Ka përfunduar në Shkodër, festivali “Luleborë”, një organizim i madh kulturor që ka në qendër këngën qytetare.

“Luleborë” është një ngjarje e rëndësishme që mundësohet nga bashkëpunimi i Bashkisë Shkodër dhe Teatrit “Migjeni”, drejtuar nga një ekip profesionistësh shkodranë, të cilët po bëjnë të pamundurën që tradita e këngës qytetare të mbijetojë me dinjitetin që i takon.

Shkodra konsiderohet si qytet arti dhe kulture, ka një traditë të mrekullueshme, ndaj një festival kënge në Shkodër, është një ngjarje e natyrshme dhe e bukur.

Festivali Lulebore, moment nga konkurrimi - Foto ATSH

Festivali Lulebore, moment nga konkurrimi - Foto ATSH

Në vazhdë të kësaj tradite është edhe festivali “Luleborë”, që ka si emërtesë titullin e njërës prej këngëve më përfaqësuese të muzikës qytetare, këngë e cila ka krijuar pasaportën e saj.

Pavarësisht se ka mbi 60 vjet që është kompozuar, “Lulebore”, këndohet si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti Simon Gjoni harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të qënë e pranishme, së bashku me gëzimin e shqiptarëve. Sot kjo këngë jo vetëm që ruan identitetin e vet, por i ka falur një të tillë edhe një festivali të muzikës, që synon nxitjen e krijimatrisë së muzikës së kultivuar në Shkodër. Sivjet u mbushën 30 vite të ndarjes nga jeta të Simon Gjonit, prandaj organizimi I festivalit të këtij viti në vendlindjen e kompozitorit, në Shkodër, ishte jubilar.

Edhe këtë vit “Luleborë”, parakaloi vokalet dhe kapacitete premtuese, shpërfaqi vlera dhe virtuozitete muzikore, mëkoi traditë dhe qytetari përmes një performimi që rrëmbeu adhurueshëm publikun në Teatrin “Migjeni”.

Ceremonia e dhenies se çmimeve - Foto ATSH

Ceremonia e dhenies se çmimeve - Foto ATSH

Ajo që mbetet për tu veçuar nga kjo ngjarje janë surprizat që solli ky festival, nga të cilat mund të veçojmë pjesëmarrjen e të rinjve, gjithashtu dhe prurja e 16 këngëve të reja që pasurojnë fondin e artë të këngës qytetare shkodrane. Ofrimi i talentit dhe ambicies së tyre përbën lajmin e mirë që shpërndan ky aktivitet. Këto të rinj, krijues dhe interpretues, duke ndjekur traditën, duke e pasuruar këtë thesar, i japin vetes së tyre dhe Shkodrës përmes shpirtit dhe artit të tyre, atë frymëmarrje, atë energji, atë potencial përtëritës që meriton ky qytet dhe që do tí bëjë ata të ndjehen krenar dhe të suksesshëm.

Në këtë event që u zhvillua për dy net me radhë, të gjithë artistët pjesëmarrës interpretuan këngët live dhe u shoqëruan nga orkestra e dirigjuar nga Jetmir Barbullushi, Glid Kraja dhe Ilir Zoga.

Arsenali më i mirë i krijuesve shkodranë, në këtë festival e tregoi pushtetin e vet. Mjeshtrit Shpëtim Saraqi dhe Markelian Kapedani, në detyrën e udhëheqit artistik, orkestra e drejtuar nga pianisti Mario Deda, skenari I shkruar nga Ermira Aliaj, përcollën një atmosferë festive, miqësore, artistike dhe plot elegancë, siç është këga qytetare shkodrane.

Kengetarja e ftuar Justina Alia e vleresuar me çmimin e karrieres - Foto ATSH

Kengetarja e ftuar Justina Alia e vleresuar me çmimin e karrieres - Foto ATSH

Me realizimin e këtij eventi, traditës së qytetit iu shtuan 16 këngë të reja, të kompozuara nga Edmond Zhulali, Florent Boshnjaku, Aleksandër Jakova, Ilir Zoga, Enis Mullaj, Namik Jahja, Roland Guli, Bardhyl Hysa, Artion Qamili, Orges Toçe, Alban Krajni dhe Almarin Zadeja. Tekstet e këngëve u punuan nga Jorgo Papingji, Alfred Çapaliku, Pandi Laço, Ramazan Çeka, Meri Guli, Arjola Zadrima, Nesti Gjoni dhe Erjona Rushiti.

Ndërsa këngët u interpretuan nga Artan Bakia, Klodiana Brahimi, Rezarta Smaja, Orjeta Kelaj, Blerta Cina, Klodiana Vata, Glerdit Turmetaj, Elsida Sinaj, Saviana Vjerdha, Ademir Fresku, Xhuli Pjetraj, Laorjan Ejlli, Marjana Serreqi, Ylber Tahiri, Jozefina Simoni, Ana Bushgjoka dhe Leticia Gargjola.

Emrat e këngëtarëve nuk janë të panjohur për publikun shkodran, përkundrazi janë pjesë e patjetërsueshme e traditës së këndimit, që është një traditë e pazëvëndësueshme e qytetit. Ata janë prezent në të gjitha aktivitetet që profesionalisht lidhen me muzikën dhe këngën.

Festivali u drejtua nga gazetari Enkel Demi e këngëtarja shkodrane Rosela Gjylbegu, e cila pasuroi mbrëmjen me interpretimin e dy këngëve të vjetra shkodrane.

Atmosferë të veçantë dhe ilaritet në skenë solli këngëtarja Justina Aliaj, duke surprizuar me rikthimin në skenë pas shumë vitesh, plot energji dhe freski e duke merituar duartrokitjet e publikut.

Me shumë nostalgji u përkujtua muzikanti, trompisti Sokol Marku dhe mjeshtri i madh i dirigjimit Kujtim Alia, të cilët u ndanë nga jeta muaj më parë.

Ceremonia e dhenies se çmimeve - Foto ATSH

Ceremonia e dhenies se çmimeve - Foto ATSH

Në fund juria e kryesuar nga Zhani Ciko shpalli fituese këngën “Si n’andërr” interpretuar nga Rezarta Smaja, kompozuar nga Florent Boshnjaku dhe me tekst të Arjola Zadrimës. Ndërkohë artistja e madhe shkodrane, Justina Aliaj, e cila elektrizoi sallën, u nderua me çmimin e karrierës.

Festivali i këngës Luleborë i ka kriteret e pranimit të këngëve shumë të qarta. Ndër të tjera kriter kryesor është që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. Publikimi i tyre në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të festivalit “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival”, thuhet në rreguloren e festivalit e cila respektohet me rigorozitet. Autorëve të këngëve, kantautorëve si dhe poetëve, i kërkohet që krijimet e tyre të jenë sa më origjinale.

Festivali “Luleborë” e ka fillesën disa muaj para fillimit të Festivalit të Radios në Tiranë në vitin 1962, kur kompozitori i madh Prenk Jakova ishte në kulmet e tij artistike dhe festivali shoqërohej nga një orkestër që përbëhej nga 15 instrumentistë, të cilët u pritën shumë mirë nga publiku. “Lulebora” sot shoqërohet nga një orkestër që përbëhet nga 20 instrumentistë të mrekullueshëm, vazhdues të denjë të paraardhësve të tyre. “Luleborë” mbetet pa diskutim një rikthim i traditës së Festivalit të Këngës Qytetare, i cili 60 vite më parë pati edicionin e tij të parë në Shkodër e që tani dëshmon se kjo traditë vazhdon.

Neritana Kraja