Voskopoja është një fshat i lashtë dhe turistik I Shqipërisë juglindore, që dallohet për bukurinë e kishave me afreske të shkëlqyera, po ashtu edhe për atmosferën qetësuese dhe ajrin e pastër, mes maleve dhe fushave të kultivuara.

Voskopoja është një fshat që ndodhet 21 km në perëndim të Korçës dhe është një dritare magjepsëse që na kthen në të paktën 400 vjet më parë, kur nuk ishte thjesht një fshat i vogël, por një qytet i lulëzuar, plot kisha të mrekullueshme.

Si të shkoni

Voskopoja është një fshat i vogël malor me 500 banorë që ndodhet 20 kilometra në perëndim të Korçës, rrethuar nga malet dhe fushat e bukura të Moravës.

Në Voskopojë mund të shkoni me një autobus ditor nga qyteti i Korçës, por mund të jetë më e lehtë të merrni me qera një taksi, nëse nuk keni makinën tuaj private. Një udhëtim me taksi kushton rreth 1500 lekë. Mund t'i kërkoni shoferit të presë (dhe të dyfishojë çmimin) ose të kaloni natën në një nga hotelet apo bujtinat e Voskopojës.

Çfarë të bëni në Voskopojë?

Një ndër gjërat më të bukura janë kishat. Kishat e Voskopojës janë thesare të vërteta të artit shqiptar, të pikturuara nga piktorë të famshëm shqiptarë postbizantinë, si David Selenica dhe vëllezërit Zografi dhe mbeten dëshmia më e mirë e rëndësisë së qytetit, si një qendër kulturore dhe intelektuale e të gjithë Jugut të Shqipërisë.

Themelimi i fshatit daton në 1330, sipas arkivave të gjetura në Manastirin e Shën Prodhomit. Manastiri për shkak të vlerave historike dhe ikonografike që mbart, është shpallur një monument kulturor. Në manastirin e Shën Prodhonit, çdo vit, më 24 qershor, vijnë shumë vizitorë nga qyteti i Korçës dhe jo vetëm për të ndjekur shërbesën fetare, por edhe për të kaluar një ditë në Voskopojë. Shën Prodhomi është një nga vendet më të preferuara për pushimet malore, për klimën e mrekullueshme dhe gjelbërimin e dendur të zonës përreth.

Periudha më e madhe e zhvillimit të Voskopojës ishte në vitet 1760, gjatë së cilës Voskopoja u bë një qendër qytetërimi, me akademi dhe biblioteka. Gjatë kësaj kohe janë ndërtuar gjithashtu 25 kisha (me afreske dhe piktura të veçanta). Shtatë prej tyre vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot dhe të tërheqin shumë turistë. Ndërkohë që pranë manastirit gjenden edhe konviktet, të cilat janë restauruar gjatë viteve të fundit.

Si pjesë e atraksioneve në Voskopojë mund të përmendim edhe Kishën e Shën Nikollës, Kishën e Shën Mërisë, Kishën e Shën Atanasit, të Shën Mikelit dhe të Shën Ilias. Pikturat e tyre në mur janë të mrekullueshme dhe të krahasueshme me ato të manastireve të mëdha të Greqisë.

Por nuk janë vetëm kishat atraksioni i Voskopojës. I vendosur në 850 metra mbi nivelin e detit, mes maleve të larta, pyjeve dhe fushave të gjelbra, fshati është gjithashtu një destinacion i përsosur për njerëzit aktivë që duan të eksplorojnë dhe shijojnë natyrën si dhe për ata që duan të ushtrojnë sporte të ndryshme në këtë zonë të bukur të vendit.

Voskopja është e rrethuar nga kodra të larta dhe pyje. Klima në këtë fshat është e freskët në verë dhe e ftohtë në dimër me reshje bore në pjesën më të madhe të kësaj stine. Voskopoja shquhet për ajrin e pastër dhe një destinacion i shkëlqyer për trajtimin e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes. Duke pasur disa pista natyrale për ski, është gjithashtu një vendpushim dimëror i kërkuar ku praktikohet ski dhe sporte të tjera dimërore. Është një vend që mund të vizitohet gjatë gjithë vitit.

Çfarë të hani dhe ku të flini

Ndryshe nga qytetet e tjera të vogla, këtu do të gjeni hotele dhe restorante të përgatitura për të mirëpritur turistët, si në verë ashtu edhe në verë, ashtu edhe në dimër.

Mjafton të dalësh shëtitje mëngjeseve apo mbrëmjeve, për të thithur ajrin e freskët, për të shijuar ujin e burimeve apo çezmave të shumta nëpër fshat, për të bërë kamping apo ekskursione. larg zhurmës, pluhurit apo angazhimeve në punë, e të kënaqesh. Pa përmendur gatimet tradicionale të zonës. Nuk mund të largohesh pa shijuar lakrorin në saç, qengjin në hell, rakinë e kumbullës, petullat e fshira, petkat, petanikun, kulaçin, etj.

Përveç kësaj, një traditë e zonës është bletaria dhe në fshat mund të blini mjaltin e shijshëm bërë nga lulet e egra të Voskopojës. Ka disa mundësi zgjedhjeje për akomodim në Voskopojë, nëse keni vendosur të qëndroni këtu për t'u çlodhur dhe për të shijuar natyrën e saj të bukur. Një ndër ta është Vila Falo, një strukturë e ndërtuar me shije me një restorant ku mund të shijoni pjata tipike dhe një zonë lojrash për fëmijë.

Gjithashtu mund të akomodoheni në Hotel Vila Ime, ku do të gjeni dhoma familjare, bar restorant, mëngjes të bollshëm të përfshirë në çmim si dhe mundësi për të bërë barbeque. Një dhomë dyshe kushton 5500 lekë. Por kujdes, bëni paraprakisht një rezervim, sepse hoteli ka gjithmonë punë, ndaj duhet ta pretonoti dhomën tuaj.

Edhe Vila Panorama Vosdkopoja, është një mundësi e mirë për akomodim, një dhomë dyshe këtu kushton 4900 lekë dhe ka një pozicionim të shkëlyer. Edhe këtu mëngjesi është i përfshirë në çmim si në të gjitha hotelet ao bujtinat e tjera në Voskopojë.

Dhe në fund, do bëjmë një kujtesë për ju: Mos u largoni nga Voskopja pa vizituar kishat, dhe bazilikat e stilit post-bizanti, pa eksploruar shtigjet natyrore, pa shëtitur nëpër rrugët karakteristike me gur të Voskopojës. Gjithashtu, mos e humbisni shëtitjen me kale. Dhe për të marrë të gjithë mozaikun që ofron Voskopoja, mos u largoni, pa shijuar ushqimet bio tradicionale të zonës dhe pijet karakteristike. Dhe zjarrin e ndezur në oxhak në një mbrëmje të ftohtë dimri.

Neritana Kraja