Pak kohë më parë, Kina shpalli krijimin e pesë parqeve kombëtare. Kontingjenti i parë i parqeve kombëtare kineze përfshin Parkun Kombëtar “Sanjiangyuan”, Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante, Parkun Kombëtar të Tigrave dhe të Leopardëve të Kinës Verilindore, Parkun Kombëtar të Pyjeve Tropikale të Shiut në Hainan dhe Parkun Kombëtar “Wuyishan”. Sipërfaqja e përgjithshme e pesë parqeve kombëtare arrin në 230 mijë kilometra katrorë, ku përfshihen afro 30 % e kafshëve e bimëve kryesore të mbrojtura në rang kombëtar në pjesën kontinentale të Kinës.

Parku Kombëtar “Sanjiangyuan” ka një sipërfaqe të mbrojtur prej 190 mijë e 700 kilometrash katrorë, ku mbrohen burimet e tre lumenjve kryesorë të Kinës - Jance, Lumi i Verdhë dhe Lancang. Ky park është modeli i mbrojtjes së ekosistemit alpin në rrafshnaltën Qinghai-Tibet. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Pandave Gjigante arrin në 22 mijë kilometra katrorë. Ky park kalon nëpër tre provinca: Sichuan, Shanxi e Gansu, dhe është vendbanimi kryesor i pandave të egra, ku mbrohen më se 70 % e pandave të egra të mbarë vendit. Parku Kombëtar i Tigrave dhe i Leopardëve të Kinës Verilindore ka një sipërfaqe të mbrojtur prej 14 mijë e 100 kilometrash katrorë dhe në të jetojnë popullatat me sasinë më të shumtë të tigrave e të leopardëve të egër të Kinës Verilindore. Parku Kombëtar i Pyjeve Tropikale të Shiut në Hainan ka një sipërfaqe të mbrojtur prej 4269 kilometrash katrorë e në këtë park mbrohen pyjet tropikale ishullore më të shumëllojshme në Kinë. Këtu është gjithashtu i vetmi vendbanim i gibonit të Hainanit, primati më i rrezikuar në botë. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar “Wuyishan” arrin në 1280 kilometra katrorë. Parku mbron ekosistemin e malit Wuyishan në provincat Fujian e Jiangxi, i cili është trashëgimi kulturore dhe natyrore e OKB-së.

Sistemi i zonave të mbrojtura natyrore i Kinës ndahet në tre nivele – park kombëtar, rezervat natyror dhe park natyror, ndër të cilat parku kombëtar ka nivelin më të lartë të mbrojtjes. Në vitin 2016, qeveria kineze filloi një projekt pilot të sistemit të parqeve kombëtare. Nëpërmjet eksperimentimit disavjeçar, është përsosur më tej sistemi i mbrojtjes natyrore i vendit dhe, si rezultat, janë mbrojtur siç duhet kafshë e bimë të egra dhe është shpejtuar restaurimi i ekosistemit. Në të ardhmen, parqet kombëtare kineze do të hapen gradualisht ndaj publikut, dhe në to vizitorët mund të bëjnë shëtitje e kamping dhe të afrohen me natyrën. (Fani)