Sarana Ademi i përket komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ajo banon në Shkup dhe ka përfunduar studimet për flaut. Ajo aktualisht punon si mësuese e muzikës në një nga shkollat e komunës së Çairit të qytetit të Shkupit dhe gjithashtu merr pjesë edhe në koncerte të ndryshme, që zhvillohen jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në vende të tjera. Së fundi Sarana ka realizuar edhe një album muzikor me serenata korçare të luajtura me flaut. Në një intervistë për CMG Znj. Ademi na tregon për rrugëtimin muzikor si dhe projektet e saj.

Sarana Ademi duke luajtur ne flaut (Facebook)

Sarana Ademi duke luajtur ne flaut (Facebook)

CMG: Znj. Ademi të përshëndes dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Autostradë.

Sarana Ademi: Përshëndetje dhe faleminderit shumë për ftesën dhe mirë se keni ardhur në Shkup!

CMG: Ju keni studiuar për flaut. Pse zgjodhët pikërisht këtë instrument dhe a ka ndikuar familja në zbulimin e talentit tuaj?

Sarana Ademi: Po normal si çdo fëmijë, familja mund të zbulonte vetëm talentin te fëmija pastaj fëmija ndoshta dhe nuk i njeh instrumentat dhe aq mire. Në atë kohë kur unë jam regjistruar në flaut ka pasur ndikim mami, e cila më ka zbuluar talentin, pastaj në shkollë na kanë provuar disa instrumenta dhe ne kemi zgjedhur se cilin pëlqenim më shumë. Në rastin tim unë kam zgjedhur flautit sepse më është dukur një instrument i butë dhe i lezetshëm. Këto kanë qenë dhe fillimet e mia në rrugën e muzikës.

CMG: Ju keni nisur që në klasë të parë të mësoni instrumentin e flautist, apo më vonë?

Sarana Ademi: Unë kam nisur në klasë të parë të shkollës fillore, në vitin 1995. Me gjithë fakultetin janë plot 18 vite që kam studiuar flautin. Gjithë ato ushtrime dhe eksperienca që kam, them se kam arritur ta mësoj mirë këtë instrument.

CMG: Pas përfundimit të studimeve, cili ka qenë angazhimi juaj në muzikë ?

Sarana Ademi: Pasi përfundova studimet, unë fillova si mësimdhënëse e flautit në shkollën fillore dhe të mesme të muzikës. Më vonë fillova të jem më aktive në interpretim dhe kam pasur koncerte dhe projekte të ndryshme. Kështu që atë pjesë e lashë një periudhë dhe fillova të jap koncerte dhe orë pivate me nxënës fillestarë në flaut dhe ashtu vazhdoj edhe sot e kësaj dite.

Sarana Ademi gjate nje koncerti (Facebook)

Sarana Ademi gjate nje koncerti (Facebook)

CMG: Pra jepni edhe kurse private për fëmijët që duan të mësojnë këtë instrument?

Sarana Ademi: Jo kurse private por mbaj orë private, pra orë individuale me fëmijë të cilët kanë dëshirë të punojnë me mua.

CMG: Flasim pak për koncertet që ju keni dhënë në Shkup gjatë këtij viti, por edhe më përpara.

Sarana Ademi: Unë mundohem që të jem aktive çdo vit, pra kam dy ose tre projekte në vit lidhur me flautin, aty përfshihen koncerte, koncerte solistike vetëm me flaut dhe piano, por kemi edhe bashkëpunime me kolegë të tjerë që zhvillojnë koncerte me violin, kitarë dhe flaut. Vitin e kaluar kisha një bashkëpunim me një kompozitor të Kosovës, është kompozitori më i njohur i kësaj pjese, profesor Valton Beqiri. Aty kisha unë në fakt një ide që të punohen disa vepra shqipe të përfshira të gjitha rajonet shqiptare, disa rajone të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët arbëreshë si dhe të disa rajoneve të Kosovës dhe Shqipërisë. Pra kemi zgjedhur disa vende për të cilat Valtoni i ka orkestruar këto vepra dhe i ka bërë për flaut dhe piano në mënyrë pak më moderne.

CMG: Aktualisht ju jeni mësuese muzike. Si ndjeheni në fushën e mësimëdhënies?

Sarana Ademi: Unë pasi pata një eksperiencë me muzikë dhe flaut, regjistrova gjithashtu disa provime pedagogjike sepse është një kënaqësi shumë e veçantë të punosh me fëmijët, sidomos më të vegjël. Në një shkollë të komunës së Çairit jap lëndën e muzikës, por është një eksperiencë shumë ndryshe. Kur jep flaut them është diçka më personale, por kur jep muzikë është një horizont më i madh sepse ka më shumë nxënës, më shumë ide dhe është diçka më kreative dhe e bukur.

Sarana Ademi ne koncert per flaut dhe piano (Facebook)

Sarana Ademi ne koncert per flaut dhe piano (Facebook)

CMG: Sa orë në ditë i kushtoni instrumentit të flautit në studim?

Sarana Ademi: Kur kam ndonjë projekt me vepra më të rënda ndodh që studioj nga tre deri katë orë në ditë minimum me flautin. Pastaj përveç flautit kam edhe prova me kolegët, sepse flauti si instrument kërkon një bashkëpunim me piano ose kitarë apo instrument tjetër, kështu që shkon një kohë e gjatë për tu pregatitur një koncert.

CMG: Keni dhënë koncerte jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut?

Sarana Ademi: Unë kam dhënë disa herë koncerte në Prishtinë edhe si soliste, kurse në Shqipëri vitet e fundit kontaktoj me kolegë të Tiranës dhe na ftojnë çdo herë. Këtë vit më në fund do ta realizojmë një koncert në Tiranë dhe është një dëshirë shumë e madhe e imja dhe besoj se do ta realizoj.

Sarana Ademi duke luajtur muzike ne flaut (Facebook)

Sarana Ademi duke luajtur muzike ne flaut (Facebook)

CMG: Sa i interesuar ka qenë publiku për të ndjekur koncertet tuaja këtu në Shkup?

Sarana Ademi: Publiku është i interesuar, por jo ndonjë numër shumë i madh. Shkupi është me të vërtetë një qytet i madh dhe ka shumë koncerte të tilla, por dhe aktivitete të ndryshme kulturore, kështu që publiku është pak i ndarë në shumë gjëra, por sido që të jetë ne muzikantët klasikë kemi publikun tonë, kështu që ata që janë të interesuar vijnë zakonisht. Kjo varet edhe prej situatës së pandemisë dhe ishte pak më zbrazët, por sërisht jemi munduar dhe kemi bërë dhe diçka online. Kështu që vazhdimisht jemi në kontakt me median dhe publikun dhe mendoj se ka interesim. Kohët e fundit unë kam eksperimentuar pak në lidhje me muzikën, ku përveç muzikës klasike jam munduar të sjellë me flaut muzikë me vepra shqipe të luajtura me flaut. Kam zgjedhur nga shumë lloje të këngëve shqipe, duke filluar prej Qamilit të vogël e deri në serenatat korçare, duke i prekur të gjitha këto zhanret e muzikës shqipe pak në një stil të veçantë me flaut dhe piano ose me flaut dhe kitarë, dhe kam parë që ka një interesim shumë më të madh nga publiku.

CMG: Keni ndonjë aktivitet muzikor së shpejti?

Sarana Ademi: Projekti im i fundit ka qenë pikërisht një album me 8 serenata korçare në flaut dhe tani pres që këtë muaj të bëjmë dhe promovimin e albumit. Në të ardhmen planifikoj gjëra të reja të cilat do të shfaqen më vonë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Sarana Ademi: Unë i pëshëndes të gjithë ata që më ndjekin dhe ju dëshiroj të kenë shëndet, fat dhe shumë suksese në punën e tyre.

Intervistoi: Gazmend Agaj

Sarana Ademi ne interviste per CMG

Sarana Ademi ne interviste per CMG