Nëse ka një muaj që mund të konsiderohet si festa e vërtetë e librit, padyshim është nëntori: Jo thjesht për faktin se zhvillohet panairi i përvitshëm nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, por sepse thuajse të gjithë flasim më shumë se në çdo periudhë tjetër të vitit për librin dhe leximin.

Pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë, Panairi i 24-t i Librit do të zhvillohet në datat 17-21 nëntor në Pallatin e Kongreseve! I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, ky është një panair i veçantë, që vjen pas një periudhe të vështirë si për lexuesit, ashtu edhe për librarët dhe botuesit.

Gjatë vitit të kaluar, disa platforma on line të librit së bashku me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, realizuan prezantimet e tyre virtuale të librit, duke përmbushur një panair të vërtetë online në kushtet e pandemisë. Ndërkohë që viti 2021 riktheu mundësitë fizike të zhvillimit të Panairit të 24-ërt të Librit Tirana 2021, ndonëse në mënyrë disi të kufizuar për shkak të masave anti-Covid.

Padyshim, ky është një lajm i gëzueshëm edhe për botuesit edhe për lexuesi, pasi lexuesit kanë mundësi që përgjatë pesë ditëve të zhvillimit të tij,të sigurohet një komunikim i vazhdueshëm me botuesit dhe autorët e librave. Ky event zhvillohet si gjithmonë në Pallatin e Kongreseve dhe ju vjen në ndihmë të gjithë lexuesve, që të kenë mundësi të shikojnë nga afër të gjithë librat dhe të kenë mundësi të pafundme zgjedhjeje. Të gjitha shtëpitë botuese të pranishme në këtë panair do të kenë stendat e tyre përkatëse, ku edhe librat do të jenë të zhanreve të ndryshëm. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri flet për prezencën e titujve të librave të rinj në këtë panair.

“Këtë vit jemi rikthyer në traditën tonë me një dëshirë të madhe për të rifilluar. Panairi i Librit të Tiranës mund të konsiderohet aktiviteti më i madh në çdo pikëpamje, jo vetëm numerike por edhe kulturore që zhvillohet në Shqipëri. Ajo që është me rëndësi është që ka qindra të rinj të një cilësie të mirë. Prurjet janë qoftë nga letërsia bashkëkohore shqiptare por pjesën më të madhe është vërshimi që vjen me autorë të shquar nga e gjithë bota”, -thotë Ymeri.

Nobelistë e fitues çmimesh të tjera letrare botërore që kanë bërë historinë e letërsisë, autorë të traditës shqiptare dhe të rinj, prozë e poezi të përkthyera, ofrojnë nga stenda në stendë, qindra tituj interesantë, një botë e tërë për tú zbuluar përmes faqeve të librit.

Festa më e madhe e librit është përqafuar nga 90 shtëpi botuese nga hapësira mbarëkombëtare, Ku një vëmendje e veçantë i është dedikuar titujve të rinj dhe një sërë aktivitetesh për problematikat e librit, pa harruar zbritjen e çmimeve deri ne 50 përqind thekson Ymeri.

Njëkohësisht kryetari i Shoqatës së Librit, thotë se krahas përgatitjes për aktivitetin më të madh të librit, si titujt e rinj dhe tryezat e debatit, një vëmendje e veçantë i është dedikuar masave antikovid.

Për të mos përsëritur një edicion të Panairit të Librit, si ai i kaluari që u realizua online, Ymeri, kërkon që në edicionin e 24-të, botuesit të tregohen të përpiktë në ndjekjen e masave të nevojshme kundër përhapjes së COVID-19. Ai u kërkon botuesve që të marrin masa për vaksinimin e të gjithë punonjësve apo të personelit që do të jenë në stendat apo ambientet e Panairit të Librit. Këto masa do të shmangin riskun e përhapjes së virusit, si dhe do të bëjnë të mundur realizimin e një panairi pa problematika shoqëruese.

“Për të gjithë punonjësit që punojnë nëpër stendat e shtëpive botuese, librarive, etj, të gjithë duhet të jenë të vaksinuar, të gjithë duhet të jenë me dokumentet përkatës. Kemi zvogëluar sipërfaqet e stendave, duke zmadhuar sipërfaqet e korridoreve ku do të lëvizin lexuesit, në mënyrë që kontaktetet midis tyre të jenë sa më të pakta. Së dyti kemi organizuar hyrjen në një derë, daljen në një derë tjetër, domethënë kemi orientuar hyrjen dhe daljen në drejtime të ndryshme. I kemi bërë edhe një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit, që drejtoritë arsimore të mos lejojnë asnjë vizitë kolektive të shkollave gajtë orarit mësimor”, deklaron Ymeri.

Sipas tij, punonjësit e librit e kanë të detyrueshme paraqitjen e kartelës së vaksinimit, ose testin antikovid, ndërsa lexuesit duhet të majnë maskën dhe të respektojnë distancimin fizik.

Panairi nis sot e do të vijojë deri më 21 nëntor, ku nuk do të mungojnë edhe çmimet e përvitshme, për autorin më të mirë, përkthyesin dhe studiuesi më të mirë të vitit. Krahas botuesve në Shqipëria, me botimet e tyre do të jenë present në panair edhe botues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Gjatë panairit nuk do të mungojë organizimi i eventeve online me autorët, botuesit, përkthyes dhe studiues, si pjesë e traditave të krijuara një vit më parë nga Panairi i Librit Online, nga Festivali i Librit dhe nga Book Fest, aktivitete ku gjatë pesë ditëve të panairit fizik, së bashku me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, do të transmetohen live përmes rrjeteve sociale të Facebook, Instargam dhe Youtube biseda për librin dhe lexuesin, duke sjellë këndvështrime dhe ide për tregun e librit dhe promovimin e tij. Kryetari i Shoqatës së Botuesve shprehet mjaft optimist për risitë në tituj dhe vlera të këtij panairi:

“Ne botuesit shqiptarë, por edhe botuesit që vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, mezi po e presim këtë festë të re të librit. Kemi me qindra e qindra libra të rinj me shumë të mirë, autorë të njohur dhe të panjohur, vepra, tituj të ndryshëm pa fund. Kështu që këtë vit do të ketë një ekspozim edhe të titujve të botuar në vitin 2020, 2021 dhe libra tejet të rëndësishëm”, thotë Ymeri.

Panairi i Librit është panairi më i madh i librit në Shqipëri. Ky panair është më i frekuentuar dhe më popullor në krahasim me të gjitha panairet e organizuara në Tiranë. Ai dëshmon interesimin e librave për shqiptarët e të gjitha moshave.

Ne nuk na ngelet gjë tjetër, veçse të shohim se si do të zhvillohet ky event, i cili nis sot në Tiranë dhe që mund të konsiderohet pa frikë edhe si një nga eventet më të rëndësishëm të vitit. Koha ka dëshmuar se Panairi i Librit gjithmonë ka arritur që të bëjë bashkë një numër të madh jo vetëm autorësh të cilët promovojnë libart e tyre por edhe lexuesish që shprehin një interes shumë të madh.

Neritana Kraja