Në listën e restoranteve të vlerësuar në botë, gjatë viteve të fundit kanë nisur të zënë vend edhe restorantet që zotërohen apo menaxhohen nga shefa kuzhine shqiptarë të suksesshëm. Të përfshirë në listat e më të mirëve, të përmendur në artikuj gazetash, apo të fokusuar në rubrikat mediatike të kulinarisë, kanë arritur të tërheqin vëmendjen për origjinalitetin, profesionalizmin, lidhjen me traditat dhe nuancat e shijes. Në rubrikën tonë do ju njohim me tre prej tyre.


Rene Rexhepi në restorant “Noma”në zemër të Kopenhagenit

Restorant “Noma” në Kopenhagen të Danimarkës jo rastësisht edhe sivjet është shpallur i pari në listën e 50 restoranteve më të mirë në botë. Kjo është hera e pestë që “Noma” kryeson listën që nga viti 2010. Pas emrit të këtij restoranti fshihet kuzhinieri me famë botërore me origjinë shqiptare Rene Rexhepi.

Restorant “Noma”, ndodhet në zemër të Kopenhagenit dhe pavarësisht se konfirmon reputacionin global të kuzhinës inovative, Oscar-i i Gastronomisë vjen falë kuzhinierit me origjinë shqiptare.

“Noma” është e njohur për “kuzhinën nordike” që mbështetet në ushqimet e farkëtuara dhe të fermentuara.

Restoranti njihet për specialitetin e përgatitjes të disa pjatave, kryesisht të pjatës speciale Shawarma. Shawarma është një pjatë speciale arabe, e përbërë nga mishi i prerë në feta të holla, i mbledhur në një formë konike dhe i pjekur me rrokullisje të ngadalta.

Sipas ekspertëve të fushës, “Noma” mund të ketë qenë restoranti më me ndikim në gjeneratën e tij, duke vendosur standarde të reja në drejtim të kërkimit dhe burimit të përbërësve, zhvillimit dhe prezantimit të pjatave.

Shefi me origjinë shqiptare, Rexhepi prodhon tre menu çdo vit, sezonin e oqeanit, sezonin e perimeve dhe sezonin e pyjeve, kjo e fundit aktualisht po shërbehet për 2 800 korona daneze (436 dollarë) për person. Kombinimi i verës ka një shtesë prej 280 dollarësh. Menutë brenda çdo “stine” ndryshojnë dhe asnjëherë dy përvoja në restorant nuk janë e njëjta.

“Noma” jo rastësisht cilësohet si restoranti më i miri në botë. Më herët gjatë këtij viti restoranti u vlerësua me tri yje ‘Mishelin’. Renditja vjetore organizohet nga William Reed Media me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.


“Esquina” – restoranti ku ushqehen futbollistët e famshëm shqiptarë

Pothuajse nuk ka futbollist shqiptar që nuk është mysafir i rregullt i dy kuzhinierëve, Nehatit nga Kosova dhe Kreshnikut nga Shqipëria. Ata kanë drejtuar restorante të njohura në Zvicër e Itali dhe janë të specializuar në gatimin e mishit. Njëri prej tyre, Nehati për 18 vjet ka qenë shef i restorantit të njohur “Papa Joe’s” në Basel, ndërsa Kreshniku ka drejtuar kuzhina të njohura të restoranteve në Venecia. Ky restorant, jo vetëm që sjell ushqime e specialitete jashtëzakonisht të shijshme të mishit, por sjell edhe një vendtakimi të ri, pasi ka krijuar një lidhje të ngushtë me klientët e tij VIP për dekada me radhë. Nuk ka ndonjë vend tjetër që pret kaq shumë sportistë shqiptarë, sidomos futbollistë, sesa “Esquina” në Zvicër. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë për emra të panjohur, por për talentet shqiptarë më të njohur të futbollit, të cilët janë shokë e klientë të rregullt të restorantit “Esquina” në Lörrach, një qytet i vogël i Gjermanisë afër Baselit të Zvicrës.

Krahas Xherdan Shaqirit, Taulant e Granit Xhakës e lojtarëve të tjerë shqiptarë që luajnë në liga europiane, si Abrashi, Ajeti, janë edhe Zhegrova, Aliti e të tjerë që rregullisht frekuentojnë restorantin “Esquina”.

Në restorant mishi është specialiteti më i pëlqyer që shërbehet në kombinim me kuzhinën meksikane dhe italiane.


Bledar Kola i “Mullixhiu”-t në zemër të Berlinit

Bledar Kola, është djali që iku brenda një maujene drejt Gjermanisë, për t’u bërë sot një nga kuzhinierët më interesant të ushqimeve që lidhen me traditën dhe territorin. Ishte shkrimi i një gazetareje gjermane në “Der Spiegel”, që i dha famë shefit Bledar Kola, që prej kohësh drejton “Mullixhiun” në Tiranë, drejt të cilit nisen nga Berlini posaqërisht të rinj për të ngrënë aty. Nisur nga kjo famë internacionale, ai është i ftuar herë pas here të gatuajë në restorante të listuar si 50 restorantet më të mira në botë.

Historia e tij është e ngjashme me atë të qindra e mijëra shqiptarëve të larguar nga Shqipëria, por që e bën të dallueshme, fakti që ai pas eksperiencave në Europë, u kthye dhe hapi një restorant në kryeqytetin e Shqipërisë me emrin “Mullixhiu”, i cili ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Kuzhinieri është i vendosur që vendin e tij, Shqipërinë ta sjellë përsëri në vëmendjen e kulturës së lashtë të ushqimit. Kohë më parë Bledar Kola kishte marrë oferta të ndryshme nga restorantet me të famshme në Europë, madje edhe nga Rene Rexhepi, po asnjë nuk e bindi, ndaj ai u kthye në vendin e origjinës për të bërë punën e tij. Por prej kohësh ai po udhëton sërish e më shpesh drejt Gjermanisë, sepse kërkon të çojë shijen e “Mullixhiut” shqiptar në zemër të “Nobelhart”, një restorant mjaft i kërkuar në Berlin, me të cilin Kola bashkëpunon ngushtë. Fama e tij tashmë ka shkuar larg. Mjafton të themi se çdo person që ka rezervuar duhet të paguajë 270 euro për të shijuar këtu recetat e kuzhinierit shqiptar. Bledar Kola, është shefi shqiptar që udhëton me shijen tradicionale shqiptare për ta bërë të njohur atë.

Sipas principeve që e udhëheqin, ushqimi i mirë nuk duhet të jetë thjesht një luks për të pasurit. Ka ende shumë përbërës dhe teknika shqiptare që duhen rizbuluar e duhen bërë të njohura në botë, prandaj ai po përpiqet për këtë. Me gatimet dhe recetat e tij, ai po përpiqet të çojë sekretet e shijes shqiptare, në alternativat e shijes berlineze. Si rrjedhojë e këtij angazhimi, produkte apo teknika të vjetra që prodhoheshin nga vetëm pak familje shqiptare, tani janë ruajtur nga Slow Food.

Shefa të talentuar, njerëz ambiciozë dhe pasionantë në kuzhinë– ky është emëruesi i përbashkët i shefave që drejtojnë apo angazhohen në disa nga restorantet dinjitozë në Europë, atje ku shija nuk është thjesht luks, por njëkohësisht edhe traditë e klas.

Neritana Kraja