Panairi i Librit

Panairi i Librit

Librat janë një thesar i paçmueshëm të cilëve nuk u ikën asnjëherë koha, madje as në epokën dixhitale. Intimiteti dhe kontakti direkt dhe subjektiv që të jep libri i shtypur, janë një përvojë që vetëm dashamirësit e librave e dinë, por sigurisht janë një ftesë edhe për të tjerët, që të tentojnë të bëhen pjesë e kësaj ndjesie të mrekullueshme. Sot do të ndalemi tek tre panaire të librit, të cilët zhvillohen në Tiranë çdo vit e që tentojnë të afrojnë lexuesin me librin.

Panairi i librit

Nëntori njihet dhe si muaji i librit, pasi organizohet eventi më i madh për gjithë adhuruesit e librave, Panairi i Librit në Pallatin e Kongreseve. Edhe pse netët bëhen më të gjata dhe ditët më të shkurtra dhe të ftohta, kjo nuk është një arsye për të qëndruar në shtëpi e për të mos mbushur duart me libra të rinj. Tirana, sipas një tradite shumë vjeçare, hap dyert e Panairit të Librit, një aktivitet masiv, që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Panairi i librit

Panairi i librit

Ekspozim librash! Vizita në Panair, blerje me çmime interesante! Promovime, biseda me shkrimtarë, përkthyes, lexues, workshope, seminare, diskutime, dhënie çmimesh e shumë të tjera! Të gjitha këto janë dritaret me një mijë ngjyra të panairit, që mbledh vit pas viti botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, pasi libri është miku i të gjithëve!

Panairi i Librit është panairi më i madh i librit në Shqipëri. Ky panair është më i frekuentuari dhe më popullori, në krahasim me të gjitha panairet e organizuara në Tiranë. Tregon interesimin e librave për shqiptarët e të gjitha moshave.

Panairi i parë i librit në Tiranë ishte Panairi i librit "Tirana 1998" organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht. Botuesit shqiptarë marrin pjesë edhe në panaire tjera ndërkombëtare të librit mes të cilëve edhe në Panairin e Librit në Prishtinë si dhe në Panairin e Librit në Frankfurt.

Panairi Iibrit për fëmijë

Tregu i botimeve për fëmijë është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë viteve të fundit, ndaj për prindërit ky është një rast i mirë për të rritur interesin e fëmijëve të tyre si lexues të vegjël duke i ftuar ata në një event të posaçëm.

Panairi i librit për fëmijë(ATSH)

Panairi i librit për fëmijë(ATSH)

“Panairi i librit për fëmijë dhe të rinj” është panairi më i ri që zhvillohet në Tiranë dhe për këtë shkak tërheq mjaft vëmendje nga fëmijët, por edhe nga prindërit e tyre, të cilët kanë interes në lidhje me librat dhe titujt e tyre. Për këtë arsye ky panair realizohet në fund qershori apo fillim korriku, me qëllim që fëmijët të jenë të orientuar drejt për leximet e pushimeve të verës.

Ky është një panair që ndihmon fëmijët dhe prindërit e tyre, të informohen nga botuesit. Në prag të pushimeve është momenti i përshtatshëm që të informohen për çka duhet të lexojnë, qoftë për detyrimet shkollore, por edhe ato jashtëshkollore. Panairi zhvillohet mbrëmjeve në ambientet e Pazarit të vjetër dhe si gjithmonë shtëpitë botuese bëjnë ulje çmimesh, nga 10 deri 30 për qind. Interesi i fëmijëve që e vizitojnë këtë panair është i konsiderueshëm dhe kjo duket më së miri nga numri i fëmijëve pranë stendave. Ata vijnë dhe vihen në kontakt fizik me librin dhe kjo i ndihmon shumë në mënyrën e përzgjedhjes.

Gjatë panairit të librit për fëmijë dhe të rinj, ka një qarkullim jo të vogël të librit, që shoqërohet edhe me shitje librash. Për prindërit që nuk e kanë rutinën që të çojnë fëmijët në librari, kjo mënyrë është shumë e mirë.

Gjatë ditëve të panairit zhvillohen edhe takime të shkrimtarëve dhe përkthyesve me lexues, që organizon prej disa shtëpive botuese që veprojnë në këtë fushë.

Ky panair organizohet nga Qendra e Librit për Fëmijë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe është i dedikuar për botimet për fëmijët dhe të rinjtë.

Panairi i librit të përdorur

Panairi i librit të përdorur

Panairi i librit të përdorur në Tiranë

Panairi i librit të përdorur në Tiranë

Panairi i Librit të Përdorur, është një tjetër panair i cili rikthen vëmendjen te libri dhe vjen në Tiranë me tituj të ndryshëm, që i takojnë jo vetëm letërsisë artistike por dhe asaj studimore e më gjerë. Edhe pse zhvillohet në një sipërfaqe shumë herë më të vogël nga Panairi i Madh i Librit, që zhvillohet në nëntor, ky panair i librit të Përdorur, sjell për lexuesit, jo vetëm vepra të autorëve shqiptarë, por dhe të atyre të huaj, që tashmë janë vlerësuar si botime të suksesshme në vende të ndryshme në botë. Panairi i Librit të Përdorur, ka gjetur jo pak interes nga lexues të ndryshëm. Dashamirësit e librit kanë mundësi të gjejnë në këtë panair libra, tekste jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në anglisht, italisht e frëngjisht. E veçanta qëndron në faktin se për këto tituj bëhet një përzgjedhje e kujdesshme nga organizatorët, duke seleksionuar veprat më të mira për t’ia prezantuar lexuesve dhe të gjitha këto me një çmim të lirë.

Në këtë panair, interesit të lexuesve, iu bashkohet dhe ai i shkrimtarëve dhe i studiuesve, të cilët e vlerësojnë jo pak këtë panair që vjen në një kohë kur vëmendja për librin po kërkohet gjithmonë dhe më shumë. Panairi i librit të përdorur është një gjetje mjaft interesante e organizatorëve të panairit, për të sjellë në vëmendje, tituj që edhe i kanë munguar lexuesit dhe nuk gjenden kollaj. Libra të vjetër, të përdorimit familjar, zakonisht që posedohen nga bukinistët, mblidhen në një panair të vetëm, si thesare të një mbretërie që nuk ka nevojë për fron.

Neritana Kraja