorët vendas apo të huaj duke ofruar pamjen piktoreske, shtigjet e shumta për të apasionuarit, ngrohtësinë e banorëve të zonës si dhe çmime të përballueshme për të gjithë ndërsa mbetet një perlë e alpeve shqiptare!
Lëpusha paraqet natyrë të mrekullueshme, freski e ajër të pastër, qetësi absolute, pamje të papërshkrueshme drejt madhështisë së Alpeve. Ofron dhe pyje të dendura, maje e kreshta shkëmbore, guva e shpella interesante, përroje e ujë të mirë të burimit, ara e lëndina të gjera dhe… ushqime bio tradicionale.
Shija e maleve - Foto nga Facebook Hotel Alpin Lepushe
Kur të shkoni
Me mijëra metra mbi nivelin e detit në dimër, moti në Lëpushë gjatë dimrit është mjaft i ftohtë dhe bora bie me bollëk. Ndonëse është zonë malore nuk ka fusha për ski, prandaj nuk keni mundësi për këtë sport. Prandaj, nëse nuk jeni alpinistë të pasionuar dhe me përvojë, koha më e mirë për të shkuar është vera.
Në muajt e verës, klima është e këndshme, e freskët dhe qëndrimi në këtë luginë, ku blegtoria dhe bujqësia janë aktiviteti kryesor i banorëve të zonës, do t'ju dhurojë ditë të bukura çlodhëse. Përveç pushimit, megjithatë, mund të shijoni edhe kuzhinën e mrekullueshme tipike shqiptare, të përgatitur me produkte të mirëfillta dhe receta tradicionale.
Lepusha ne dimer - Foto Facedbook nga Hotel Alpin Lepushe
Aktivitete në Lëpushë
Shtigjet në male janë të preferuarat e turistëve. Lepusha-Vermoshi-Plava-Guca janë destinacione malore që s’duhen lënë pa parë. Mund të eksplorohen lehtë për shkak të aksesimit që kanë. Mund të kaloni fare kollaj nga pjesa shqiptare e kufirit, në pjesën malazeze, ku do të vizitoni Gucinë, të banuar nga shqiptarë. Nëse shkon në gusht në Lepushë mund të shijoni përveç shëtitjes në mal, edhe boronicat që rriten kudo, madje vendasit e quajnë malin e boronicave.
Nëse ju pëlqejnë historitë epike si Eposi i Kreshnikëve, do të përjetoni një rrugëtim magjik në këtë kalim mes maleve.
Si vend i mrekullueshëm ju mund të vizitoni ujëvaren e Lëpushës, shumë maja malesh mbi 2000 metra lartësi, të ecni nëpër fshat dhe nëpër shtigjet e Alpeve. Pyjet e larta të ahut, të pishës e të bredhit, burimet e shumta të ujit, klima e freskët i thërret vizitorët për pak pushim të këndshëm e të qetë.
Për ato që preferojnë ecjen, nuk duhet të humbin eksplorimin e Majës së Vajushës 2056 e cila ofron një pamje mahnitëse. Ecja në vetvete është e lehtë, terreni është livadhor dhe keni burime uji në 2 pika. Në pikën e parë, do të shihni edhe një ujëvarë shumë të bukur në mes të një pylli.
Bujtina Tradicionale Tom Dragu - Foto nga Facebook faqja zyrtare
Ku të hani dhe të flini
Sapo mbërrin në Lëpushë e kupton se ky është një destinacion që preferohet gjithnjë e më shumë sidomos nga turistët e huaj. Agjencitë turistike organizojnë ture dy ose tre ditore me nisje nga Tirana ose nga Shkodra për turistët vendas. Ndërsa turistët e huaj mbërrijnë nga Hani i Hotit në Shkodër, ose hyjnë nga pika e kalimit kufitar përmes Gucisë. Disa prej tyre kanë stacionuar në oborret e shtëpive kamperat e tyre, ndërsa të tjerë preferojnë të flenë nëpër bujtina.
Syri të sheh pak shtëpi, disa bujtina dhe shumë ferma ku pihet qumësht i ngrohtë i sapomjelur dhe mund të hahet trofta e kapur në lumë. Me pak fjalë, një parajsë në veri të Shqipërisë. Në Lepushë s’ka valë, e kjo është arsyeja që çdo bujtinë ka wi-fi.
Në rajonin e Kelmendit bujtinat janë të lira, tradicionale, komode dhe shërbejnë ushqim shumë të shijshëm. Gjatë verës, bujtinat zakonisht janë plot me turistë, ndaj sigurohuni që t'i rezervoni ato që herët. Lëpusha të ngjan me fshatrat e Zvicrës dhe është një destinacion i preferuar me 10 bujtinat e saj.
Në çdo stinë - Foto Facebook nga Hotel Alpin Lepushe
Një ndër këto bujtina mban emrin e fshatit “Bujtina Lepushë”. Është në qendër, ndër më të preferuarat. Gjithashtu ju mund të akomodoheni tek Bujtina Tradicionale Tom Dragu apo tek Hotel Alpin. Aty shërbehen gatimet tradicionale të zonës, byrekët me barishte, mishi i pjekur i kecit, djathi i zier etj, Turistët preferojnë djathin, qumështin dhe mishin, pa harruar mjaltin, çajin shërues, reçelin (e boronicave dhe të dredhëzave).
Shija e ushqimeve të zonës është e papërsëritshme. Çmimet këtu janë ekonomike, 3500 lekë për person pagesë, përfshin fjetjen, mëngjesin, drekën dhe darkën. Ushqim bio shoqëruar nga raki e pakrahasueshme mani ose thane dhe nga mikpritja e mrekullueshme e banorëve të kësaj zone.
Neritana Kraja
Shija e dimrit Foto Facebook nga Hotel Alpin Lepushe