Muzeu Historik Kombëtar mbush 40 vjet. Një veprimtari përkujtimore u zhvillua me këtë rast në mjediset e tij. Pas fjalës përshëndetëse nga drejtori i muzeut Dorian Koçi dhe ministres Margariti, për të pranishmit u shfaq dokumentari me titull “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, i cili pasqyroi për të pranishmit zanafillën e projektimit, realizimit dhe përmbajtjes së tij, ku kanë punuar dhe kontribuar grupe pune për çdo periudhë historike të përbërë nga: historianë, arkitektë, piktorë, fotografë,etj. Po ashtu u promovua edhe ekspozita në kuadër të 40-vjetorit të Muzeut me titull “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”, e cila përmban fotografi të protagonistëve të atyre viteve e shoqëruar me dokumente arkivore.
Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin, si dhe për përcjelljen e këtij imazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme.
Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit.
Kujtohet vepra e Branko Merxhanit
“Kundërbota e Branko Merxhanit”, titullohet ekspozita e çelur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte, më aktuale të mendimit dhe të publicistikës shqiptare. Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, akademikë, studiues, etj. Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë 16-vjeçare të Merxhanit në Shqipëri, gjatë të cilit ai u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare. Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.
Në këtë gazetë, Branko Merxhani botoi disa prej shkrimeve më të rëndësishme. Së bashku me mikun Vangjel Koça, kishin aty një faqe të vetën, të titulluar “Lëvizja mendore”, në të cilën hodhën tezat e para të “Neoshqiptarizmës”, doktrinës së tyre për daljen e Shqipërisë nga varfëria dhe prapambetja e skajshme shekullore, nëpërmjet kulturës, arsimimit dhe emancipimit shoqëror.
Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit italian, për të mos u kthyer më kurrë. Kjo revistë famëmadhe ishte, pa dyshim, organi më me ndikim në botën intelektuale të asaj kohe. E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në saje të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar. Gjatë ekspozitës u shfaq një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 5 nëntor 2021.
Restaurohen afishe origjinale të filmave shqiptarë
Disa afishe origjinale të filmave shqiptarë, të dëmtuara nga përdorimi dhe ekspozimi i herëpashershëm, u restauruan nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se afishet u restauruan nga laboratorët e AQSHF-së dhe DPA-së të specializuar për restaurimin e letrës.
Ministrja Margariti u shpreh për “një punë të kujdesshme të restauratores Marinela Ndria, që riktheu në jetë këtë pjesë të historisë së filmit shqiptar”. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.
Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre. Ky dokumentacion origjinal shoqërohet me të dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion aparaturash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit.
Cirku i Tiranës do të ketë një shtëpi të re
Cirku i Tiranës do të ketë një shtëpi të re. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti pas prishjes së ambienteve të Cirkut Kombëtar. “Në këto momente të vështira për artistët e Cirkut Kombëtar, jemi pranë tyre jo vetëm si përkrahës, por edhe në gjetjen e zgjidhjes për vijimin e aktivitetit artistik. Teksa po vijojmë luftën në aspektin ligjor, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit, do të sigurojmë një hapësirë për zhvillimin e proceseve aq të nevojshme për ta, stërvitjes dhe studiove për edukimin e brezit të ri”, shprehet Margariti.
Ajo thekson se si në rastin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, edhe në rastin e Cirkut Kombëtar do të arrijmë t’ia dalim mbanë. “Përveç hartimit të planit afatshkurtër, që puna e tyre të mos ndërpritet, por të vijojë jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, po punojmë për një plan afatgjatë për një shtëpi të re për artistët dhe publikun. Jam besimplotë se ashtu si në rastin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, edhe në rastin e Cirkut Kombëtar do të arrijmë t’ia dalim mbanë”, tha ministrja.
EU4Culture, prezantohen site të tjera restaurimi dhe rijetësimi
Programi EU4Culture vijon me projekte të tjera restaurimi dhe rijetësimi. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi se pas tri kantiereve të para, të tjera site presin t’i nënshtrohen restaurimit dhe rijetësimit.
Kështu, në mbledhjen më të fundit të komitetit drejtues të programit EU4Culture, me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca e përfaqësues të UNOPS u prezantuan sitet e tjera, ku pritet të nisë puna në muajin dhjetor. Bëhet fjalë për Muzeun Etnografik në Krujë; urën e Kurçajt, Kullën Veneciane; Muzeun Etnografik në Kavajë; Hamamin në Durrës dhe Teatrin e Kukullave.
Po ashtu, Margariti njoftoi se u mor vendimi për zhvillimin e projektit të konservimit dhe rijetësimit për Kalanë e Ishmit, rrënojat e Kishës së Shën Marisë në Mamurras; ndërtesën e ish-të persekutuarve politikë, Arqipeshkëvisë në Durrës dhe godinën e Ministrisë së Kulturës.
“Ditët e Mios”, një ekspozitë me piktorë nga bota
Kolonia Ndërkombëtare e Arteve Figurative “Ditët e Mios” është kryer në një traditë tashmë për qytetin e Korçës. Ekspozita e veçantë që u çel në ambientet e teatrit “A. Z. Çajupi” solli në vëmendjen e publikut korçar peizazhe të mrekullueshme nga Korça dhe rrethinat.
15 artistë nga vende të ndryshme të botës, i dhanë jetë natyrës përmes kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datë 28 tetor. Pjesa më e madhe e punimeve janë në gjininë e peizazhit dhe kompozimit, ku kanë mbizotëruar prirja e artistëve drejt kolorizmit, por edhe individualizmit të fortë artistik, ku harmonizohet stili klasik me atë modern. Vjeshta me ngjyra mbresëlënëse e Dardhës, Vithkuqit, apo Voskopojës si dhe ashpërsia dhe madhështia e relievit malor të zonave përreth Korçës, të cilat frymëzuan Mion dhjetëra vite më parë, nuk mund të linin indiferentë artistët e tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, apo të huajt, të cilët vinin për herë të parë këtu.
Neritana Kraja