I gjithë filmi “Koncert në vitin 1936”, film që renditet ndër vlerat e arta të kinematografisë shqiptare, fokuson përpjekjet e një zonje elegante, të talentuar, atdhetare dhe tejet të kulturuar, që bashkë me miken e saj pianiste kërkojnë të bëjnë një koncert instrumental në Lushnjen e atyre viteve.

Shumë prej nesh këndojnë apo kanë në buzë motivet e këngëve popullore si “Kur më vjen burri nga stani”, apo “Zare trëndafile”, ndoshta duke harruar e mos e ditur, se nëse janë kaq të dashura për ne këto këngë, janë pikërisht prej interpretimit të këngëtares zë kristal, për të cilën po flasim, të regjistruara në disqet e asaj kohe.

Tefta Tashko Koço - Foto nga Koha ditore

Tefta Tashko Koço - Foto nga Koha ditore

Por në ndihmë të portretit të kësaj zonje të rrallë, në planin njohës, na vjen edhe një foto ku patriotë, shkrimtarë dhe intelektualë me ndikim për kohën, ndonëse nga vise të ndryshme, ku bën pjesë edhe kjo grua e brishtë dhe elegante, takohen para Kafes së Madhe në Shkodër, një ndër qendrat e emancipimit shqiptar. Po flasim për Tefta Tasho Koçon, sopranon lirike të mirënjohur shqiptare, artisten që shkëlqeu si diamant në kulturën e viteve ’30.

Para pak ditësh, u përkujtua 111 vjetori i saj i lindjes.

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të promovimit të koleksioneve dhe përkujtimit të figurave, datave apo ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë prezantoi me këtë rast një video edukuese-promovuese për figurën e saj.

Në muze janë ekspozuar disa objekte dhe sende të sopranos së madhe, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e publikut, si medalja “Ville de Paris” viti 1933, diploma e Konservatorit të Parisit e vitit 1936, pianoja e përdorur nga Tefta Tashko Koço, vazo kristali, një kuti tualeti e përdorur prej saj, si dhe një veshje koncerti. Po ashtu, në muze është ekspozuar edhe një portret i Teftës, skulpturë e autorit Gabriel Priftuli si dhe disa fotografi nga jeta e artistes.

Tefta Tashko Koço- Foto Kel Marubi -foto nga albertvataj.com

Tefta Tashko Koço- Foto Kel Marubi -foto nga albertvataj.com

Kush ishte Tefta Tashko Koço?

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashko, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e tij, familja e Teftës kthehet në Korçë. Aty kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 Qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore. Qëndrimi nëntë vjeçar i Teftës në Francë, shënoi jo vetëm kalimin nga faza e rinisë në atë të maturimit fizik dhe intelektual, por dhe i përshtatjes në një ambient krejt të ndryshëm nga ai i Korçës. Gjithsesi, ajo nuk e zbehu për asnjë çast, dashurinë për Shqipërinë. Ndoshta në këtë mirësi dhe ndjesi të saj, ndikoi edhe qëndrimi pranë saj i familjes (nëna, vëllai dhe motra e madhe). Pra, ishte po ajo jetesë dhe tradita shqiptare që e shoqëruan në gjithë kohëqëndrimin e Francës.

Më pas vazhdoi studimet në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe” – Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe, Neço Muko.

Tefta u emocionua shumë kur dëgjoi disa nga këto këngë. Ishte një bashkëpunim që i la mbresa të pashlyeshme, duke ia shtuar edhe më shumë dëshirën për perlat e këngës popullore shqiptare.

Foto e dates 21 shkurt 1938. Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko

Foto e dates 21 shkurt 1938. Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko

Gjatë studimeve në Francë, ajo u vlerësua shumë nga pedagogët e Konservatorit të Parisit, drejtues artistikë të Radios së Parisit dhe kritikë muzike. Edukimi në Francë, bëri që ajo të asimilojë në mënyrë të veçantë, repertorin vokal klasik francez, ku prioritet ishte njohja mirë e mjeteve shprehëse muzikore si dhe e gjuhës frënge. Tefta ishte pjesëmarrëse në dy konkurse që organizoi Teatri i Operas komike franceze, ku interpretoi dhe shkëlqeu.

Pjesëmarrja e saj në konkurse, koncerte, opera, dhënia e programeve në Radiostacionin e Parisit dhe fitimi i çmimeve dhe i diplomave të ndryshme në këto manifestime muzikale, dëshmojnë për një këngëtare me vlera të padiskutueshme.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri, koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.

Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris dhe Milano.

Ndër to përmendim “Zare trëndafile”, “Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”, “As aman, moj lule” etj. Sopranoja e talentuar diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të.

Tefta-Tashko-Koço - Foto Konica.al

Tefta-Tashko-Koço - Foto Konica.al

Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktantëve të shquar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muzikantëve të shquar popullorë të atyre viteve.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”.

Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.

Në planin personal, duhet të nënvizojmë se nga martesa e saj, lindi një djalë, i cili vazhdoi rrugën e nënës në muzikë duke u bërë një ndër dirigjentët e njohur shqiptarë, Eno Koço. Në vitin e fundit të jetës Tefta Tashko ka qenë vazhdimisht e sëmurë, ndaj u nda nga jeta në moshën. 37-vjeçare.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në mes të fletëve të një pasaporte të huaj, me të cilën këngëtarja jonë ishte e pajisur kur ndodhej jashtë, gjendet një gjeth i vogël i tharë. Mbi të, Tefta ka shkruar me kujdes frëngjisht, vetëm dy fjalë: “Vdes dhe s’tërhiqem”. Ishte motoja e jetës së saj, e shkurtër, por e denjë për të mbetur përjetësisht, Artiste e Popullit!

Neritana Kraja