Nëse jeni të apasionuar pas historisë antike dhe kërkoni një destinacion ideal rreth Fierit, shënoni menjëherë Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë në itinerarin tuaj të udhëtimit. Vetëm 12 kilometra larg Fierit, në Shqipërinë e Jugut, do të gjeni rrënojat e një qytetërimi të lashtë.

Si të shkoni?

Nëse vendosni të shkoni në Apoloni me makinë, do të duhet të futni në navigator indikacionet për fshatin Pojan, që është fshati më i afërt i banuar me parkun arkeologjik. Prej andej mund të shkoni në Apoloni për pak minuta.

Apolonia vizitohet më së miri në një udhëtim një ditor nga Tirana ose Berati, ose si një ndalesë kur udhëtoni drejt jugut. Për të shkuar në Fier, furgonët nisen nga Tirana dhe për një udhëtim që zgjat 2 orë e gjysmë kushton 300 lekë. Mund të kapni edhe një furgon nga Berati (300 lekë, një orë). Ndërsa nga Fieri, furgonët nisen për në parkun e Apolonisë me 50 lekë. Nëse preferoni të mos prisni furgonin, një taksi do të kushtojë rreth 500 lekë, nëse niseni nga Fieri.

Pasi të keni arritur në zonën arkeologjike me makinë ose autobus, me një biletë hyrje prej vetëm 600 lekësh (5 euro), mund të vizitoni një nga parqet arkeologjike më të ruajtura në Europë, ku mund të admironi rrënojat e ndërtesave të shenjta si dhe një koleksion të mrekullueshëm me objekte të lashta, të vendosura në një muze interesant.

Pak histori

E vendosur në kodra të kthyera në ullishte, me pamje mbresëlënëse përreth, Apolonia (e emërtuar sipas perëndit Apollon) u themelua nga grekët e Korintit dhe Korfuzit në 588 para erës sonë dhe u shndërrua shpejt në një qytet-shtet të rëndësishëm, i cili prodhoi monedhën e vet dhe përfitoi nga një tregti e fuqishme skllevërsh. Nën pushtimin romak (nga viti 229 para erës sonë), qyteti u bë një qendër e madhe kulturore me një shkollë të famshme filozofie.

Jul Cezari e shpërbleu Apoloninë me titullin “qytet i lirë” për mbështetjen e tij kundër Pompeit të Madh, gjatë luftës civile në shekullin I para Krishtit dhe dërgoi nipin e tij, Octavius, perandorin e ardhshëm August, për të përfunduar studimet e tij këtu.

Pas një sërë fatkeqësish ushtarake dhe natyrore (përfshirë një tërmet në shekullin e III të erës sonë, që e ktheu lumin në një moçal malarie), popullsia u zhvendos drejt jugut në Vlorën e sotme, dhe në shekullin e 5 pas Krishtit këtu mbeti vetëm një fshat i vogël.

Çfarë duhet të shihni në Apoloni

Sot ju mund të shëtisni mbi këto rrënoja. Ndërsa një pjesë e madhe e rrënojave mbeten të groposura nën tokë, ajo që është gërmuar brenda 4 km të mureve të qytetit është poezi e pastër. Pikat kryesore përfshijnë teatrin dhe shtyllat elegante të fasadës së restauruar të qendrës administrative të qytetit të shekullit të 2-të pas Krishtit.

Pak njerëz kërkojnë të shohin pjesën më të madhe të sitit përtej muzeut, teatrit dhe qendrës administrative, por të apasionuarit pas arkeologjisë, ose ata që kanë një ndjenjë romantike për vende të tilla do të kënaqen, duke ecur nëpër pjesën tjetër të parkut dhe duke u përpjekur të rikrijojnë së bashku skicën e qytetit nga pak mure të mbetura. Ju mund të jeni në gjendje të shihni gjithashtu Shtëpinë e Mozaikëve të shekullit të 3-të para erës sonë, megjithëse ato shpesh janë të mbuluara me rërë për t'u mbrojtur nga elementët natyrorë.

Pavarësisht se pak vende vizitohen nga turistët, magjepsja prej tyre është e madhe: përveç Akropolit dhe Tempullit të Artemidës, prej të cilëve ka mbetur ende pedimenti i mbështetur nga pesë kolona të stilit korintik, do të keni mundësinë të admironi mbetjet e një ndërtese të destinuar dikur për këshillin e qytetit dhe një Odeon, i cili rrëshqiti drejt detit pas tërmetit që goditi zonën.

Përveç këtyre, siti përmban edhe rrënojat e banjove antike, një restoranti të zbukuruar bukur me mozaikë dhe atë që duket të ketë qenë dikur një hark triumfi.

Sado magjepsëse që mund të jenë, këto rrënoja sigurisht që janë të vështira për t'u interpretuar për ata që nuk kanë njohuri të arkeologjisë ose artit antik. Prandaj sugjerojmë guidat me ciceron.

Në këtë këndvështrim është mjaft i rëndësishëm muzeu ku ruhen gjetjet nga gërmimet në zonë. Brenda Manastirit të Shën Mërisë, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 13-të nga një grup besimtarësh të krishterë, gjenden shtatë pavijone, një galeri dhe dy arkada, që janë ngritur si vende për ruajtjen e monedhave, statujave, objekteve të përditshme, statujave, amforave dhe objekteve të tjera.

Parku arkeologjik i Apolonisë është i hapur çdo ditë dhe brenda tij ia vlen të vizitoni të shtatë pavionet që përkujtojnë lindjen, historinë dhe rënien e këtij qyteti të bukur antik.

Çfarë të hani

Ju këshillojnë që të sillni ushqimin dhe ujin me vete, sepse ka vetëm një kafene/restorant në majë të kodrës. Parku është i madh dhe ka shumë për të eksploruar. Prandaj duhet të merrni masat për ushqimin dhe ujin që ta keni gjithmonë pranë vetes.

Por nëse i rezistoni urisë dhe etjes, atëherë në kthim, drekoni tek restoranti i vetëm në majë të kodrës. Bar restoranti është i shkëlqyer - shumë më mirë nga sa mund të prisnit. Aty do të gjeni sallatë të freskët fshati, mish të pjekur në zgarë, verë ose raki të mirë dhe mbi të gjitha, një pamje të mrekullueshme të detit. Nëse keni kohë dhe ju pëlqejnë qytetet e lashta, duhet të vizitoni patjetër Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Dhe mos harroni të bëni sa më shumë foto, që më pas do i ndani në rrjetet sociale me miqtë tuaj, si për të treguar se ishit edhe ju atje si turist, në zemër të atij qytetërimi të lashtë. Aty ku eci dhe u ndal perandori romak August, keni ecur dhe jeni ndalur edhe ju!

Neritana Kraja