Një pol tjetër i artit figurativ i shtohet kryeqytetit shqiptar. Tirana do të ketë Galerinë e saj të Arteve, krahas Galerisë Kombëtare të Arteve, që i përket të gjithë shqiptarëve.
Galeria Kombëtare e Arteve, vazhdimisht ka qenë streha ku ekspozonin piktorë e skulptorë të kryeqytetit e më gjerë, por duke qenë një institucion i përmasave kombëtare, ajo nuk mund të përmbushte etjen e një qyteti që po zhvillohet dita ditës dhe që kishte më shumë nevojë për hapësira ku artistët të shprehen. Prej kohësh kishte lindur nevoja për një shtëpi të re, aq më tepër që Galeria Kombëtare e Arteve do të rindërtohet dhe sa të bëhet kjo, artistët figurativë kanë nevojë për hapësirat e tyre, jo të përshtatura, por të konceptuara që në fillim si të tilla.
Vetëm para pak ditësh u inaugurua në Tiranë një shtëpi e tillë, e re, e ngrohtë, që respekton çdo standard teknik dhe estetik, një mundësi më shumë, një pol tjetër kreativ.
Nëse Galeria Kombëtare e Arteve ndodhet pranë bulevardit, në qendrën historike të Tiranës, Galeria e re e Tiranës, gjendet në një tjetër pol, në Rrugën e Kavajës, tek Godina e Prefekturës Tiranë, në katin e parë të saj.
Kjo galeri është një ngjarje e rëndësishme, një dhuratë e mrekullueshme për Tiranën dhe komunitetin e saj nga Bashkia Tiranë, një dëshmi kulture dhe vullneti të mirë.
Shtëpia e re e artistëve të artit pamor dhe adhuruesve të pikturës e skulpturës, e para që ngrihet në Tiranën 101 vjeçare, e ka çelur siparin me një gjest mjaft kuptimplotë duke nderuar punën, veprën dhe jetën e artistëve Arben Bajo dhe Mustafa Arapi, që u ndanë nga jeta për shkak të Covid-19. I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
“Sot jam dyfish i emocionuar se dy miq si Mustafa Arapi dhe Arben Bajo, që sot nuk janë me ne fizikisht, dy ikona të qytetit tonë, i kemi përjetësuar duke hapur këtë Galeri të qytetit të Tiranës. Nuk besoj se kishte një mënyrë më të mirë sesa të kujtonim dy superqytetarë të qytetit në këtë hapje, edhe si një kujtesë që në fakt jeta është shumë e brishtë dhe më vjen mirë në fakt që Arben Bajo dhe Mustafa Arapi janë njerëz që jetuan jetën të plotë dhe lanë një gjurmë dinjtoze për qytetin tonë,” u shpreh në çelje të ceremonisë inauguruese të Galerisë së Artit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
GAT do të jetë një Galeri e hapur veçanërisht për artistë të rinj dhe aplikantë në mediumet e reja të artit bashkëkohor. Kjo Galeri do krijojë edhe mundësinë e shumë eventeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, si: Kolonia e Artistëve të rinj Europianë, Bienalja e Tiranës, Bienalja e Grafikës, Festivale dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu në Galerinë e Artit të Tiranës do organizohen edhe konkurse mbi formimin e artit pamor në shkollat e mesme, konkursi i krijimeve të Tiranës në vizatime dhe piktura nga shkollat 9-vjeçare publike dhe jopublike, si dhe ceremoni të ndryshme për artistë të njohur dhe aktivitete të tjera që do e bëjnë atë një institucion të gjallë dhe dinamik.
Galeria e Artit te Tiranës është institucioni më i ri kulturor që i shtohet kryeqytetit në prag të Vitit Europian të Rinisë, ku Tirana është shpallur kryeqendra e mijëra eventeve artistike e kulturore.
“Mezi pres që vitin tjetër kur do jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë ta kthejmë këtë në një ftesë. E di që Galeria Kombëtare ka një protokoll shumë të rreptë, dy shfaqje në vit, të superkuruara, por ne mund t’i japim mundësi kujtdo që do të shprehë talentin e vet e ta promovojmë. Ashtu sikurse “Whitechapel” u bë zëri i parë në CV-në e shumë artistëve të famshëm, edhe Galeria e Artit të Tiranës do bëhet ndoshta vetëm rreshti i parë në CV-në e atyre që nesër do themi ishim krenarë që i njohëm kur ishin të rinj,” tha kreu i Bashkisë.
Velia e sheh hapjen e Galerisë së arteve si një vlerë që i shtohet muzeve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore të restaururara në Tiranë gjatë viteve të fundit.
“Ka shumë debat në Tiranë, por unë besoj se përtej debateve, përtej sherrnajës së ditës, përtej politizimit të gjithçkaje, vepra ngelet. Sot kemi një muze “Kadare” që s’ishte dje, një muze “Dritëro Agolli”, që po bëhet, e që s’ishte dje, një “Shtëpi të gjetheve” që s’ishte dje, një muze “Bunk’Art” që s’ishte dje, një shtëpi “Saraje” që dje u tentua të digjej për pallat dhe që sot është shpronësuar për Muze Etnografik dhe një Galeri Tirane që s’ishte dje. Tirana sot i ka kaluar 1 milionë vetë dhe njerëzit jetojnë edhe me art dhe me kulturë, edhe me film dhe me teatër, ndaj më vjen mirë që kemi krijuar një hapësirë të re arti në qendër të Tiranës. Dhe ëndrra ime është që GAT ndoshta nuk është hapësira e vipave, e atyre që janë të stabilizuar, e atyre që shesin piktura të shtrenjta dhe kanë klientelë masive, por të jetë vendi që e gjen tani se kush do të jetë Frida Kalho nesër, se kush do të jetë Xhejms Pollok nesër. Dhe, nëse galeri e bën këtë, që të pikasë talentet, që ndoshta nuk e kanë aksesin direkt tek Galeria Kombëtare e Arteve, do të ishte një mision shumë i suksesshëm”, u shpreh Veliaj.
Drejtimi i Galerisë së Arteve në Tiranë i është besuar piktorit Abaz Hado, ndërsa Hado ka afruar në staf një grup artistësh të talentuar dhe me vizione të qarta, të cilët premtojnë ta kthejnë atë brenda një kohe të shkurtër, në një nga destinacionet artistike më joshëse të Tiranës.
Në Galerinë e Artit të Tiranës do të ngrihet edhe Muzeu i Artit Pamor të Tiranës, bazuar mbi bashkëpunimin me artistë nga gjithë Shqipëria.
Neritana Kraja